E Diel, 1 Nëntor 2026

Kthimi i emigrantëve, më pak para, më shumë investime



Kriza greke po detyron shumë prej emigrantëve shqiptarë që punojnë prej vitesh në shtetin fqinj, të shohin si alternativë kthimin në atdhe. Fenomeni duket ka marrë trajtë të qartë dhe një pjesë e mirë e atyre që kthehen shpresojnë të gjejnë një vend pune në Shqipëri. Agjencia e lajmeve "Reuters" i ka kushtuar një shkrim këtij problemi, duke e trajtuar këtë në një sërë këndvështrimesh. E para rënia e remitancave, e dyta rritja e papunësisë dhe e treta që duket më pozitive, rritja e investimeve "modeste" të emigrantëve nga kursimet e tyre.
"Reuters"
Pas rënies së komunizmit dy dekada më parë, Greqia u kthye në "tokën e premtuar" të qindra mijëra shqiptarëve, një vend ku mund të fillohej nga fillimi pas varfërisë së skajshme. Por kohët e arta janë zbehur dhe shumë emigrantë po zbulojnë se janë viktimat e para të krizës financiare greke. Disa shohin mundësi më të mira ekonomike në Shqipëri dhe mendojnë kthimin si alternativë të mirë. "Nuk e kam parë kurrë ekonominë kaq keq", shprehet Agim Aliaj, 48 vjeç që është kthyer në Shqipëri në mars, pasi nuk gjeti një punë stabël në Greqi për disa muaj me radhë. "Ka qenë e pamundur që të dërgoja lekë në shtëpi për pothuajse një vit e gjysmë. Problemet e tyre do na prekin edhe ne, shumë rëndë". Shqiptarët janë deri më tani grupi më i madh i punëtorëve të huaj në Greqi, vlerësuar tek 650 mijë deri në 800 mijë dhe kanë qenë të parët, që ndjenë tronditjen aktuale. Që me fillimin e krizës globale financiare, vështirësitë e emigrantëve shqiptarë të punësuar në Greqi, Itali, Europën Perëndimore dhe SHBA janë reflektuar në rënien e remitancave, të cilat u ulën për herë të parë pas pesë vitesh vitin e kaluar. Në 2009-ën remitancat në total arritën 780 milionë euro, ekuivalente me 9 për qind të PBB-së së Shqipërisë. Kjo, krahasuar me totalin e 833 milionë eurove në 2008 dhe 951 milionë euro në 2007-ën, niveli më i lartë i arritur ndonjëherë. Remitancat do të vazhdojnë të bien dhe papunësia mund të rritet, nëse numri i emigrantëve që duan të kthehen në Shqipëri do jetë më i madh. Por nëse shohim anën pozitive, mund të themi se emigrantët do të sjellin me vete kapital për investim. Aliaj, me profesion bojaxhi shtëpish, tregon se mijëra emigrantë po përpiqen të mbijetojnë në Greqi me shpresën se ekonomia do të përmirësohet. Familjet e tyre nga Shqipëria i dërgojnë duhan dhe ushqime me autobusë. Si shumë të tjerë, edhe ai u josh më tepër nga ideja e kthimit në shtëpi dhe punimit të tokës në fshatin e tij, Kuç, ku jeton gruaja, djali dhe vajza e tij. Por edhe këtu u dekurajua nga eksperienca e bashkëfshatarëve të tij, të cilët janë detyruar të hedhin në lumë tonë të tëra qepësh, mollësh për shkak të mungesës së tregut. "Kjo nuk më jep aspak entuziazëm për të nisur një aktivitet, sepse shtija nuk është e garantuar. Do pres disa muaj, të shoh si do shkojnë gjërat në Greqi dhe do kthehem aty", shprehet ai.
Në doganë
Në doganën e Kapshticës oficeri Landi Ipo shprehet se numri i shqiptarëve që po kthehen me dëshirë është rritur, shumica prej tyre po lënë zonën e Selanikut. Nuk ka statistika të sakta për numrin e shqiptarëve që po kthehen në shtëpi nga Greqia. Zyrtarët grekë pranojnë se ka një rritje të numrit të shqiptarëve që po largohen, por shprehen se është ende shpejt për të folur për një valë të madhe. "Ata thonë se nuk kanë garanci për të ardhmen aty. Po kthehen në Shqipëri me gjithçka kanë", tregon Ipo. Duke drejtuar makinën e tij "Opel", pas kalimit të doganës së Kapshticës, Arbër Haka shprehet se shpreson të gjejë diçka me çfarë të merret këtu, sepse jeta po bëhet shumë e vështirë për emigrantët. "Shpresoj se do gjej diçka në vendin tim, sepse toka e huaj nuk është më në gjendje të na mbajë", thotë ai. Edhe pse Shqipëria vazhdon të jetë një nga vendet më të varfra të Europës, me papunësinë në shifra zyrtare 14 për qind, kriza greke ka nxitur disa ide tek emigrantët. GDP-ja për frymë e Shqipërisë ishte 3 840 dollarë në 2008-ën krahasuar me 29. 361 dollarë të Greqisë, sipas Bankës Botërore. Shqipëria është një nga vendet e pakta në Europë që nuk kaloi në recension. GDP-ja u rrit me 3.3 për qind në 2009-ën, duke zbritur nga 7.9 për qind që ishte një vit më parë, dhe po rritet edhe gjatë 2010-ës. "Pse Qeveria jonë na detyron të vjelim qershitë e grekëve në vend që të na sigurojë alternativa zhvillimi? - thotë Aliaj. - Shqiptarët kanë punuar në Greqi. Nëse do të qëndronin në vendlindje dhe nëse do të zbatoheshin politikat e duhura, do të ishte arritur diçka e vlefshme".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›