Paskal Milo dorëzon draftin e propozimeve të reformës zgjedhore
Drafti i nënshkruar nga krerët e 26 partive parlamentare u depozitua në Kryesinë e Kuvendit
Kryetari i Partisë Demokracia Sociale Paskal Milo, ka depozituar pranë selisë së Kryesisë së Kuvendit paketën e propozimeve, në funksion të reformës zgjedhore. Drafti, i cili është nënshkruar nga krerët e 26 partive parlamentare dhe ato që nuk janë të përfaqësuara në Kuvend, është nënshkruar nga krerët e dy partive kryesore politike, kryeministri Sali Berisha dhe kryesocialisti Edi Rama.
Për Milon, firmat e tyre përbëjnë një mbështetje, se propozimet do të shqyrtohen me seriozitet nga komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore. “Fakti që u firmos nga Rama dhe Berisha është një fakt që propozimet tona do të shqyrtohen me seriozitet nga komisioni i reformës zgjedhore dhe shpresojmë që të japë një produkt serioz, që do të garantojë barazinë e votës dhe përfaqësimin e të gjitha forcave politike që do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, u shpreh Milo. Ai e ka cilësuar një zhvillim pozitiv të klasës politike bashkimin e firmave të të gjitha partive të spektrit të djathtë dhe të majtë, për sa i përket ndryshimeve në kodin elektoral. “I gjithë dokumenti përmbyllet me firmat e 26 partive. Ky është një lajm i mire, pasi për herë të parë 26 parti bien dakord për të ndërmarr një iniciativë politike që nga 1990-ta, jemi me shpresë që do të çojmë një kod zgjedhor jo vetëm të drejtë, por do të garantonte zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ky është një akt që duhet të ndërmerret edhe për vendime të tjera, që partitë duhet të marrin edhe çështje të tjera në të mirë të interesave kombëtare dhe në interes të integrimit europian”, deklaroi kreu i PDS-së, Paskal Milo.
Drafti propozon korrektimin kombëtar të sistemit zgjedhor, çka sipas kërkesës së vazhdueshme të partive të vogla do të bënte që të barazohej vota e qytetarëve shqiptarë. Elementi kryesor, pjesë e paketës së propozimeve, lidhet me korrektimin kombëtar të sistemit zgjedhor, vendosjen e pragut elektoral dhe përcaktimin e përfaqësimit në zgjedhje në koalicione politike.