Vdiq Xhelil Pajaziti

Ka vdekur në moshën 69-vjeçare anëtari i Komisionit Qendror Zgjedhor nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhelil Pajaziti.
Pajaziti u lind në fshatin Poliçkë të komunës së Dardanës, më 19 janar të vitit 1941.
Pas mbarimit të luftës më 1999, në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës (QPK), ka udhëhequr Drejtoratin për Administratë në Gjilan dhe në Ministrinë e Shërbimeve Publike.
Thaçi ngushëllon familjen Pajaziti
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Pajaziti, me rastin e ndërrimit të jetës së anëtarit të KQZ-së dhe veprimtarit të shquar të PDK-së, Xhelil Pajaziti.
“Me pikëllim të madh morëm lajmin për ndërrimin e jetës së familjarit tuaj, anëtarit të Komisionit Qendror Zgjedhor dhe veprimtarit të shquar të PDK-së, Xhelil Pajaziti. Duke rrjedhë nga një familje atdhetare, si vëlla i Kadri Zekës, veprimtarit të devotshëm të çështje kombëtare, jeta dhe aktiviteti i Xhelil Pajazitit që në kohët më të vështira që kaloi populli ynë e deri në periudhën e shtetndërtimit, ishte e tëra në funksion të lirisë, të pavarësisë, të demokracisë dhe ndërtimit të institucioneve stabile kosovare”, thuhet në telegramin e ngushëllimit. /kosovapress/