Aksidentet, pesë persona të plagosur në Korçë
KORÇË - Tri aksidente të njëpasnjëshme, me pasojë plagosjen rëndë të 5 personave, kanë ndodhur paraditen e djeshme në Korçë. Midis të plagosurve është edhe një fëmijë 3 vjeç. Aksidenti i parë ka ndodhur në Unazën e qytetit, nga një mjet tip xhip, i cili drejtohej nga një shtetas amerikan, drejtues i një sekti fetar, Kevi Danjel. Ky i fundit ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka përplasur nënën 25-vjeçare, Brunilda Beshiri, bashkë me të birin vetëm 3 vjeç, gjatë kohës që tentonin të kalonin rrugën. 25-vjeçarja dhe fëmija i saj janë transportuar drejt Tiranës për shkak të plagëve të rënda që kanë marrë.
Ndërkohë, 2 aksidentet e tjera kanë ndodhur në aksin rrugor Korçë-Pogradec, ku në afërsi të fshatit Symiz, një mikrobus me targa të Pogradecit, PG 8515 B, ka përplasur një biçikletë, e cila drejtohej nga 50-vjeçari Salltem Balollari, i cili ka marrë dëmtime të rënda në kokë dhe ndodhet në Spitalin e Korçës. Aksidenti i trete është shënuar në kthesën e Maliqit, ku një mjet tip “Benz” me targa të Ersekës, që drejtohej nga 25-vjeçari Ferit Cenko, ka përplasur një motor ku kanë mbetur të plagosur rëndë Romeo dhe Irini Kuke, 61 dhe 56 vjeç, ndërsa janë transportuar në spitalin rajonal. Policia ka ndaluar drejtuesit e mjeteve dhe është duke kryer hetimet për ngjarjen.
Përplasen dy makina, merr flakë njëra, plagoset shoferi
Tiranë - Një aksident automobilistik me pasojë plagosjen rëndë të një shtetasi ka ndodhur pasditen e djeshme në rrethrrotullimin e Saukut në Tiranë. Një shofere e re, femër, me një pasagjer në makinë, ka humbur kontrollin e makinës së saj duke përplasur 3 kalimtarë të tjerë e duke u përplasur më tej në një mur. Mësohet se dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën teksa kalonin rrethrrotullimin në Sauk, në hyrje të Tiranës. Si pasojë, një prej makinave, një “Peugeot” me targa TR 9178 K, ka marrë flakë. Persona të rastit kanë ndërhyrë dhe kanë ndihmuar të dalë prej kabinës së makinës drejtuesin e automjetit. I plagosuri, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, u dërgua me urgjencë në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku ka marrë ndihmën e nevojshme. Policia po heton shkaqet që çuan në këtë aksident.
Aksionet e rrugorëve, bllokohen makina e motorë
TIRANË - Aksion kundër mjeteve pa dokumente në Shkodër dhe Dibër. Burime zyrtare nga Policia e Shkodrës kanë bërë të ditur se, në bashkëpunim me Njësinë Rajonale të Policisë Rrugore dhe Policinë Bashkiake, ka organizuar punën, me qëllim rregullimin e qarkullimit rrugor në qytet. Si rezultat i kontrolleve të shumta, gjatë një jave, nga data 5 korrik deri më 12 korrik 2010, është bërë i mundur bllokimi i 48 motoçikletave, si dhe janë dhënë gjithsej 715 masa administrative, me vlerë 485 000 lekë.
Ndërsa në Dibër, njësia rajonale e Policisë së Qarkullimit Rrugor, gjatë kontrolleve të ushtruara gjatë javës së kaluar, ka bllokuar 16 automjete të tipave të ndryshëm. Kështu, ndarë sipas rretheve, ka rezultuar se në Dibër janë bllokuar 7 mjete, në Bulqizë 6 mjete dhe në Mat 3 mjete. Në këtë qark ka një numër shumë të madh të mjeteve me targa të huaja, kryesisht britanike.
Kërkohej nga Interpol Zvicra, arrestohet kosovari
DURRËS - Arrestohet një kosovar në Portin e Durrësit, pasi ishte shpallur në kërkim në Zvicër për vjedhje me dhunë. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit thanë se, ditën e djeshme është bërë arrestimi në flagrancë i Berat Berishës, 26 vjeç, lindur në Vushtri, Kosovë dhe banues në fshatin Shtitarice, komuna Vushtri, me shtetësi kosovare, me gjendje civile beqar, me arsim të mesëm. Arrestimi i tij është bërë pasi gjatë përpunimit të personave të ardhur në Portin e Durrësit me një nga tragetet e linjës Trieste-Durrës, rezultoi se ky person, më datë 10 qershor 2009, ishte shpallur në kërkim nga Interpoli zvicerian për veprën penale të “vjedhjes me dhunë”. Nga policia janë kryer veprimet e nevojshme procedurale dhe materialet i kanë kaluar për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.
“Detyrim paraqitjeje” për kryeplakun dhe specialistin e pyjeve
GJIROKASTËR - Gjykata e Gjirokastrës ka dhënë ditën e djeshme masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” për kryeplakun e fshatit Peshtash në Tepelenë dhe specialistit të pyjeve Novruz Hysi, të akuzuar për moskallëzim të kultivimit të lëndëve narkotike. Katër ditë më parë, pas aksionit të kryer nga policia e Tepelenës në fshatin Peshtash, ka rezultuar se ishin hapur rishtas dy parecela, të cilat ishin mbjellë në rrënjë Cannabis sativa. Nga policia u bë i mundur sekuestrimi dhe shkatërrimi i 152 rrënjëve Cannabis. Këto parcela i përkitnin shtetasit Edmond Malo, i cili tashmë është shpallur në kërkim nga Drejtoria e Policisë së qarkut Gjirokastër.
Trafiku i fëmijëve, arrestohet i riu beratas
TIRANË - Një i kërkuar për trafik të miturish është vënë në pranga në kryeqytet. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës bënë të ditur se, mesditën e djeshme, specialistët e Seksionit Kundër Trafiqeve të Paligjshme bënë të mundur ekzekutimin e urdhrit të ndalimit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasit Ermal Niko Çani, 24 vjeç, banues në fshatin Vodicë, Berat. Urdhri i ndalimit është lëshuar nga Prokuroria e Tiranës pranë Prokurorisë për Krime të Rënda, pasi ky person është i dyshuar për veprën penale të “trafikimit të të miturve”. Materialet i kanë kaluar Prokurorisë për Krimet e Rënda.
14 Korrik 2010