E Diel, 1 Nëntor 2026

Bie nga kati pestë, vdes punëtori i ashensorit



TIRANË - Një punëtor mirëmbajtës ashensori ka gjetur vdekjen pasi ka rënë nga kati i pestë i një pallati në Tiranë. Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm në një nga pallatet në zonën e Freskut në kryeqytet, rrëzë malit të Dajtit. Policia thotë se viktima Roland Kuqe, 50 vjeç, është gjetur i vdekur në mëngjes. Një grup ekspertësh hetimorë dhe forca të policisë mbërritën në vendngjarje dhe kanë kryer veprimet procedurale hetimore. Gjatë ditës së sotme pritet që policia të zbardhë ngjarjen dhe të përcaktojë shkaqet që kanë çuar në vdekjen e 50-vjeçarit. Ishin banorët e pallatit që kanë parë trupin e pajetë të teknikut të ashensorëve, të cilët më pas kanë njoftuar uniformat blu për ngjarjen e ndodhur.

I mituri vetëvritet aksidentalisht me armën e të atit

PËRMET - Një fëmijë është vetëvrarë aksidentalisht pasditen e djeshme në fshatin Varibodë të Përmetit. Ngjarja është bërë e ditur nga policia lokale. 12-vjeçari me inicialet V. O. është vetëvrarë teksa luante me armën e të atit. Mësohet se pas të shtënave të armës fëmija ka gjetur menjëherë vdekjen. Sipas të dhënave policore, djali ka qenë duke kullotur bagëtinë së bashku me të atin në malin Dhëmbel të këtij fshati të largët të komunës Deshnicë. Viktima me inicialet V. O. mësohet se ishte duke luajtur me çiften e të atit, ndërsa ajo është shkrepur aksidentalisht, deklarojnë burimet e policisë. I mituri ka marrë plagë të rënda në fyt, çka i ka shkaktuar edhe vdekjen e menjëhershme. Menjëherë drejt vendngjarjes u nisën forcat e policisë për të zbardhur rrethanat e ngjarjes së rëndë. Ata kanë arritur në përfundimin se ngjarja ka ndodhur aksidentalisht.

Vetëvritet Shala, mister motivet e ngjarjes
LUSHNJË - Një 57-vjeçar i ka dhënë fund jetës mesditën e djeshme duke u vetëvrarë me armë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Bitaj të komunës Kolonjë në Lushnjë, ku 57-vjeçari Nazif Shala ka vrarë veten me një armë zjarri. Ai është gjetur i pajetë nga familjarët e tij. Policia e njoftuar me anë të një telefonate ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, duke nisur hetimet. Janë marrë në pyetje familjarët e 57-vjeçarit, por nuk është zbuluar ende një shkak që e ka çuar atë t’i japë fund jetës. Trupi i pajetë i Shalës është dërguar me morgun e spitalit dhe më pas i është dorëzuar familjes për të bërë nderimet e fundit. Policia dyshon se Nazif Shala ka vendosur t’i japë fund jetës në një gjendje të rëndë depresive.

14 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›