E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ku i thuhet derrit, daje

Presidenti Fatmir Sejdiu u perpoq te marten te mos dukej as i shqetesuar dhe as i keqardhur qe homologu i tij maqedonas, presidenti i sapozgjedhur George Ivanov, nuk e pa te udhes ta ftonte ne ceremonine e tij te inagurimit. Me stilin e tij "pozitivist", ashtu sic i vlereson punet ne LDK, po ashtu i vleresoi edhe marredheniet me Maqedonine. "Nuk jemi ne lufte, do te percjellim sinjale te mira bashkepunimi, do te kem deshire qe presidenti i Maqedonise te jete ne Kosove ...", etj, ishin disa nga komentet me te cilat Sejdiu percelloi interesin e mediave kosovare, se perse presidenti i tyre nuk u perfill nga kryetari i shtetit maqedon. Por sa bindese jane keto vleresime te pozitivistit Sejdiu? A thote ai ate qe mendon? A ndihet i lenduar brenda vetes se tij kryetari i Kosoves, qe nuk trajtohet si i barabarte me lideret e tjere te rajonit? Nese ai vertet nuk e ka problem nje gje te tille, qytetaret e vendit te tij kane te drejte te jene te shqetesuar. Dhe te pakten per kete presidenti Sejdiu duhet te ndjeje pergjegjesi. Qetesia e tij ne dukje, nuk mund te mbuloje fyerjen qe i eshte bere institucionit te tij dhe per rrjedhoje krejt Kosoves. Shtetit me te ri ne bote, sigurisht i duhet ende kohe qe te ece plotesisht me kembet e veta. I duhet te deshmoje vazhdimisht qe eshte faktor stabiliteti ne rajon. Kosova nuk e ka luksin te reagoje sipas emocioneve te veta. Ajo eshte e detyruar te prese vizita edhe te mysafireve te paftuar, apo me keq akoma, sic thote nje fjale e urte, t'i thote derrit, daje. Te gjitha keto jane pjese e nje strategjie me te madhe, sic eshte pavaresia dhe njohja e shtetit te Kosoves, por pse jo edhe pjese e nje maturie politike. Ndryshe nga tradita e reagimeve te nxehta, te nxituara apo konfliktuale, prej se ciles vuajne shpesh vendet e Ballkanit, lidereve kosovare u eshte dashur te deshmojne fleksibilitet dhe racionalitet. Shpeshhere edhe ne dem te nje lloj dinjiteti nacional apo personal, por duhet thene qe per kete ata kane patur mirekuptim nga qytetaret.

Shqetesimi qendron tjeterkund. Ai ka te beje me kontradikten qe lideret kosovare mbartin brenda vetes se tyre. Ata, ndryshe duan te jene dhe ndryshe jane te detyruar te sillen. Jo vetem rasti i fundit i Sejdiut, por edhe ai i kryeministrit Thaci pak kohe me pare ne lidhje me vizietn e Tadicit ne Kosove per festen e Pashkeve, e ilustrojne kete. Veshtiresia per te gjetur nje ekuiliber midis te qenit lider dhe autoritetit te kufizuar, ka rrezik t'ua bjerre besueshmerine udheheqesve te Kosoves. Mos vajtja ne Shkup ndoshta ka qene e detyruar per presidentin Sejdiu, por menyra se si u reagua per kete, deshmon pikerisht mungesen e ekuilibrit qe permendem me siper. Ne fillim u sajua nje thriller per ftesen e nisur nga Shkupi. A kishte ftese, a ishte derguar ajo apo kishte mbetur diku. Njehere u pranua se ftese kishte patur, pastaj se nuk kishte asnje te tille. Nenkryetari i parlamentit maqedon thote se e ka nisur, keshilltari politik i Sejdiut thote se e ka e pare pastaj se nuk e ka marre. Nje kaos qe buron prej paaftesise per t'u perballur me nje problem konkret.

Me pas historise se fteses i vihet kapaku. Presidenti pohon me plot gojen se George Ivanov nuk e ka ftuar ne inaugurimin e tij dhe se per kete ai ndihet mire dhe ka kenaqesine ta prese Ivanovin ne Prishtine. Mire, po kush e beson kete? Kjo eshte ajo qe i ben qytetaret jo vetem te zhgenjehen por edhe te humbin respektin dhe besimin per udheheqesit e tyre. Edhe qytetari me i thjeshte e di shume mire qe, ne kushte normale, ajo qe ka ndodhur te marten mes Maqedonise dhe Kosoves do te quhej nje incident apo me mire skandal diplomatik. Kushdo e kupton qe historia e fteses eshte nje loje naive, ku Shkupi kerkon te laje duart, ndersa Prishtina me kot te mbuloje arsyen e vertete. Askush nuk ndihet mire qe presidenti i vendit te tij nuk konsiderohet i barabarte me te tjeret dhe kete nuk ua ndryshon as vete ai duke dale i buzeqeshur perpara kamerave. Ne fund, te gjithe e dine arsyen e vertete: Sejdiu nuk u ftua ne Shkup, per te shmangur nje tjeter incident, braktisjen e mundshme te inaugurimit te Ivanovit nga presidenti serb Boris Tadic. Perpjekja e presidentin te Kosoves per ta mbuluar kete te vertete, ose per te bere sikur nuk ka ndodhur, krijon ndjenjen e zhgenjimit mes institucionit te tij dhe qytetareve.

Perderisa doli perpara gazetareve, presidenti Sejdiu duhej te gjente menyren per ta permendur arsyen e vertete. Ose te pakten nuk kishte pse te shprehte kenaqesine e tij ne ate moment per marredheniet e mira mes dy vendeve. Eshte e kuptueshme qe Sejdiun, edhe nese i ka mberritur ftesa, e kane keshilluar te mos shkoje ne Shkup. Ky handikap i politikes kosovare, ne kushtet aktuale specifike, e thame me lart eshte i kuptueshem dhe qytetaret kane treguar mirekuptim. Por kur sillesh sikur nuk ka ndodhur asgje, fyen ata te cileve u drejtohesh dhe nuk krijon asnje rreze shprese se Kosova do te filloje nje dite te veproje si shtet. Sejdiu mund te kete qene i detyruar edhe te mos e permende arsyen e vertete, por ate nuk e ka ndaluar askush te ngreje zerin pse qytetaret e tij nuk trajtohen me reciprocitet nga autoritetet maqedone apo pse pak dite me pare u ndalua pa te drejte ne kufi dhe u mor ne pyetje nje prej figurave kryesore te Kosoves, Albin Kurti. Nje burre shteti, pavaresisht kufizimeve, nuk mundet te mos e thote te pakten se Maqedonia, perderisa e ka njohur Kosoven, duhet te mesoje te sillet me te si e barabarte.

Ka momente kur ndodhesh vertete ngushte e duhet t'i thuash derrit, daje, por jo ta njohesh ate si te tille. Ne komentet e Sejdiut per incidentin e Shkupit, mungonte vetem nje gje: qe ai te kritikonte presidentin shqiptar Bamir Topi pse ai i shprehu Ivanovit keqardhjen per mungesen e Sejdiut. Vete Sejdiu nuk pati asnje keqardhje, perkundrazi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›