Ballafaqimi me Adriatik Colin, Lul Berisha kallëzon policinë
TIRANË- Ballafaqimi i Lul Berishës me të penduarin e bandës së Durrësit,Adriatik, Coli i ka kushtuar prokurorisë së Durrësit dhe drejtuesve të paraburgimit “Jordan Misja” një kallëzim për “shpërdorimdetyre”. Mbrojtësi i të pandehurit Lulëzim Berisha, avokati Ben Qeleshi, tre ditë më parë i është drejtuar Prokurorisë së Tiranës me një kallëzim penal për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” ndaj të gjithë personave që shoqëruan nga qelia e paraburgimit “Jordan Misja”, në drejtim të repartit të forcave speciale RENEA në Linzë, klientin e tij Lulzim Berisha. Objekt i këtij kallëzimi është bërë marrja në pyetje e Berishës për vrasjen e Nuhi Ilmiut dhe ballafaqimi i tij me të penduarin Adriatik Coli.
“Shekulli”ka siguruar një kopje të kallëzimit, sipas të cilitLul Berisha, mëngjesin e datës 28 korrik është urdhëruar nga punonjësit e paraburgimit “Jordan Misja” të zbresë në dhomën e hetimit në këtë institucion. “Sapo ka shkelur në pragun e derës së kësaj zyre, që ndodhet në katin e parë është rrëmbyer forcërisht nga forcat speciale të drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të veshur me maska, të cilët e kanë dërguar në repartin e forcave speciale të RENEA-s në Linzë të kryeqytetit. Atje, ai është marrë në pyetje pa praninë e avokatit dhe pa lajmëruar atë, në cilësinë e deklaruesit për ngjarjen e viti 1998, ku është vrarë Nuhi Ylmiu pak orë para lirimit të djalit të tij nga pengmarrja. Për këtë ngjarje akuzohet shtetasi Leonard Murataj”,-thuhet në kallëzimin e firmosur nga avokati Qeleshi dhe vetë Lul Berisha.Sipas kallëzimit, mësohet se edhe përkundër kundërshtimeve të Lul Berishës për të dhënë shpjegime në lidhje me këtë ngjarje, prokurori i Durrësit dhe një oficer i këtij institucioni i kanë ofruar ballafaqim me të penduarin e “bandës” që dikur ai drejtonte, Adriatik Colin, po për këtë ngjarje.
Historia nisi në procesin gjyqësor që u zhvillua pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku Adriatik Coli, në cilësinë e dëshmitarit është shprehur: “Lul Berisha më ka thënë se Nuhi Ylmiun e ka vrarë Leonard Murataj”. Këtë deklaratë, Berisha e ka kundërshtuar, duke e cilësuar si mashtrim të radhës së të penduarit. Por ballafaqimi i kërkuar nga prokuroria e Durrësit, po për këtë fakt, ka bërë që Lul Berisha t’i kërkojë Colit dukee shikuar në sy që të mos mashtrojë, por të tregojë të vërtetat e atyre që ka deklaruar dhe vazhdon tëdeklarojë para prokurorisë e gjykatës. Ndërkaq, ky ballafaqim i ish-shefit me ish-vartësin është cilësuar nga mbrojtja si një cenim i procesit gjyqësor që po zhvillohet pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda në lidhje me vrasjet dhe krimet e kryera nga “banda” e ndara në dysh. “Duke gjykuar se lëvizja e Lulëzim Berishës jashtë ambienteve të paraburgimit 313 përbën një rrezik të madh për sigurinë e jetës së tij, duke gjykuar se ky veprim është kryer në shkelje të hapur të të gjitha dispozitave ligjore që rregullojnë lëvizjen e personave të arrestuar jashtë reparteve të paraburgimit janë shkelje flagrantetë ligjit dhe të drejtave të njeriut, kërkojmë ndjekjen penale ndaj personave që kanë kryer këto veprime”,-thuhet në kallëzim. Ndërkohë, ky shqetësim u ngrit edhe dje gjatë shqyrtimit të seancës së radhës gjyqësore ndaj 16 të pandehurve, ku avokati Qeleshi kërkoi nga gjykata të distancohet nga ky veprim i prokurorisë dhe të vërë para përgjegjësisë personat që kanë kryer këto veprime.
AVOKATËT
Transferimi i Berishës, debat në sallën e gjyqit
TIRANË- Ballafaqimi i pamiratuar i Lulzim Berishës me kallëzuesin e tij, Adriatik Coli ka hapur një tjetër debat gjatë procesit të djeshëm kundër bandës së Durrësit. Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Gurali Brahimllari, pas dëgjimit të pretendimeve të mbrojtjes vendosi që për çdo lëvizje të Lul Berishës dhe të pandehurve të tjerë të këtij procesi gjyqësor të vihet në dijeni, pasi nuk mund të lëvizet ndonjë nga të pandehurit, pa u kontaktuar gjykata. Pas shqyrtimit të kësaj kërkese, u evidentuan mungesat e gjashtë avokatëve dhe tre të pandehurve në sallën e gjyqit, duke detyruar gjykatën të ndërpresë seancën gjyqësore dhe të pezullojë afatet e paraburgimit për të gjithë të pandehurit, deri në datën 4 shtator. Ky vendim i gjykatës ka nxitur reagime të ashpra të të pandehurve dhe avokatëve që ndodheshin në sallën e gjyqit, të cilët kanë kërkuar mospezullimin e afateve për gjithë të pandehurit. Megjithatë, debati i avokatëve nuk ka ndikuar në vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila ka shtyrë kësisoj seancën e djeshme gjyqësore. F.V
Një numër i madh forcash policie, në mbrojtje të të penduarit Adriatik Coli
I penduari, çelësi i procesit për “kryqëzimin’ e bandës
TIRANË- Vendosja prapa hekurave të burgut të 16 pjesëtarëve të bandës së Durrësit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ardhur me ndihmën e të penduarit Adriatik Coli, i cili ishte pjesë e kësaj organizate kriminale për disa vite dhe për llogari të saj, ka kryer 8 vrasje. Gjatë seancës gjyqësore të radhës, i pandehuri që ka nënshkruar marrëveshjen me Prokurorinë dhe ka fituar statusin e të penduarit, Coli erdhi pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda i shoqëruar nën masa të rrepta të sigurisë, ku ishte i veshur me antiplumb dhe skafandër. Gjatë seancës së djeshme, Coli i veçuar nga të pandehurit e tjerë ruhej nga tre efektivë të forcave të sigurisë, të cilët kishin të vendosur në kokë maska. Ndërsa, pas shtyrjes së seancës i penduari është shoqëruar jashtë dyerve të gjykatës, me mjete të blinduara dhe nën vëzhgimin e rreptë të forcave të zyrës për Mbrojtjen e Dëshmitarëve të Drejtësisë. Adriatik Coli është vetëdorëzuar tek autoritetet shqiptare të drejtësisë, duke kërkuar mbrojtjen e tyre në këmbim të historive të njërës prej bandave më të përgjakshme në vend. Dëshmia e tij ka mundur të lidhë bashkë dhjetëra ngjarje të ndodhura në Durrës dhe në Tiranë, për të cilat policia nuk kishte dijeni më parë. Duke rënduar edhe situatën e tij ligjore, Coli ka rrëfyer 8 ekzekutimet e kryera nga banda e Durrësit si dhe krimet e tjera të urdhëruara fillimisht nga Lulzim Berisha, deri para ndarjes më dysh të bandës. I penduari Adriatik Coli nuk ka kursyer as përplasjet e mëdha në bandën që u nda në dy grupe rivale, për shkak të pazareve të drogës dhe armëve. Tashmë, Prokurorisë së Krimeve të Rënda i duhet të plotësojë dosjen hetimore edhe me prova të tjera,për të vërtetuar dëshminë e Adriatik Colit. F.Vezaj
TË ARRESTUAR
Adriatik (Dritan) Coli, lindur në Durrës më 14 mars 1971 dhe banues në Durrës, i penduari i bandës
Lulzim Berisha , lindur më 13 maj të vitit 1971 dhe banues në Durrës
Indrit Taullau, lindur më 11 prill të vitit 1975 dhe banues në Durrës
Endrit Dokle, 23 vjeç, lindur në Durrës dhe banues në Tiranë
Altin Olloni, lindur në Kukës, banues në Tiranë
Kujtim Buna, 27 vjeç, lindur në Kukës e banues në Tiranë
Sardjan Sulejmani, 20 vjeç, lindur e banues në Durrës
Alban Neli, lindur në Burrel më 1979, banues në Durrës
Spartak Kalthi, lindur në Burrel më 19 dhjetor të vitit 1988, banues në Burrel
Selman Heti, lindur në fshatin Koms Burrel, më 1983, dhe banues në Burrel
Altin Nikolla, lindur në Burrel më 17 mars të vitit 1983, dhe me banim në Durës
Edvin Hoxhosmani, lindur në Burrel më 14 qershor 1983, dhe banues në Burrel
NË KËRKIM NDËRKOMBËTAR
Plaurent Dervishaj, lindur më 2 dhjetor të vitit 1972, dhe banues në Durrës
Bujar Gashi, 36 vjeç, i lindur në Kukës dhe banues në Durrës,
Kristian Begu, 31 vjeç, i lindur në Manzë, Durrës dhe banues në lagjen “15”, Durrës
Osman Karpuzi, 29 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Sedllavë, Kosovë
Ahmet Ajeti, 24 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Magurë, të komunës Lipjan, në Kosovë