E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria tërhiqet nga pronësia e shtëpisë së Pezës, Berisha e Ruçi përplasen në Kuvend



ADI SHKEMBI

Qeveria tërhiqet nga vendimi për të marrë nën përgjegjësinë e saj shtëpinë ku është mbajtur konferenca e Pezës. Një ditë pasi një prej zyrtarëve të Ministrisë së Kulturës, shkoi në Pezë, ku ndodhet edhe shtëpia muze, për të marrë në administrim godinën, ministri Ferdinand Xhaferri tha se banesës, pavarësisht vendimit, nuk do t'i preket pronësia dhe mund të përdoret për të jetuar. "MTKRS propozoi rikthimin e shtëpisë-muze nën administrimin e Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Tiranë. Ky vendim nuk cenon aspak pronësinë e shtëpisë, as dhe banimin e saj. Ky vendim i jep shtëpisë historike mbrojtje nga Instituti i Monumenteve të Kulturës", tha Xhaferri dje, në një konferencë për shtyp. Njëkohësisht, sipas tij, "kjo ministri por edhe institucionet e tjera partnere me të, nuk disponojnë asnjë dokument zyrtar, se në këtë shtëpi banon Kryetari i Bashkisë së Tiranës, sikurse kanë deklaruar disa media". Ai hodhi poshtë çdo pretendim se vendimi i Qeverisë bëhet për arsye politike, duke e lidhur atë me faktin që në shtëpinë ku është mbajtur konferenca e Pezës, pronë e deputetit të PS-së, Dashamir Peza, jeton kryetari i opozitës, Edi Rama. Duke iu rikthyer vendimit të vitit 2006, Ministri i Kulturës sqaroi se Qeveria miratoi propozimin për heqjen e shtëpisë së Pezës nga lista e Monumenteve të Kulturës, por ky vendim nuk u shoqërua me urdhrin përkatës, si në çdo rast tjetër të ngjashëm. Sipas tij, pasi doli vendimi, Bashkia e Tiranës propozoi marrjen në përgjegjësinë e saj këtë ndërtesë. "Edi Rama, për shkaqe të dyshimta, në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe ligjet për Qeverinë vendore, propozon që kjo shtëpi-muze të kalojë në inventarin e pronave në përgjegjësi territoriale dhe administrative të Bashkisë Tiranë. Shtojmë se Qeveria në asnjë rrethanë nuk mund të transferojë prona të një bashkie apo komune, në një bashki apo komunë tjetër. Ndërkohë që, propozimi për heqjen e shtëpisë-muze nga lista e monumenteve të kulturës, nuk u legjitimua nga urdhri përkatës, që del në çdo rast të ngjashëm", tha më tej Xhaferri. Reagimi i Ministrit të Kulturës vjen një ditë pasi deputeti socialist, Dashamir Peza deklaroi se Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave i ka njohur atij 600 m2 të truallit ku është e ndërtuar banesa e trashëguar nga Myslym Peza. "Unë në vitin 1998 e kam ndërtuar nga e para këtë banesë, ku ka jetuar im atë, dhe që nga kjo kohë jetoj këtu. Në vitin 2006, muzeu i Konferencës së Pezës është hequr edhe nga lista e monumenteve të kulturës me anë të një vendimi të ish-ministrit Bujar Leskaj", tha deputeti i PS-së. Ndërkohë, lidhur me këtë vendim reagoi edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila me anë të sekretarit të Përgjithshëm, Luan Rama tha se "veprimi i sotëm i policisë për të sekuestruar shtëpinë e deputetit të Partisë Socialiste, Dashamir Peza, është një akt abuziv, një butafori e panevojshme..."

Vendimi i Qeverisë
Gazeta zbuloi dy ditë më parë vendimin e Qeverisë nr. 323, datë 12.05.2010, sipas të cilit vendoset "kalimi në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, të pronës së paluajtshme shtetërore 'Muzeu i Konferencës së Pezës', me numër rendor 275, në listën që i bashkëlidhet vendimit nr.834, datë 13.12.2006 të Këshillit të Ministrave 'Për miratim e listës së pjesshme (pjesa e parë+pjesa e dytë) të inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që janë në juridiksionin territorial dhe administrativ të Bashkisë Tiranë të qarkut të Tiranës".

Vendimi, qeveria ia hoqi Bashkisë administrimin
Me një vendim të datës 12 maj, me numër 323, Qeveria vendosi që "Muzeu i Konferencës së Pezës" t'i kalojë në administrim Ministrisë së Turizmit Kulturës Rinisë e Sporteve. Sipas vendimit, në vitin 2006 ky objekt ka qenë nën administrimin e Qeverisë, por qeveria "Berisha" vendosi që t'ia kalojë nën administrim Bashkisë së Tiranës. Vendimi i datës 12 maj 2010 e rikthen këtë vilë muze në administrimin e Qeverisë. Në pikën numër 1 Qeveria vendosi "kalimin në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, të pronës së paluajtshme shtetërore 'Muzeu i Konferencës së Pezës".

Berisha: Korrigjova gabimet me Pezën

Erald Kapri

Shtëpia muze e fshatit Pezë të Tiranës ishte pjesë e debatit politik mes liderëve politikë kryesorë të vendit dje në Kuvend. Kryeministri Sali Berisha tha në Kuvend se ndërhyrja në muzeun e Pezës ishte për kthimin në identitet të këtij muzeu. Sipas tij, opozita duhet të falënderonte Qeverinë për aksionin. "Ajo shtëpi do shndritë si margaritar në historinë e popullit shqiptar. Për ju nuk ka rëndësi kjo, ka rëndësi destinacioni tjetër. Këtë sjellje e keni kundër meje ju, por mos ngatërroni Pezën me mua. Peza është trashëgimia historike e shqiptareve. Unë e shpalla shtëpinë në Pezë muze dhe korrigjova gabimet e bëra. Ajo shtëpi do mbetet muze. Në vend që të më duartrokisnit, u vërsulët të gjithë kundër meje", tha Berisha. Në kundërpërgjigje ndaj Kryeministrit doli kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, i cili tha se Kryeministri po përdor demagogji me shqiptarët dhe historinë e tyre dhe sipas tij, ndërhyrja në Pezë ishte për shkëputjen e vëmendjes së opinionit publik nga kriza politike. "Për atë që ju thatë me humor po me Pezën ç'patët, por në fakt me Pezën ç'patët? Në një kuptim që të jeni të kuptueshëm zoti Berisha, pronarit të vërtetë të asaj shtëpie i keni nxjerrë eshtrat nga varri, ndërsa të birit i kërkon sot shtëpinë. S'ka gjë, më mirë ta vlerësosh sot edhe si figurë edhe Konferencën e Pezës, por ato të mos përdoren për të tërhequr vëmendjen e opinionin publik", tha Ruçi.
Mes Kryeministrit dhe kreut të grupit parlamentar të opozitës u debatua edhe për situatën politike, sigurinë e qytetarëve si dhe rritjen ekonomike. Berisha tha se të dyja palët kanë mundësi për zgjidhjen e situatës politike dhe se muajt e kaluar duhet të shërbejnë për reflektim. "Unë besoj se gjithë këta muaj janë një periudhë, në të cilën mund të nxjerrim konkluzionet më të ndershme dhe cilat është janë proceset që shtynë Shqipërinë përpara dhe nuk janë njerëzit, kushdo qofshin ata, të cilët do mund të ndalojnë proceset e integrimit, beteja me mullinjtë e erës nuk zhvillohen", tha Berisha. Nga ana e tij, Ruçi u shpreh se shqiptarët janë të lodhur nga këto qëndrime dhe kërkoi që Berisha t'u hapë rrugë kërkesave të PS-së për transparencën e zgjedhjeve të kaluara. "Shqiptarët janë lodhur me çështjen e zgje-dhjeve, me qëndrimin stoik tuajin dhe kërkesat tona. Mos e përsërisni më, sepse nuk ka të djathtë më në Shqipëri që të mos besojë masakrën e 28 qershorit. Nëse ju nuk i besoni, atëherë u hapni rrugën kërkesave të opozitës në komisionin hetimor. Në lidhje me integrimin e vendit, bashkëpunimin e keni dhe do ta keni", tha Ruçi.
Dy liderët debatuan më tej edhe çështjen e vizave. Kreu i Qeverisë tha se opozita po përdor kauzën e anti-Berishizmit ndaj çdo qëllimi, çka sipas tij mund t'i sjellë dëme vendit. "Unë ju bëj thirrje të mos vendosni si parim të veprimtarisë tuaj anti-Berishizmit, mbajeni në ekran", tha Berisha. Nga ana e tij, Ruçi iu përgjigj duke thënë se kjo është detyra e opozitës, madje ai shtoi se maxhoranca po bën anti-opozitarizëm.

Debati Berisha-Ruçi

Sali Berisha: Shqipëria është në një stacion të ri, ku rruga e saj do jetë e sigurt drejt të ardhmes europiane. Shqipëria nuk ka sot zhvillimin dyshifror ekonomik që do ta donim, por ajo u kuotua më lartë se ekonomitë e tjera.
Gramoz Ruçi: Zoti Kryeministër, ju në çdo konferencë shtypi flisni për rritjen ekonomike. Sigurisht që detyra nuk ju lë të bëni atë që bëj unë, që edhe domatet i blej vetë, edhe qepën, e trangull, orizin, sheqerin dhe nga natyra jam qytetar i lirë, nuk jam Kryeministër. E kuptoni se çdo të thotë kjo për një arsimtar, të papunë, fermer, pensionist? Pra, është të tallesh.
Sali Berisha: është në detyrimin tonë më madhor të bashkëpunojmë për vendosjen e këtyre standardeve, të ngremë tullë mbi tullë godinën e integrimit në këtë vend, në Shqipërinë europiane. Nuk ka asgjë më të papranueshme se sa të mos punohet bashkërisht në këtë drejtim.
Gramoz Ruçi: Shqiptarët janë lodhur me çështjen e zgjedhjeve, me qëndrimin stoik tuajin dhe kërkesat tona. Mos e përsërisni më, sepse nuk ka të djathtë më në Shqipëri që të mos besojë masakrën e 28 qershorit. Nëse ju nuk i besoni, atëherë u hapni rrugën kërkesave të opozitës në komisionin hetimor. Në lidhje me integrimin e vendit, bashkëpunimin e keni dhe do ta keni.
Sali Berisha: Unë ju bëj thirrje, të mos vendosni si parim të veprimtarisë tuaj anti-Berishizmit, mbajeni në ekran nuk them se ne jemi kundërshtarë, por duke u bërë totalitar, ky qëndrim nuk ju shërben juve.
Gramoz Ruçi: Unë e ndoqa me vëmendjen edhe anti-Berishizmin që ju u ka djegur. Mos u shqetësoni, se çdo njeri që do të ishte në vendin tuaj, roli i opozitë ky është, që të bëjë opozitën ndaj kujtdo Kryeministri e Qeverie. Por alternativa e maxhorancës nuk është anti-opozitarizmi.
Sali Berisha: Ajo shtëpi do shndritë si margaritar në historinë e popullit shqiptar. Për ju nuk ka rëndësi kjo, ka rëndësi destinacioni tjetër. Këtë sjellje e keni kundër meje ju, por mos ngatërroni Pezën me mua. Peza është trashëgimia historike e shqiptareve. Unë e shpalla shtëpinë në Pezë muze dhe korrigjova gabimet e bëra. Ajo shtëpi do mbetet muze. Në vend që të më duartrokisnit, u vërsulët të gjithë kundër meje.
Gramoz Ruçi: Për atë që ju thatë me humor po me Pezën ç'patët, por në fakt me Pezën ç'patët? Në një kuptim që të jeni të kuptueshëm zoti Berisha, pronarit të vërtetë të asaj shtëpie i keni nxjerrë eshtrat nga varri, ndërsa të birit i kërkon shtëpinë. S'ka gjë, më mirë ta vlerësosh sot edhe si figurë, edhe Konferencën e Pezës, por ato të mos përdoret për të tërhequr vëmendjen e opinionin publik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›