E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ku dallon autostrada e Shqipërisë nga ajo e Kosovës

Statistikat Autostrada e Kosovës

Projekti i marrë përsipër nga “Bechtel-Enka” në Kosovë synon të ndërtojë 89 kilometra autostradë me gjerësi 28 metra dhe me një hapësirë të gjelbër prej 3-4 metrash në të dyja krahët. Projekti përfshin 22 ura, 61 nënkalime apo mbikalime dhe 9 nyje rrethore. Do të kryhen 20 milionë metra kub gërmime, 13 milionë metra kub mbushje, 200 mijë metra linearë tubo drenazhimi, 265 mijë metra kub derdhje betoni dhe mbi 1 milion tonë asfalt. Puna parashikohet të përfundojë brenda 42 muajsh dhe në rast se çdo gjë do të shkojë mirë, rruga do të jetë e hapur për trafikun në shtator 2013. Qeveria e Kosovës ka deklaruar se ka 120 milionë euro në gjendje për të financuar segmentin e parë të rrugës dhe se ka të drejtë të tërhiqet nga kontrata në rast se nuk siguron para të tjera. Rruga është përgjithësisht në terren fushor, por Prishtina zyrtare ende nuk ka vendosur nëse do të devijojë rrugën apo do të hapë tunele.

Autostrada e Shqipërisë

Me gjatësi 61 kilometra, autostrada shqiptare nga Rrësheni për në Kalimash është dydrejtimëshe, ku secili prej drejtimet ka dy karexhata me gjerësi 3.75 metra secila, si dhe një korsi emergjence prej 2 metrash. Punimet e kryera përfshijnë 21 milionë metra kub gërmime, 8.5 milionë metra kub mbushje, 0.6 milionë metra kub beton, 1 milion ton nënbazë dhe bazë e trajtuar me çimento, si dhe 0.45 milionë ton asfalt. Në punime përfshihen edhe dy tunele me nga 5.5 kilometra secili në një terren shumë të thyer dhe sfidues mes maleve të larta. çmimi fillestar i kontratës ishte 418 milionë euro, ndërsa deri në mars të këtij viti projekti ka kushtuar 820 milionë euro pa llogaritur interesat e kredive që janë marrë për të paguar ndërtimin. Qeveria shqiptare ka marrë 430 milionë euro kredi në valutë dhe disa dhjetëra miliardë lekë borxhe në tregun e brendshëm për të financuar rrugën e kombit.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›