Kthimi i emigrantëve për festa, masa në pikat kufitare
Gjirokastër- Lehtësimi i emigrantëve shqiptarë që do të kthehen për festat e fundvitit nëpërmjet tri pikave kufitare në qarkun e Gjirokastrës do të ecë paralelisht me goditjen e trafiqeve të mundshme të të gjitha llojeve. Kështu kanë bërë të ditur drejtuesit e Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit.
Kështu, ndërsa afati i lëvizjes së lirë të emigrantëve në të dy anët e kufirit ka filluar, masat janë përforcuar. “Në këtë kuadër janë marrë një sërë masash me qëllim krijimin e lehtësirave ligjore, duke shmangur radhët e gjata. Shërbimi i ofruar për të gjithë qytetarët që hyjnë e dalin në pikat e kalimit të Stacioneve të Policisë Kakavije, Çarshovë dhe Sopik ka qenë në nivelin e duhur”- thanë burimet.
Sipas tyre, për ditët në vazhdim prioritet kryesor i Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin do të jetë përballimi me sukses i fluksit si në hyrje dhe në dalje i shtetasëveshqiptarë dhe të huaj, të cilët do të qarkullojnë nëpërmjet pikave të kalimit kufitar të kësaj drejtorie, me rastin e festave të fundvitit, duke iu krijuar të gjitha lehtësirat ligjore me qëllim shmangien e radhëve të gjata dhe ofruar një shërbim sa më cilësor e të kulturuar.
Ndërkaq, eksperienca e viteve të kaluara ka treguar se periudhat e fluksit shfrytëzohen prej trafikantëve dhe nisur nga ky fakt “Lufta pa kompromis kundër trafikut të lëndëve narkotike dhe qënieve njerëzorë”, që mund të zhvillohen si në kufirin e gjelbërt ashtu dhe në pikat e kalimit kufitar që ka në juridiksion kjo drejtori, si dhe parandalimi i kalimeve të paligjshme të kufirit të gjelbër me shtetin grek, duket se do të jetë një tjetër prioritet.