Kthimi i vëmendjes drejt arsimit
Në një shkrim influencial te prestigjiozja "New York Times", analisti dhe intelektuali i mirënjohur, Nikolas Kristof, bënte një analizë të statistikave që nxirrnin hebrenjtë aziatikët dhe afro-karaibeanët amerikanë si grupet me përqindjen më të lartë të viteve të shkollimit dhe nivelin më të lartë të edukimit në përgjithësi.
Bazuar te libri i Ricard Nisbett, "Inteligjenca dhe sesi arrihet", ku autori psikolog, pas testeve të kryera arrin në përfundimin se nuk është gjenetika qe përcakton shkallën e inteligjencës, Kristofi nxjerr konkluzionin që veçoria e grupeve të sipërpërmendura konsiston në faktin që këto grupe insistojnë dhe i japin më tepër rëndësi dhe dedikim procesit edukues. Jo rastësisht edhe rezultatet i kanë më të larta.
Harold O`Levy, në një shkrim të tijin mbi disa nga mënyrat sesi mund të ndërhyhet në sistemin arsimor amerikan për ta bërë akoma më solid dhe në gjendje të përballojë sfidat e shekullit 21-të, thekson ndër të tjera, rritjen e arsimit të detyrueshëm nga 16 apo 17 vite që është, sot në të paktën 19.
Nëse kostoja përballohet nga shteti direkt apo indirekt, rezultatet do ishin shpërblyese në një të afërme jo të largët. Studime të ndryshme në Shtetet e Bashkuara kanë treguar se ata që kanë shkollë të mesme kanë jetëgjatësi më të madhe, të ardhura më të mira dhe shëndet më të plotë se ata pa shkollë apo veç me edukim elementar. E njëjta gjë vlen të theksohet për ata me kolegj dhe universitet në krahasim me ata vetëm me shkollë të mesme dhe kështu me radhë.
Po ashtu, shqetësuese janë edhe mungesat, të cilat më vonë shpesh sjellin braktisje shkolle nga ana e të rinjve, mungesën e reklamimit kreativ të beneficeve që sjell shkolla e lartë dhe çfarë kushtesh praktike të ofron secila për të bërë diferencimin përkatës mes tyre, apo mungesën e njohurive të marra në shkollimin parauniversitar, i cili sa vjen dhe po bëhet më i paplotë për sa i përket formimit të studentit kandidat përpara se të ulet në bankat e universitetit. Lidhur mesa më sipër, dhe duke ju referuar autorëve të përmendur, mund të heqim disa paralele të trasha me gjendjen e sistemit arsimor në Shqipëri.
Nga njëra anë, sipas statistikave, del se jemi shumë më mbrapa mesatares evropiane në përqindjen e popullsisë që vazhdon shkollimin e lartë. Nëse mesatarja e vendeve të BE-së i afrohet 40 përqindëshit, ne jemi të paktën 4 herë poshtë kësaj bazuar te numri i përgjithshëm i studentëve.
Në fakt, këto janë vetëm gjeneralizime, të cilat me 'kërpudhëzimin' e universiteteve private në Shqipëri dhe reklamimin shpesh agresiv, ku pjesa më e madhe, përfshirë universitetet publike janë shumë nën nivel dhe standardet ndërkombëtare, kanë bërë të mundur, për mirë apo për keq, që një shumicë absolute e atyre me vullnet dhe mundësi financiare për të vazhduar më tej, ta kenë mundësinë për ta bërë këtë gjë.
Problemin kryesor personalisht e shoh te arsimimi i paplotë, madje i çalë, për të qenë më i saktë, në sistemin shkollor parauniversitar, ku në sistemin bazë, nxënësi shqiptar merr rreth 2 000 orë më pak nga korrespondenti i tij në Evropë.
Apo niveli mediokër që shfaqet për shembull në provimet e maturës shtetërore, ku, duke ju referuar disa shifrave që sillte P. Karameta në një shkrim te "Shekulli" i paradokohe, nota mesatare në biologji vitin e kaluar nuk e kalonte 5.9, ku 30% e nxënësve ishin mbetës; apo fizika, ku nota mesatare 6.6 me 25% e nxënësve mbetës dhe kimia, ku nota mesatare 6.4 me 20% mbetës.
Shifra këto vërtetë depresuese dhe kur krahasohen dhe me faktin që pesë herë më pak studentë se mesatarja e studentëve evropianë ndjekin shkolla profesionale apo me mungesën e dëshirës së shumicës absolute të studentëve prospektivë për të vijuar studimet e larta në shkencat ekzakte, ku vakuumi është shumë i madh dhe kërkesa e lartë, atëherë një analizë më e thellë e shkaqeve është vërtetë e paevitueshme dhe e domosdoshme.
Kjo natyrisht duhet ndjekur me politikat adekuate publike, rritjen në infrastrukturën arsimore dhe përpara se të arrihet te demagogjia e bërjes realitet të 'moshës së internetit', të arrihen kushtet minimale të shkollimit që garantojnë një formim të plotë të përgjithshëm dhe hapin perspektiva konkurruese për këtë brez të ri që do jetë elita e së nesërmes.
Shkollat e mesme të përgjithshme, por edhe ato pak profesionale, dikur kanë nxjerrë fitues ndërkombëtarë olimpiadash, shqiptarë që kanë shkëlqyer kudo në botë ku kanë ndjekur studimet e larta. Kjo si rrjedhojë e seriozitetit me të cilin punohej në shkollat tetëvjeçare dhe të mesme dhe ku fiktiviteti i notës ishte më tepër përjashtimor se normë.
E kundërta duket se ekziston tani, ku sistemi parashkollor po i shpëton kontrollit të shtetit, akreditimi dhe kontrollet rutinë duket se janë kthyer në përralla të së kaluarës dhe është vështirë të dallosh në këto katakombe, dhe të besh diferencime se cilat institucione, bazuar në racionalitetin kosto/benefite, të sjellin edukimin më të mirë të fëmijës dhe që e justifikojnë investimin disavjeçar, shpesh të kryer me sakrifica të mëdha nga ana e prindërve.
Si përfundim, doja t`i rikthehesha Kristofit që përmendëm në fillim, ku ai vë theksin mbi faktin që 1/3 e çmimeve Nobël të fituara nga amerikanët, u përket amerikano-hebrenjve, apo që aziatiko-amerikanët përbëjnë tashmë 20 për qind të Harvardit dhe janë, sipas sondazheve të ndryshëm, si grupimi social me mesataren e rezultateve më të larta në sistemin parauniversitar apo të amerikanëve me prejardhje afro-karaibeane, si Kolin Powell që sipas rezultateve, rreshtohen në 25 përqindçshin e më të dalluarve ndër afro-amerikanët në përgjithësi në SHBA.
Jo se këto grupime kanë avantazh gjenetik apo çfarëdolloj miti apo teorish konspirative që mund të vijë ndër mend. Studimet shkencore i kanë hedhur poshtë qartazi këto hipoteza. I vetmi argument që qëndron është persistenca, të punuarit fort dhe disiplina, të kombinuara me trashëgiminë e vlerave edukuese që ka sjellë këtë sukses.
Te kjo e fundit mjafton të përmendim faktin e rëndësisë që ka patur dhe vazhdon të ketë procesi i edukimit në histori te hebrenjtë apo aziatikët, të cilat i gjejmë që mijëvjeçarë më parë te akademitë e Babilonit apo mësimet e Konfucit.
Shqiptarët, megjithëse e kanë filluar shumë më vonë procesin e shkollimit se homologët e tyre evropianë (mjafton të kujtojmë këtu që shkolla e parë shqipe u hap vetëm në 1887-ën), kanë shfaqur gjithnjë një dëshirë dhe entuziazëm të jashtëzakonshëm për sa i përket formimit intelektual.
Kjo duket qartë si në faktin se zor që gjen një shqiptar sot që mos të dijë të paktën 1 apo 2 gjuhë të tjera përveç gjuhës amtare dhe deri te fakti që shumica e prindërve, qofshin dhe vetë pa shkollimin përkatës, janë gati të bëjnë çdolloj sakrifice që ta shohin fëmijën e tyre me një diplomë në xhep.
Ky pasion për të nxënit nuk duhet të neglizhohet nga ai që ka rolin e 'qenit roje' në shoqëri dhe që është shteti, i cili nëpërmjet rritjes së kontrollit, procedurave akredituese, rritjes së fondit në buxhetin e përgjithshëm për arsimin dhe mjeteve të tjera direkte dhe indirekte, mund të bëhet promotor i zhvillimit të këtij investimi, që gjithnjë ta kthen investimin shumëfish dhe vlera e të cilit nuk humbet asnjëherë.