E Diel, 1 Nëntor 2026

Tregu i sigurimeve 60 milionë euro, bie pagesa e dëmeve

Tregu i sigurimeve në fund të periudhës 11-mujore shënoi një volum prej 60 milionë eurosh, nivel pothuajse i njëjtë në tri vitet e fundit. Sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, të ardhurat në periudhën janar-nëntor 2011 arritën në rreth 7.6 miliardë lekë, ose 5.27% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ndërsa pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar-nëntor 2011 u ulën me rreth 0.95%, krahasuar me 2010-ën. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorike me 1.537 milionë lekë, që përbëjnë rreth 79.88% të totalit të dëmeve të paguara bruto. Gjatë periudhës janar-nëntor 2011, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 1.187,467, pothuajse duke dyfishuar numrin e kontratave, e krahasuar kjo me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-jetës, të cilat sollën rreth 87.56% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 12.22% dhe veprimtarinë e risigurimit me 0.22%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 54.98% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm motorik zënë 45.02% të totalit të tregut. Primet në sigurimin e detyrueshëm motorik arritën shifrën 3,461 milionë lekë, ose rreth 10.55% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërsa të ardhurat nga sigurimi vullnetar në periudhën janar-nëntor të vitit 2011, arritën rreth 4.2 miliardë lekë, ose 23.10% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, si dhe janë shoqëruar me një dyfishim të numrit të kontratave. Vlen të theksojmë se rritja e konsiderueshme e numrit të kontratave në sigurimin vullnetar ka ardhur nga rritja e numrit të kontratave të sigurimit të shëndetit. Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive me të ardhura rreth 1,885 milionë lekë në total, vendin e parë e zuri sigurimi nga zjarri dhe rreziqet shtesë, me rreth 50.47%, i pasuar nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me rreth 18.66%.Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve personale dhe shëndetit gjatë periudhës janar-nëntor 2011 arritën në rreth 812 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 140.85% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2010.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›