E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kthimi i qytetarëve në kufi, presim shpjegime nga Greqia”

26-04-2012 / Gazeta 55

Reagimi i Ministrit të Jashtëm, Edmond Haxhinasto

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto u shpreh dje se pala shqiptare është në pritje të sqarimeve që do të japë Athina zyrtare për të reaguar mbi kthimin në pikën doganore të Kapshticës të gjyqtarëve që dënuan kreun e Omonias për qarkun e Korçës, Naum Disho. Ministri i Jashtëm, Haxhinasto, tha se incidenti po vlerësohet maksimalisht.
“Për sa i takon çështjes së kthimit të gjyqtarëve që është bërë tashmë publike dhe nga unë personalisht, ajo është në ndjekje nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Janë paraqitur pranë autoriteteve greke kërkesat tona për shpjegime përse ka ndodhur kjo dhe është premtuar prej tyre që do të na informojnë për sa i takon kësaj ngjarjeje. Me të marrë këtë informacion, ne do të marrim vendimin e duhur për sa i takon kësaj çështjeje”, u shpreh kryediplomati shqiptar.
Në detyrën e zëvendëskryetarit të LSI, Haxhinasto komentoi dhe tryezën e partive të vogla, lidhur me reformën zgjedhore. Ai tha se kjo tryezë, megjithëse e vonuar, është e rëndësishme si përpjekje për të amenduar kodin e ri zgjedhor.
“Partitë pjesëmarrëse, por veçanërisht edhe Lëvizja Socialiste për Integrim që unë përfaqësova në takim, e shprehën këtë koment të tyren, që ky aktivitet i një formati të tillë, duhet të ishte organizuar më parë, me qëllim krijimin e momentit politik, për të realizuar një reformë, e cila zbaton në mënyrën më të mirë të mundshme parimin e barazisë së votës. Mënyrat për ta realizuar këtë parim të barazisë së votës, mendoj se janë shumë të qarta nëpërmjet ndryshimit të sistemit drejt atij proporcional, (pashë se disa gazeta i kanë vënë të dyja variantet), ose nëpërmjet një korrektimi kombëtar i cili kërkon që një numër nga postet, ose nga 140 vendet e parlamentit, t’i dedikohen pikërisht atyre kutive të cilat nuk konvertohen në mandate deputetësh në kuadër kombëtar. Këtë ka kërkuar Lëvizja Socialiste për Integrim dhe mendoj se është një kërkesë shumë e drejtë, e cila me vullnetet përkatëse, në qoftë se ato ekzistojnë, mund të realizohet shumë shpejt, për të përfunduar diçka shumë të rëndësishme në kohë që është reforma zgjedhore, një kusht që tashmë është e qartë për të gjithë, për të avancuar me axhendën e integrimit të vendit në Bashkimin Europian”, tha Haxhinasto.
Këto deklarata kryediplomati shqiptar i bëri pasi takimit që pati me homologun gjeorgjian, Grigol Vashadze. Haxhinasto vlerësoi nivelin aktual të marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Gjeorgjisë dhe evidentoi punën e përbashkët për lëvizjen e lirë mes dy vendeve.
Në kuadër të bashkëpunimit dypalësh, Haxhinasto theksoi se ekziston një bazë solide që këto marrëdhënie të zhvillohen më tej. Ai nënvizoi plotësimin e kuadrit ligjor, ngritjen e komisionit të përbashkët ekonomik, dhe mbajtjen e forumeve të përbashkëta të biznesit. Më tej, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Haxhinasto vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet Shqipërisë dhe Gjeorgjisë në kuadër të organizmave ndërkombëtare si OKB etj. Ai po ashtu mbështeti angazhimin e Gjeorgjisë për plotësimin e aspiratës për një integrim të plotë në NATO.
Ministri Vashadze, pasi falënderoi ministrin Haxhinasto për gjithë mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë Gjeorgjisë për aspiratën e saj drejt anëtarësimit në NATO, ndau të njëjtin mendim mbi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit dypalësh me theks në fusha të tilla si energjetika, shkëmbimet tregtare, shkëmbimet kulturore dhe njerëzore.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›