Sequi: Zgjedhja e Presidentit, të shërbejë si proces kushtetues dhe gjithëpërfshirës

Shefi i delegacionit të Komisioni Evropian në Tiranë, Ettore Sequi kërkoi nga klasa politike që të zhvillojë një proces gjithëpërfshirës lidhur me zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Ambasadori i BE-së bëri thirrje që Kreu i ri i shtetit të zgjidhet sipas Kushtetutës. “Presidenti duhet të zgjidhet sipas Kushtetutës. Besoj që forcat politike do të marrin një vendim për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit sipas një mënyrë konsensuale. Kam besim se Presidenti do të zgjidhet në mënyrë gjithëpërfshirëse”, u shpreh Sequi.
Ambasadori i BE-së është përgjigjur edhe në lidhje me marrjen e statusit kandidat të Shqipërisë për në Bashkimin Europian.
“Për sa i përket statusit të vendit kandidat, mendoj se ky është një proces i bazuar mbi meritën dhe ne jemi këtu për të ndihmuar, por është në dorën e shqiptarëve të bëjnë gjithçka është e nevojshme për të fituar statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian, duke filluar me zbatimin e prioriteteve kryesore. Unë shpresoj për këtë, por është përgjegjësia dhe detyra juaj”, tha Sequi.
Deklarata e Ambasadorit Sequi i paraprin vizitës së një delegacioni të Këshillit të Europës, i cili mbërrin të premten në Tiranë dhe do të mbledhë në një tryezë të djathtët e të majtët për çështjen e korrupsionit dhe heqjes së imunitetit të zyrtarëve të lartë