Ku isha unë…?
Emocionet e gjithkujt, besoj, kanë qenë shumë të forta tek ka përcjellë nga mediat raportet për fatin shumëfish të keq të fëmijëve rritur nën zinxhirë. Kanë qenë të paktën tri rastet e raportuara në më pak se dy javë nga të cilat mësojmë se qenie njerëzore mbahen të lidhura si kafshët. Fëmijët e lindur me probleme mendore apo edhe fizike, mbahen të lidhur nga familjet që i sollën në jetë. E pabesueshme, gjallojnë falë frymës së Zotit larg kujdesit dhe mëshirës së njeriut.
Por, nëse emocionet janë të forta tek shikon se si është katandisur një jetë njerëzore, më e fortë është tronditja morale. Më e fortë është tronditja në vlerat që kemi besuar se janë tonat, në vlerat që kemi mëtuar se na afrojnë me shoqëritë më të përparuara, në vlera të cilat na e ka ënda të matemi me të tjerët e të besojmë naivisht se, e pse jo, edhe të vetëlëvdohemi se i paskemi edhe më të vjetra edhe më të pasura se të tjerët.
Nuk ndryshon asgjë përpjekja e disa gazetarëve që raportimin e kanë shoqëruar me komente për të gjetur përgjegjës në mënyrë selektive. Media kësaj here ka bërë ndoshta një nga shërbimet më të rëndësishme, me më tepër ndikim dhe, si fatkeqësisht jo gjithnjë, ka marrë rolin e një pushteti të mirë. Mbase shterimi i telenovelave bajate nga politika ka bërë të kërkojnë të vërtetën, edhe pse të dhimbshme të vendit e të shoqërisë.
Tri rastet e raportuara krijojnë një panoramë të plotë të vendit. Mund të ndryshojë emri i fshatit, krahina ku ndodh ngjarja, dialekti i atyre që tregojnë e shpjegojnë ngjarjen, feja të cilës duket se i përkasin familjarët, por një gjë është e përbashkët – lidhja me zinxhirë. Edhe pse ka dyshime që rastet mund të jetë të sajuara, fakti që një skenë e tillë krijohet dhe i propozohet publikut nuk është se e lehtëson dhe se përkundrazi rëndon të vërtetën.
Jetë njerëzore dhunohen dhe drama e tyre konsumohet brenda në familjen e tyre. Është jashtë çdo dyshimi se askush nuk mund të ketë më shumë dhembshuri për këto qenie të pambrojtura sesa vetë familjarët, prindërit që i sollën në jetë, vëllezërit e motrat apo të afërm të tjerë që jetojnë nën të njëjtën çati. Por, është e dukshme që këto raste janë shembuj tipikë të dhunës në familje, dhunë që konsumohet në heshtje dhe me miratimin e heshtur të të gjithëve. As më e dukshme është prova e dhunës nëse e gjitha inskenohet nga familjarët. Megjithatë sido që të jetë e vërteta është e padrejtë të pretendohet se këto janë raste që ndodhin nga prindër apo familjarë të papërgjegjshëm që kanë mungesë dashurie apo dhembshurie.
Mjedisi ku konsumohen këto raste, që janë bërë të njohura, ka ngjashmëri. Janë që të tria në zona rurale dhe duket se ndodhin në varfëri. Kjo ka mjaftuar që disa, mes të cilëve dhe lideri i opozitës Rama, të nxitojnë të gjejnë shpjegimin tek varfëria dhe për rrjedhojë të akuzojnë qeverinë, por asnjë varfëri nuk e justifikon dot lidhjen me zinxhirë. Qoftë edhe sikur kjo të jetë menduar si një grep për të tërhequr vëmendjen.
Mungesa e aksesit në shërbimet e shtetit është përdorur si argument shtesë, përveç varfërisë. Por, me aq sa janë bërë të njohura rastet, duket se të gjithë kanë pasur në një mënyrë apo në një tjetër komunikime me strukturat e shtetit. Diku thuhet se për vajzën merret një pension, diku që mjekët nuk na japin shpresë, diku që nuk na i marrin në spital e të tjera. Pra, aksesi në shërbimet e kujdesit shëndetësor, kuptohet brenda kufizimeve që ka ky shërbim në cilësi dhe në efektivitet, ka ekzistuar. Gjithsesi, edhe kjo nuk e justifikon lidhjen me zinxhirë, aq më tepër kur strukturat e shërbimit pretendojnë që i janë gjendur dhe i kanë shërbyer të sëmurëve dhe familjarëve të tyre.
Si ka mundësi atëherë që ndodh? Si ka mundësi që për vite, ndoshta për dekada, ndodh një shëmti e tillë? Si ka mundësi që njerëz të dënuar nga fati dënohen edhe nga njerëzit, madje nga më të afërmit e tyre? Si ka mundësi që, në rast dyshimet për inskenime janë të vërteta, si ka mundësi pra të luajmë teatër me dhimbjen tonë? Nuk mendoj se është mungesa e dashurisë, nuk mendoj se është varfëria, nuk mendoj se është mungesa e aksesit. Nuk mendoj se është faji i një spitali, i një mjeku, i një pensioni të vogël e të pamjaftueshëm, i një ministri, i një qeverie.
Si ka mundësi që ne, që mburremi me Nënë Terezën dhe që do t’i hidheshim në fyt gjithkujt që nuk do të na e pranonte atë si vlerë të kombit tonë, ne pra, që mburremi me atë që është simboli i dhembshurisë dhe i solidaritetit me vuajtjen dhe dhimbjen në botën moderne, të jetojmë aq afër me këtë deformim apo më keq akoma ta inskenojmë dhe të mos jemi të ndërgjegjshëm? Si ka mundësi të bashkëjetojmë me këtë deformim dhe shëmti ne, që krenohemi për virtytin tonë të solidaritetit me të dobëtin dhe e përmendim shesh se si i kemi mbajtur dhe mbrojtur ushtarët italianë, ish-armiq pushtues dhe madje ndihemi të lënduar që nuk para na e vlerësojnë si akt. Si ka mundësi ta pranojmë në heshtje atë që ndodh ne, njerëz që kemi vuajtur kolektivisht dhunën, varfërinë, mosushqyerjen dhe izolimin gjatë diktaturës?
Rrënjët e këtij qëndrimi ndaj të sëmurëve mendor janë të thella e të vjetra. Ne shpesh si shoqëri nuk kemi dashur t’i adresojmë problemet tona. Ndodh që e preferohet më shumë vetëgënjimi për traditën e dhembshurisë dhe simbolet e saj sesa të shikojmë të vërtetat jo shumë të lavdishme. Për shumicën, të sëmurët mendorë janë një gjë që duhet fshehur, si një gjë e turpshme, gati-gati si një faj. Shumë nga këto familje janë të detyruara t’i mbajnë larg “syve të botës” pikërisht se ekziston ky presion i mjedisit. Shfaqjet më të fundit dhe përdorimi teatral i të sëmurëve është në të njëjtën llogjikë. Nuk duhet të harrojmë që jo shumë kohë më parë, por edhe sot, ne shohim fëmijë që ngacmojnë individë të sëmurë, çfarë reflekton diçka nga kjo mendësi. Nuk janë të shumta rastet, kur familjarët që fati i ka vënë në një provë të tillë, të ndihen krenarë që po e përballojnë atë me dinjitet, me dhembshuri, me dashuri.
Në shoqërinë tonë ka mjaft fenomene me të cilat jemi mësuar të jetojmë dhe që edhe pse e dimë që janë të rënda, nuk reagojmë. Rastet që u bënë të njohura nuk janë të vetmet, por prej tyre të paktën mësuam apo u kujtuam për një prej të vërtetave tona të hidhura, një prej dështimeve tona si shoqëri. Ajo që u ka ndodhur këtyre të sëmurëve dhe këtyre familjeve në fakt i ka ndodhur gjithë shoqërisë. Askush nuk mund të thotë se nuk ka përgjegjësi.
Nuk mund t’i shpëtojë përgjegjësisë qeveria për këtë gjendje. Nuk mund t’i shpëtojë përgjegjësisë asnjë strukturë shtetërore. Nuk mund t’i justifikojë asgjë, as mospasja dijeni institucionet e kujdesit shëndetësor. Nuk mund të justifikohet kryeplaku, këshilli dhe kryetari i komunës. Nuk mund të justifikohet as deputeti i zonës që mund t’i ketë pasur edhe në listat e votuesve këta fatkeqë. Po kështu, nuk mund t’i shpëtojnë përgjegjësisë e gjithë shoqëria.
Nuk mund t’i shpëtojnë përgjegjësisë morale dhe nuk mund të jenë pa faj as ata që janë rrotull e që pa dyshim janë në dijeni. Mbajtja në një gjendje të tillë për vite me radhë, edhe pse ndonjëherë qëllimi është pikërisht e kundërta, teatraliteti i dhimbjes nuk mund t’i shpëtojë syrit vigjilues të bashkëfshatarëve, të cilët i dinë njëri-tjetrit edhe orenditë e shtëpisë. Nuk mund t’i shpëtoj përgjegjësisë as unë. Gjithkush duhet të bëjë pyetjen: Ku isha unë?
Ngushëllimi i vetëm do të jetë në qoftë se këto raste nuk do të mbeten vetëm si lajm i parë gazete apo edicioni informativ, por të bëhen shkak që të pyesim vazhdimisht veten, për këto a për të tjera dështime: Ku isha unë?