E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshim i zbehtë

Mentor Nazarko 

Asambleja e jashtëzakonshme e Partisë Socialiste kaloi në një farë mënyre iniciativën politike dhe mediatike tek e majta, pas ditëve të mbushura me inaugurime postelektorale apo me mbledhje KRRTRSH-je. Ajo e shmangu për pak kohë presionin e ushtruar nga shumë faktorë të jashtëm dhe të brendshëm për dorëheqjen e kreut të PS-së, Rama, si kapaku i artë për cilësinë e zgjedhjeve parlamentare të 2009-ë. Por ky forum solli dhe disa mesazhe të tjera në opinionin publik, të cilët meritojnë vëmendje dhe analizë. Duhet thënë që në krye të herës: Partia Socialiste me gjithë njëlloj censure të vënë re në aktivitetin e djeshëm, mbetet partia më demokratike e vendit. Ndjeshmëritë e ndryshme politike, grupet apo klanet e saj, funksionuan në forma normale demokratike, me rezoluta, me debat parimor, diçka e paimagjinueshme për Partinë Demokratike. Me njëlloj vonese kjo parti, po rishfaq vitalitetin e vet. Dhe le të merremi pak me përmbajtjen e debatit të djeshëm në forumin socialist: sa i kontribuoi ai ndryshimit cilësor që pritet brenda PS-së, vitaliteti i së cilës, është jetik dhe për fatet e demokracisë në Shqipëri.
Për vëzhguesit e pavëmendshëm, pavarësisht punës që kryejnë tërë ditën e ditës, dy rezolutat e paraqitura dje në Asamblenë e jashtëzakonshme të PS-së nuk kishin ndryshime thelbësore. Një përfundim i tillë i përciptë, i bën kështu të padobishme diskutimet dhe divergjencat e shprehura në to, midis atyre që quhen mbështetës të kryetarit Rama dhe rivalëve të tij. E vërteta është ndryshe. Diferenca thelbësore midis këtyre dy grupimeve në gjykimet mbi zgjedhjet dhe rezultatin e PS-së në to, përkundrazi ishte e qartë. Ato vërtet kishin një pyetje të përbashkët: PS-ja humbi për faj të vet apo pse u manipuluan zgjedhjet, por ama dy rezolutat i dhanë asaj përgjigje të ndryshme. Sipas zotit Rama dhe mbështetësve të tij, zgjedhjet u manipuluan, prandaj PS-ja nuk fitoi. Ndërkohë sipas kundërshtarëve të tij, PS-ja humbi për shkak të udhëheqjes së gabuar të zotit Rama. Me njëlloj presioni, grupi anti Rama pranoi se edhe janë kryer manipulime, por ama fajin kryesor e ka kryetari, i cili ka kryer një sërë gabimesh të rënda. Një divergjencë e tillë, pra kush e ka përcaktuar humbjen e PS-së, manipulimet apo performanca e kryetarit, nuk është e parëndësishme për fatin e Ramës në krye të PS-së. Nëse pranohet se zgjedhjet janë manipuluar në shkallë të tillë sa kanë përcaktuar rezultatin, atëherë Ramës i krijohet bazamenti moral për të qëndruar. Ndërkohë rivalët e Ramës nuk mund ta shmangin përfundimin tjetër se në përpjekje për t’i hequr këtë bazament Ramës, i japin një dorë Berishës: legjitimojnë zgjedhjet, mënyrën si janë zhvilluar ato. Kjo vërtet duket diçka e çuditshme sakohë që vëzhguesit ndërkombëtarë i kanë bërë copë këto zgjedhje, duke shtyrë dhënien e raportit për to, shqyrtimin e kërkesës për anëtarësim të Shqipërisë në BE dhe duke shtyrë një sërë vizitash të planifikuara për në vendin tonë, ftohtësia në urimet e ndërkombëtarëve për fituesit etj. Mund të duket paradoksale, por të gjitha palët kanë pjesërisht të drejtë, ndërsa pozicioni më i drejtë do të ishte ndoshta ai që i bashkonte dy rrymat. Fakti se zgjedhjet nuk patën manipulime të dukshme për vëzhguesit jo vetëm mediatikë të tyre, nuk do të thotë se ato nuk kanë ekzistuar. Sofistikimi i vjedhësve profesionistë të votave nuk duhet të na kënaqë në 2009-ën, kur Shqipëria është anëtare e NATO-s. Ka shumë indikacione serioze se këto zgjedhje janë manipuluar seriozisht: vëzhguesit e huaj, komisionerë, juristë të ndryshëm të angazhuar në institucionet zgjedhore, ashtu si dhe një sërë veprimesh të ngutshme të Berishës për të krijuar një bazament presioni mbi komisionerët dhe institucionet zgjedhore nëpërmjet arritjes së një marrëveshje të ngutshme me LSI-në për të krijuar qeverinë e re.
Në favor të rivalëve të Ramës ka disa argumente. A nuk u zotua kreu i PS-së se do të garantonte votën e shqiptarëve dhe se askush nuk do ta prekte atë votë? Çfarë përgjegjësish ka kryetari i PS-së për mosruajtjen e votës së shqiptarëve? Por jo vetëm kaq. Nuk ka asnjë dyshim se në rezultatin e PS-së, pavarësisht shkallës së manipulimit dhe sofistikimit të tij, ka përgjegjësi të drejtimit të saj nga zoti Rama. Por ama nuk ka përgjegjësi vetëm të Ramës. Forumet udhëheqëse të PS-së nuk korrigjuan asgjë prej këtyre gabimeve të tij gjatë 4 vjetëve, as në pikëpamje të programit, as të zgjedhjes së njerëzve, as të mënyrës së kryerjes së fushatës etj., etj. Rivalët e tij ishin pjesë e rëndësishme e gabimeve të Ramës në këto katër vjet politikë të re dhe ndoshta ideja e Artan Lames për dorëheqje të kryesisë ishte më racionalja.
Ndërkohë përtej analizës së performancës së udhëheqjes së PS-së me Ramën në krye, që u shty për në kongres, ajo që është mjaft e rëndësishme për fatet e vendit, jo thjesht të PS-së si forca më e madhe e opozitës është mënyra sesi kjo parti do ta trajtojë çështjen e udhëheqjes dhe kursit të saj politik në të ardhmen. Me Ramën apo pa Ramën, PS-ja duhet të bëjë ndryshime të mëdha në të gjithë planet. Vështirë se një PS e udhëhequr nga Rama mund të fitojë nëse nuk korrigjon gabimet e rënda të vëna re në pikëpamje konceptuale, të aleancave, të hartimit të listave, të afrimit të figurave reale të kësaj partie. Pa një autokritikë të fortë të kreut të PS-së, populli i majtë, apo i pakënaqur me rezultatin e zgjedhjeve, nuk do të marrë mesazhin e ndryshimit. Për më shumë që detyra përballë PS-së është akoma më e vështirë duke filluar që në zgjedhjet e ardhshme lokale: kundër saj do të jenë në aleancë dy parti të forta si PD-ja dhe LSI-ja. Nga ana tjetër, nëse nuk konfirmohet Rama, por PS-ja do të zgjedhë drejtues të ri, a e garanton ai mbajtjen të bashkuar të PS-së, veçanërisht nëse kjo ardhje e tij në krye të PS-së do të jetë me përplasje? A rrezikon PS-ja fatin e së majtës italiane, diçka lehtësisht e imagjinueshme sa kohë që midis këtyre forcave politike, individualiteteve kryesore të tyre ka shumë ngjashmëri?
Dy rezolutat dhe debati që ato prodhuan nuk na dhanë të kuptonim shumë për mënyrën sesi PS-ja do të ndryshojë për t’u bërë më e fortë. Ndryshimi që nisi nga dje, megjithëse duhet konsideruar si dëshmi vitaliteti duket shumë i zbehtë për të nxjerrë përfundime shterruese, dhe duhet të presim kongresin e gushtit për të kuptuar më shumë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›