Kthimi i gjyqtarëve në kufi, reagon Haxhinasto

Naum Disho gjate procesit Boboshtica ne Gjykaten e Korçes (majtas) Ministri i jashtem Haxhinasto
BRUKSEL- Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto ka pohuar se është komunikuar në mënyrë diplomatike më Greqinë, lidhur me skandalin e kthimit në kufi të gjyqtarëve e prokurorëve që dënuan kreun e OMONIA-s, Naum Disho.
Nga Brukseli, ku ndodhet për të marrë pjesë në Ministerialin e NATO-s, Haxhinasto është shprehur se me njohjen e problemit kanë filluar menjëherë veprimet respektive.
Dy ditë më parë gazeta Panorama denoncoi skandalin e rradhës në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Asnjë pikë kufitare me Greqinë nuk lejon kalimin në shtetin fqinj të gjyqtarëve të Shkallës së Parë, të Apelit apo prokurorëve të kësaj çështjeje. Një listë e zezë me emrat e tyre ndodhet në duart e kontrollorëve grekë prej vitit të shkuar, por ky fakt është nxjerrë në dritë vetëm pas bllokimeve që u janë bërë përfaqësuesve shqiptarë të Drejtësisë. Rrezik për rendin kushtetues të Greqisë, ka qenë argumenti i kufitarëve grekë, shkruan Panorama.
Të parët që janë përballur me këtë dënim për shkak të detyrës kanë qenë gjyqtarët, mes tyre vetë kryetarja e Gjykatës së Apelit të Korçës, Entela Prifti, gjyqtarja tjetër e Apelit, Brunilda Malo, si dhe përfaqësuesja e trupit gjykues në Shkallën e Parë të Korçës, Afërdita Maho.