E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana Bank 2.4 milionë euro në 3-mujorin e 2010



Tremujori i parë i këtij viti ka rezultuar me një performancë të shkëlqyer për Tirana Bank. Këtë fakt e mbështesin shifrat, ku fitimi neto ka rezultuar 80 për qind më i lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë, plot 2.4 milionë euro. Ndërsa të ardhurat nga interesi neto për këtë tremujor rezultojnë në nivelin 6.2 milionë euro, ose 17 për qind më shumë se viti i kaluar. Falë një menaxhimi mjaft efikas, shpenzimet operative kanë pasur një rritje të lehtë prej 6% nga viti në vit (3.6 milionë euro), pavarësisht çeljes së degëve të reja. Si rezultat, raporti shpenzime/të ardhura është rreth 47% krahasuar me 55%, një vit më parë. Me çeljen e tri degëve të reja, numri i tyre në total ka shkuar në 50. Pozicioni i fortë financiar i Tirana Bank konfirmohet edhe nga niveli i ulët i kredisë me probleme, e cila mbetet në nivelin e 7.1% të totalit të portofolit të kredisë (shumë më i ulët se sistemi bankar shqiptar). Gjithashtu, raporti kredi/depozita është 106%, duke treguar kështu një balancë mjaft të mirë të depozitave dhe kredisë. Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit mbetet në nivele mjaft të larta 15.3%, ndërsa totali i kapitalit shënon 86.4 milionë Euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›