E Diel, 1 Nëntor 2026

Radhë të gjata për pasaportat biometrike

Radhë të gjata në sportelet e aplikimit për pasaporta biometrike. Shumica e të interesuarve për të aplikuar për to janë emigrantët të cilët, para se të kthehen për në vendin ku punojnë dhe jetojnë, shfrytëzojnë kohën për të kryer procedurat për pajisjen me pasaportat e reja. Shkak për krijimin e kaosit është mungesa e punonjësve të kësaj zyre. Për të përballuar fluksin ka vetëm një punonjëse, sepse operatorët e tjerë janë shpërndarë në disa komuna të tjera të Vlorës. Mësohet se prefekti i qarkut, Hasan Halili, i ka kërkuar firmës private që ka fituar tenderin e prodhimit të pasaportave dhe kartave të identitetit të shtojë punonjësit për të mos krijuar radhë të gjata, por kërkesa e prefektit nuk është marrë parasysh nga firma private. Ndërkohë, kjo e fundit nuk bën publike shkaqet e krijimit të këtij kaosi, si dhe sasinë e numrit të aplikimeve deri më tani. Ndërkohë, para sporteleve shumë emigrantë zënë radhët që në orët e mesnatës, për të mbaruar procedurat brenda ditës, por ka dhe nga ata që nuk mbarojnë punë dhe janë të detyruar të rizënë radhën ditën tjetër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›