E Diel, 1 Nëntor 2026

Gripi i derrave, asnjë të dyshuar mbi moshën 50 vjeç

 

etleva delia

Asnjë rast i dyshuar apo i konfirmuar për gripin e derrave nuk është mbi 50 vjeç. Fakti i bërë publik nga Instituti i Shëndetit Publik mund të konsiderohet lajm i mirë. Kjo pasi janë të sëmurët kronikë, pjesa më e madhe rreth kësaj moshe, ata që kanë prirje më të lartë për të pasur komplikacione të gripit. Të rinjtë mund t’ia hedhin më lehtë. Në fakt grupmosha nga 15-44 vjeç ka regjistruar numrin më të lartë të monstrave. Sakaq për 5 rastet që pritet t’i shtohen listës zyrtare të të infektuarve, 3 prej tyre kanë ardhur nga jashtë vendit, ndërsa 2 të tjerë nuk kanë lidhje epidemiologjike me sëmundjen. Përgjigjet për ta nga laboratorët e Rumanisë pritet të mbërrijnë pas dy ditësh. Deri tani, numri i monstrave të analizuara ka arritur në 193, pjesa më e madhe nga spitali infektiv i kryeqytetit. ”Aktualisht në laboratorin e ISHP po analizohen 30 monstra çdo javë. Në të identifikohet tipi i virusit, nga i cili është prekur pacienti brenda dy orësh. Më pas kryhet kultura në linja qelizore, ku izolohet virusi dhe kjo procedurë zgjat 24-72 orë. Më tej konfirmimi i nëntipit të virusit kryhet pranë laboratorit të referencës në Bukuresht, ku dërgohen monstrat e dyshuara”, bën me dije Ministria e Shëndetësisë.
Tamifluja e skaduar
Po dje analizat verifikuan se 3 mijë vaksina, të cilat gjendeshin stok në magazinat e institucioneve shëndetësore, nuk mund të përdoren më. Ato kanë humbur tërësisht efektshmërinë dhe janë të skaduara. Konfirmimin e dhanë analizat e disa kampioneve të kryer enkas për të vlerësuar vlefshmërinë e produkteve, të ruajtura në magazina për më shumë se dy vjet, që nga shfaqja e gripit të shpendëve, AH5N1. Për të vërtetuar nëse këto vaksina, ishin të vlefshme apo jo, Ministria e Shëndetësisë nxori udhëzimin për kryerjen e analizave të specializuara për to. Pas ekzaminimit rezulton se këto medikamente kanë humbur pjesën më të madhe të efeteve. Por në shkresën zyrtare askush nuk ka sqaruar konkretisht nëse mund të përdoren apo jo. Është dhënë shpjegimi, se vaksinat kanë humbur vetinë, por konkretisht nuk është saktësuar asgjë për eliminimin e tyre apo gjetjen e vendit për përdorime të tjera alternative.
Vaksina antigrip
Vetëm 10% e popullsisë në vendin tonë do të mund të marrë falas vaksinën. Në këtë grup do të futen gratë shtatzëna, fëmijët, punonjësit e shëndetësisë, si dhe zyrtarët. Numri i vaksinave të porositura është 300 mijë. Krahasuar me vendet e tjera, masa e mbulimit me të është në nivele tepër të ulta. Ndërkohë vetëm disa ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë, Anila Godo deklaroi se po bëheshin tratativa për të siguruar dozat përkatëse për më shumë se 40% të popullsisë.  Pjesa tjetër i duhet ta sigurojë vetë medikamentin. Kostoja e saj, edhe pse ende nuk ka dalë në treg, mendohet të shkojë deri në 15 euro. Për më shumë se 1 vit, vendi ynë do të shënojë çdo ditë raste të infektuarish me gripin e derrave. Por se sa do të zgjasë në të vërtetë pandemia, këtë specialistët e kanë të vështirë ta thonë. Gjithsesi, OBSH-ja ka paralajmëruar se 1 ndër 5 vetë mund të preket nga gripi, një pjesë e mirë e tyre nuk do të shfaqin komplikacione.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›