Ambasadori Sequi: 2012-a, viti i gëzimit të shqiptarëve - të shërbejë edhe si viti i Integrimit

Ecuria e reformës zgjedhore dhe rishikimi i rregullores së Parlamentit, në axhendën e konsultimeve të takimit të radhës BE-Shqipëri
Takimi konsultativ i radhës Shqipëri – BE me përfaqësues të Komisionit Evropian, qeverisë e institucioneve shqiptare, parlamentit dhe opozitës nisi dje me shqyrtimin e detyrimeve të Planit të Veprimit mbi 12 rekomandimet e Komisionit Evropian përgjatë një muaji.
Në hapje të këtyre punimeve, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu bëri me dije se një takim i tillë ka si qëllim që të shohë ecurinë e Shqipërisë përkundrejt realizimit të rekomandimeve të BE-së.
“Sot do të shohim ecurinë dhe zhvillimet që kanë ndodhur përgjatë një muaji lidhur me zbatimin e Planit të Veprimit, që nga dorëzimi i këtij dokumenti më 21 mars. Besoj se do të marrim një vlerësim sa më realist të detyrimeve të plotësuara. Këto janë periudha të rëndësishme plot me aktivitete, të cilat përballin sfidat e qeverisë dhe të institucioneve shqiptare me detyrime që janë jo vetëm pjesë e planit të veprimit, por edhe me detyrime të tjera që sjell procesi I integrimit çdo ditë”, tha ministrja Bregu, e cila sqaroi se ky takim do të diskutojë 5 pikat e para të Planit të Veprimit që janë pjesë e kriterit politik, me fokus reformën zgjedhore dhe rishikimin e rregullores së parlamentit.
“Ashtu sikurse kemi premtuar në takimin e mëparshëm konsultativ, sot jemi mbledhur pas rreth një muaji për të parë sesa nga masat e parashikuara në periudhën mars- prill janë realizuar, nëse ka nevojë për shtyrje të mëtejshme, por edhe për të bërë edhe një rivlerësim tjetër të situatës lidhur me Planin e Veprimit. Dihet tashmë që ky është një dokument i hartuar me kontribut të të gjitha palëve, duke siguruar gjithë përfshirjen në të, të institucioneve shqiptare, ministrive të linjës, Komisionit Parlamentar të Integrimit, shoqërisë civile”, tha më tej ministrja Bregu, e cila bëri të ditur për mediat se gjatë këtyre ditëve ka përfunduar edhe hartimi nga pala shqiptare i inputit të parë të progres-raportit. “Për materialin e progres-raportit, besoj se ka një pritshmëri shumë të madhe, jo vetëm nga ana e Komisionit Europian, por edhe nga pala shqiptare, sikurse ambasadori Sequi e ka përsëritur, jemi ne që kemi në dorë kryerjen e detyrimeve tona, në mënyrë që të prodhojmë zhvillime sa më pozitive dhe lajme sa më të mira. Kështu do ta kemi më të lehtë t’i kërkojmë Komisionit Europian, vendeve anëtare, strukturave të Parlamentit Europian që të vlerësojnë këtë vit në shtator hapin tjetër për ecjen përpara të Shqipërisë, pra marrjen e statusit të vendit kandidat. Ne të gjithë besojmë që ky proces varet nga ne vetë, nga ecuria dhe zbatimi i detyrimeve që janë para nesh”, tha më tej ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu.
Ky takim konsultativ që do të vazhdojë edhe gjatë ditës së sotme, pason takimin e mëparshëm konsultativ të zhvilluar më 3 mars në Ministrinë e Integrimit dhe zhvillohet pas rreth një muaji nga dorëzimi i Planit të Veprimit të palës shqiptare pranë Komisionit Europian më 21 mars të këtij viti. Në këtë takim, përveç ministres Bregu dhe ambasadorit të delegacionit të KE-së, Sequi, ishin të pranishëm bashkëkryetari i Komisionit të reformës zgjedhore Damian Gjiknuri, përfaqësues i opozitës në Komision; bashkëkryetarët e Komisionit të reformës parlamentare Namik Dokle dhe Jemin Gjana, respektivisht përfaqësues i opozitës dhe mazhorancës në Komision; kryetari i Komisionit Parlamentar të Integrimit Ditmir Bushati, si dhe përfaqësuesit e delegacionit të Komisionit Europian i kryesuar nga Shefi i njësisë për Shqipërinë pranë drejtorisë së Zgjerimit të Komisionit Europian, Vassilis Maragos.
Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi
Nga ana e tij, ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi vuri në dukje faktin se tashmë është koha që të plotësohet marrëveshja politike, duke përfshirë përfundimin e reformës zgjedhore dhe atë të rregullores së Kuvendit. Ambasadori Sequi, duke cituar Komisionerin Fule tha se Shqipëria nuk duhet të humbasë më kohë, duhet të përdorë kapacitetet e saj të plota për të dhënë rezultate të rëndësishme në procesin e integrimit. “Është koha të plotësohet zbatimi i marrëveshjes politike të nëntorit, arritjet duhet të përfshijnë konkludimin e shpejtë të reformës elektorale dhe të rishikimit të rregullores së parlamentit, çka do të hapë rrugë për progres në fusha të tjera. Axhenda e BE-së duhet të jetë pjesë e axhendës kombëtare të integrimit, e ndarë mes qeverisë, opozitës, shoqërisë civile dhe çdo qytetari shqiptar, gjithashtu duhet të vazhdojë dialogu gjithëpërfshirës dhe konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës”, tha ambasadori Sequi, i cili dha opinionin e tij edhe për materialin e raportit të progresit të hartuar nga pala shqiptare, raport ky që sipas tij nxjerr në pah shume arritje dhe progres.
Duke e vlerësuar si mjaft të rëndësishëm takimin konsultativ, ambasadori Sequi tha se “konsultimi vjen në kohën e duhur, sepse bëhet para vizitës së Komisionerit Fule në Tiranë më 3 maj, dhe para mbledhjes së Këshillit të Stabilizim Asociimit më 15 maj”. “Ky konsultim duhet të shënojë arritjet e deritanishme të planifikuara deri në fund të prillit; është e rëndësishme të evidentohen rezultate dhe të tregohet që gjerat po ecin në drejtimin e duhur. Megjithatë, duhet shumë për të bërë, derisa Komisioni të paraqesë progres-raportin në vjeshtën e këtij viti”, tha Sequi.
“Viti 2012 mund dhe duhet të jetë, viti i mundësive për Shqipërinë në lidhje me rrugën e saj drejt BE-së. Ne jemi këtu për t’ju mbështetur, por progresi varet tërësisht nga Shqipëria, nga vullneti i mirë i gjithsecilit. Ne shpresojmë dhe besojmë, ashtu sikurse është shprehur dhe ministrja Bregu që ky të jetë një vit gëzimi për Shqipërinë, por që të arrihet kjo, kërkohet një angazhim i fortë, serioz, vendosmëri e sinqertë dhe bashkëpunim i plotë”, përfundoi fjalën e tij ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë Ettore Sequi. Dy ditë më parë, një tjetër lajm pozitiv erdhi nga BE kur eurodepiteti Elmar Brok theksoi se Shqipëria ka shanse të marrë brenda këtij vitit statusin e vendit kandidat, procesi i cili nëse do të ndodhë pritet të realizohet në vjeshtën e këtij viti.