Kthimi i emigrantëve, radhë e gjatë në Kakavijë
Kakavijë- Vetëm një ditë pas garancisë për lehtësim lëvizjesh dhe plotësim të të gjitha kushteve që dhanë përfaqësuesit e policisë në pikën e kalimit të Kakavijës, emigrantët janë përballur me radhë të gjata për të hyrë në atdhe.
Sipas burimeve nga kjo pikë e kalimit kufitar mësohet se emigrantëve tanë u është dashur të presin në një radhë të gjatë që e ka kaluar 1 kilomëtërshin. Mësohet se shkak për këtë është bërë sërish pala greke e dogënës, e cila ka punuar vetëm me një sportel.
Ndërkohë që numri i emigrantëve që prisnin të hynin në Shqipëri ka qenë shumë i lartë, pala greke ka vijuar me një sportel, kurse pala shqiptare ka punuar nmormalisht.
Emigrantët shprehen të shqetësuar nga kjo situata që përsëritet sa herë dhe që duket se megjithë takimet mes palëve dhe premtimeve të zyrtarëve nuk do të ketë fund.
Në dispozicion është një ambulance me një staf mjekësor të specializuar, për çdo të papritur shëndetësore që mund të ketë mes emigrantësh, që vijnë për pushime së bashku me fëmijët e familjet e tyre.
Pala greke është mjaftuar vetëm me një këshillë, që emigrantët të mos përdorin për lëvizje vetëm Kakavijën, por të përdorin edhe Tri Urat në Përmet, në mënyrë që të shmangin pritjet e gjata.