E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ky dimër është i butë, por me shumë reshje shiu e bore

Edhe pse mund të duket çudi, sipas sinoptikanëve deri tani ky dimër nuk është më i ftohti, por ditët e ngricave kanë qenë më të gjata se vitet e kaluara. Meteorologët deri tani e kanë cilësuar dimrin e butë, megjithatë me më shumë reshje se zakonisht. Por një analizë e detajuar e situatës do të bëhet në fund të muajit shkurt, kur të mbyllet zyrtarisht stina e dimrit.

Në një intervistë, sinoptikania e institutit "MeteoAlb", Tanja Porja, shpjegon se çfarë ka ndodhur këto kohë me motin në vendin tonë, cilat do të jenë parashikimet në vijim dhe mbi të gjitha përse rajoni ynë është përfshirë në një valë reshjesh, ngricash dhe mjegulle. Mëngjesi i djeshëm në vendin tonë ka pezulluar fluturimet, ka sjellë probleme në trafikun rrugor dhe diskutime në bisedat kryesore mes qytetarësh.

Muaji dhjetor dhe ditët e para të janarit kanë qenë të ftohta. Para sa vitesh janë regjistruar temperatura të tilla?

Temperatura të tilla janë normale për muajin në të cilin ndodhemi, pasi në klimën shqiptare janari është edhe muaji më i ftohtë i vitit. Për sa u përket viteve në të cilët janë regjistruar temperatura të tilla, mund të them se në çdo dimër të çdo viti ka pasur ditë me temperatura rreth vlerave të kohëve të fundit. Konkretisht, në Tiranë gjatë janarit të viteve të kaluara, termometri ka zbritur deri -5.8 gradë Celsius, (viti 2004), po ashtu në -4.8 gradë, (viti 2006) dhe kështu me radhë.

Edhe në zonat e tjera të vendit, temperaturat e këtyre ditëve janë më të larta se vlerat e regjistruara në vitet e mëparshme, për shembull se vitet 2004 apo 2006. Deri në këto momente, ky dimër rezulton të jetë më i ngrohtë se dimrat e tjerë të periudhës 2000-2008, por edhe më i pasur me reshje shiu e dëbore. Për më shumë saktësi do të na duhet të presim deri në fund të muajit shkurt, për një analizë të plotë të kësaj stine.

Si shpjegohet sipas "rregullave" të sinoptikës mjegulla dhe i ftohti i këtyre ditëve?

Gjatë këtyre ditëve, mbi vendin tonë kanë dominuar vranësirat dhe reshjet e shiut në sasi të konsiderueshme në bregdet dhe në zonën e ulët, ndërsa reshje dëbore ka pasur në të gjitha zonat malore e konkretisht, disa nga zonat problematike kanë qenë zona Pukë - Peshkopi - Kukës, ku lartësia e dëborës arriti mbi 40 cm. Më pak dëborë ka pasur juglindja, ku lartësia e saj arriti deri 20 cm. Ajo çfarë ka theksuar efektin e këtyre reshjeve të dëborës kanë qenë temperaturat e ulëta të këtyre ditëve dhe konkretisht, në zonat malore ato kanë zbritur deri në -10 gradë gjatë mëngjesit, për më tepër që edhe mesdita regjistroi temperatura disa gradë nën zero. Në shumë qytete të zonës së ulët, gjatë këtyre ditëve janë regjistruar reshje të konsiderueshme shiu, ku sasitë mbi 60 mm kanë rënë në vetëm 24 orë. Ndërsa bregdeti ka pasur shira në sasi më të pakta, jo mbi 30 mm gjatë 24 orëve.

Cili është parashikimi juaj i motit dhe temperaturave për ditët në vijim?

Për ditët vijuese deri të enjten, pritet që moti të jetë kryesisht i kthjellët me vranësira kalimtare, më të dukshme në zonat malore. Problematike mbeten temperaturat e mëngjeseve, të cilat do të jenë të ulëta deri të enjten, ndërsa mesdita do të ketë një rritje të lehtë të tyre. Dita e enjte pritet të sjellë rritje të temperaturave, si edhe një tjetër episod me reshje shiu në bregdet dhe zonat fushore, por sërish dëborë në zonat malore. Deri në mesjavë, temperaturat e ajrit, sipas zonave gjeografike, do të luhaten.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›