E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brace: Ndryshimet në qeveri, karshillëk ndaj prokurorisë

Nënkryetari i grupit parlamentar i PS-së, flet për ndryshimet në qeverinë Berisha

TIRANË- Nënkryetari i grupit parlamentar i PS-së, Erion Brace, ka deklaruar dje se ndryshimet e fundit në qeveri janë shenjë karshillëku dhe sfide e hapur ndaj prokurorisë.“Ndryshimet e fundit në qeveri u nxitën me dhunë në shenjë karshillëku dhe sfidë të hapur, për të mos thënë luftë ndaj prokurorisë dhe veprimeve të saj gjatë kësaj jave lidhur me hetimin e krimit dhe të pandehurve për të!. Gjatë kësaj jave, Prokuroria njoftoi se ka formuluar akuzë të re lidhur me hetimet mbi krimin shtetëror të Gërdecit: atë të vrasjes në më shumë se një rast të kryer në Gërdec. Pa i lejuar vetes në asnjë çast e rast, ndërhyrjen në punët e akuzës, ne e shohim këtë veprim një hap në rrugën e duhur për të zbardhur ngjarjen, për të hetuar në gjithë përmasën krimin, për të bërë drejtësi për fajtorët dhe mbi të gjitha për viktimat”, tha dje Brace. Nënkryetari i grupit parlamentar shtoi se PS inkurajon Prokurorinë në punën e saj ashtu siç kërkon me forcë që organi i akuzës të zbatojë ligjin ndaj çdo zyrtari që pengon drejtësinë që të zbardhë krimin. “Po këtë javë, prokuroria njoftoi se ka marrë dhe 3 muaj kohë për të thelluar hetimet ndaj personave nën hetim për këtë krim, nën motivin e pengesave të mëdha të hasura, të krijuara për të hetuar ndaj imunitarëve politikë të dyshuar gjerësisht si të përfshirë në krim.Ne e gjykojmë të arsyeshëm veprimin e prokurorisë ashtu siç kërkojmë me forcë që prokuroria të zbatojë ligjin me rreptësi ndaj çdo zyrtari apo kujtdo tjetër që pengon drejtësinë të zbardhë krimin”, tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›