Plani ; Brenda 4 vitesh vijnë vaksinat kundër pneumokokut dhe hepatiteve
Përgatitet plani i ri i vaksinimit të popullatës shqiptare. Strategjia e re kombëtare e imunizimit 2009–2013, është ky plani i ri i vaksinimit, pjesë e së cilës do të bëhet edhe Shqipëria për 3 vitet e ardhshme. Në këtë strategji përfshihet zgjerimi i gamës së vaksinimit, duke sjellë vaksinat kundër hepatitit B tek adoleshentët, vaksina kundër Pneumokokut, si dhe vaksina për Hepatitin A dhe HPV (kundër kancerit të qafës së mitrës. Prezantimi i këtij plani është bërë dje gjatë një takimi të ministres së Shëndetësisë, znj. Anila Godo, me misionin WHO (World health organization) dhe UNICEF, me përfaqësues z. Niazi Osman Cakmak, përgjegjës për politikat e imunizimit në rajonin evropian dhe znj. Marjana Bukli, si dhe drejtuesit e ISHP, z. Alban Ylli dhe znj. Silva Bino. Sipas planit, disa vaksina të reja do të futen gradualisht, ndërsa po punohet për futjen e vaksinës së gripit falas për popullatën e riskut. Kështu, synohet që në vitin 2009 të hyjë vaksina kundër Hepatitit B, në vitin 2010 të futet vaksina kundër Pneumokokut, në vitin 2011 vaksina Rotavirus, si dhe vaksina për Hepatitin A dhe HPV (kundër kancerit të qafës së mitrës). Përfaqësuesja e ISHP-së, Silva Bino, bëri të ditur se plani i ri i programit të vaksinimit, apo të imunizimit, synon të ruajë arritje që kemi deri tani (mbulesën e lartë vaksinale, mbulesën e të gjithë grupeve të fëmijëve), por natyrisht të fusë vaksina të reja, që të jenë mbrojtës ndaj më tepër sëmundjeve.