E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsion me lejet e të dënuarve, në pranga tre zyrtarët e burgut



Artan CENA
KAVAJË - Tre zyrtare të Burgut të Rrogozhinës, mes tyre dhe vetë drejtori, kanë rënë në pranga, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Burime zyrtare të Prokurorisë bëjnë me dije se drejtori i Burgut të Rrogozhinës, Pajtim Murrja dhe dy specialistë të edukimit, punonjës të këtij burgu, Denis Tosku dhe Ismail Çumani, akuzohen për korrupsion dhe shpërdorim detyre pasi në bashkëpunim me njëri -tjetrin kanë arritur të përfitojnë shuma parash në këmbim të favoreve të jashtëligjshme për disa të dënuar. Siç është sqaruar dhe nga Policia e Shtetit, personi i shpallur në kërkim, Fatos Gosa, pronar i një lokali afër burgu, ishte ai që ndërmjetësonte mes familjarëve dhe drejtuesve të burgut për lejet. Policia tha se arrestimet e personave të mësipërm janë bërë gjatë operacionin të koduar “Liri e kushtëzuar”.
Hetimet
Hetimet rreth këtij fenomeni kanë nisur që në muajin mars të këtij viti nga Njësia Task–Forcë në Prokurorinë e Durrësit, ndërsa procedimi penal u regjistrua mbi bazën e referimit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Ministrisë së Drejtësisë. Pas gati 4 muajsh përgjime dhe vëzhgime ambientale është arritur të provohet korrupsioni dhe shpërdorimi i detyrës së këtyre zyrtarëve. Të tre funksionarët e burgut kanë bashkëpunuar dhe me një shtetas tjetër, i cili luante rolin e ndërmjetësit të jashtëm në dhënien e lejeve shpërblyese dhe të veçanta për të dënuarit. Ndërmjetësi Fatos Gosa, me pronësi një lokal në Peqin, arrinte të krijonte lidhjet në këtë ambient mes të afërmve të të burgosurve dhe zyrtarëve e drejtuesit të burgut për përfitime lejesh me kusht. Gosa është shpallur në kërkim, ndërsa po punohet për zbardhjen e plotë të funksionimit të kësaj skeme korruptive.
Akuzat
Tre të arrestuarit dhe i shpalluri në kërkim akuzohen për konsumim të veprave penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” si dhe “shpërdorimit të detyrës”, të kryera në bashkëpunim. Sipas Policisë së Shtetit, ndaj shtetasve Pajtim Murrja, Ismail Çumani dhe Denis Tosku është bërë ekzekutimi i vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, e cila ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për ta. Dosja me materialet në ngarkim të këtyre tre të arrestuarve i kanë kaluar Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Kavajë për ndjekje të mëtejshme, ndërkohë që vazhdojnë hetimet për përfshirjen e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.

Të arrestuarit
Pajtim Murrja, 39 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë drejtor i Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale Rrogozhinë
Ismail Çumani, 50 vjeç, banues në Golem të Kavajës, me detyrë specialist i Sektorit të Kujdesit Social në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Rrogozhinë
Denis Tosku, 25 vjeç, banues në Peqin, me detyrë specialist i Sektorit të Kujdesit Social në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Rrogozhinë

14 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›