E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ku janë përkthimet?

Një pjesë e madhe e studentëve të Universitetit të Prishtinës, edhe më tutje, mësojnë me literaturë që i përket viteve të 70-të. Ka edhe libra që janë shkruar nga dora e profesorëve, ka edhe të tilla që janë përkthyer 100 për qind nga autorë të huaj. Në shumicën e rasteve janë plagjiaturë.
Të paktë janë ata profesorë, të cilët iu sugjerojnë studentëve literaturë alternative. Para dy vjetësh, Senati i Universitetit të Prishtinës kishte marrë vendim që të përkthehen librat universitare të autorëve më të cituar në botë.

Por, deri më sot asnjë libër nuk është botuar. Instituti për Studime Ndërkombëtare në Tiranë kishte fituar tenderin për përkthimin e disa librave universitare. Pas dy vitesh, ata kanë sjellë disa, që ende mbahen në një CD. Përkthimi i librave universitare nga menaxhmenti i vjetër i UP-së, kishte ardhur si reaksion i publikimit në gazetën Express të shumë librave që ishin vjedhur nga profesor të UP-së prej autorëve të huaj.
Ndërkohë, menxhmenti i ri i UP-së, vlerëson se përkthimet, përveç ngritjes së cilësisë së mësimit, ato nuk mund të ulin shumë shkallën e plagjiaturës.
Prorektori për mësimdhënie dhe kërkime shkencore, Bajram Berisha, thotë se shtetet e vogla nuk investojnë shumë në përkthime, sa investojnë në rritjen e nivelit të gjuhëve të huaja.
Megjithëkëtë, ai thotë se projekti për përkthimin e literaturës do të vazhdojë. Bajrami sqaron se një komision i Universitetit të Prishtinës ka konstatuar se ka pasur disa keqinterpretime.
“Ne kemi konstatuar se vetëm disa tekste janë përkthyer, ndërsa kompania ka ofruar disa libra, të cilat ne nuk i kemi kërkuar fare”, shton ai. Dhe për këtë shërbim Instituti për Studime Ndërkombëtare nga Shqipëria i ka kërkuar Universitetit të Prishtinës hiq më pak se 300 mijë euro
.
Por, Bajrami thotë se 75 mijë euro që i janë dhënë para disa vitesh këtij instituti mjaftojnë, ngase ata deri më tani kanë përkthyer vetëm një pjesë të vogël të librave të kërkuara.

Ndërkaq, Ramush Mavriqi, dekan i Fakultetit Filozofik, thotë për Express se deri më sot nuk kanë marrë asnjë libër të përkthyer.
Dukagjin Pupovci, ekspert i arsimit, vlerëson se përkthimet e librave universitare nuk mund ta luftojnë plagjiaturën. Ai pranon se ato mund të rrisin cilësinë e mësimit, por thekson se nuk është mënyra më e mirë për ta bërë atë.

Pupovci thotë se librat alternativë, kryesisht në gjuhën angleze, mund të rrisin cilësinë e mësimit në UP. “Nuk ka literaturë që nuk është në dispozicion në gjuhën angleze, përveç diçka shumë specifike. Unë mendoj se përgatitja e mësimdhënësve është njëra nga fushat ku vërtet Universiteti duhet të punojë shumë”, shton ai.
Pupovci thotë se për këtë duhet kohë, ngase jo të gjithë profesorët dinë gjuhë të huaja dhe përcjellin trendët e fundit në lëndët përkatëse.
“Ne kemi vërejtur tek një numër i konsiderueshëm i mësimdhënësve, tendencën se duhet të përdorin vetëm literaturën, autor i së cilës janë vetëm ata dhe kjo shpeshherë vjen si pasojë e mosnjohjes së gjuhëve të huaja”, vlerëson Pupovci.

Ai shton se nëpër fakultete duhet të stimulohet përdorimi i literaturës në gjuhët e huaja, aq më parë kur një pjesë e madhe e literaturës është në dispozicion edhe përmes internetit. Ndërkohë, Universiteti i Prishtinës tash e tutje nuk ka nevojë të paguajë para në shtypjen e librave universitare. Aq më pak të paguajë firma jashtë Kosovës. Shumëçka mund të prodhohet me kapacitet e veta.

Një projekt austriak ka financuar, dhe në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës ka themeluar, një shtëpi botuese universitare. UP-ja, në të kaluarën, nuk ka pas ndonjë traditë në shkencë. Në sistemin e arsimit të ish-Jugosllavisë, shkenca është bërë vetëm nga institute, rrallëherë nga universitetet.
Gjatë procesit të akreditimit, Agjencia Kosovare për Akreditim dhe ekspertët ndërkombëtarë, mungesën e një shtypshkronje në universitet, e kanë parë si mangësinë më të madhe në UP.

Kështu, Shtëpia Botuese Shkencore e Universitetit të Prishtinës do jetë një platformë për profesorët dhe studentët për të publikuar libra dhe broshura të ndryshme.

Austria ka financuar publikimin e 6 librave të para. Në të ardhmen, UP-ja do të mundohet të gjej sponsorë të tjerë për të financuar përkthimin dhe botimin e librave universitarë.

Edhe Bartësit e Arsimit të Lartë Privat janë duke punuar në ndërtimin e shtëpive botuese, brenda këtyre institucioneve. Tash e tutje, doktoraturat, por edhe punimet Master të studentëve, mund të publikohen nga kjo shtëpi botuese.
Libri i parë që është publikuar nga kjo shtëpi botuese është "Robotics in Kosovo", me autor Arbnor Pajaziti, profesor ne Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike. Libri ishte financuar nga KAIP (Partneriteti Kosovar-Austriak), i cili e përkrah Arsimin e Lartë në Kosovë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›