E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ku ndal ora e Mendimit

22/04/2005  Botuesi, publicisti dhe studiuesi Ndriçim Kulla i dërgon një letër kryeministrit, komisionit parlamentar të arsim-kulturës për të sensibilizuar mungesën e mendimit shqiptar në procesin e mësimdhënies në të gjitha nivelet e shkollave, sidomos në sistemin para-universitar;

Kryeministrit të Shqipërisë zotit Fatos Nano

Komisionit parlamentar të arsim- kulturës

Seksionit të arsim-kulturës të partis Demokratike

Vitin e kaluar, në muajin Korrik, si autor i librit të vëllimshëm “Antologjia e mendimit shqiptar (1870 – 1945) i jam drejtuar me një letër Ministrit të Arsimit dhe Shkencës z Luan Memushi, duke i bërë prezent shqetësimin dhe idenë time mbi mungesën e mendimit shqiptar në procesin e mësimdhënies në të gjitha nivelet e shkollave tona, por sidomos në sistemin para-universitar. Në vijim të kësaj kërkese, mora një përgjigje që nuk lidhej me shqetësimin kryesor që kisha në drejtim të dikasterit që ai drejtonte. Pavarsisht se merret shkas nga një rast i veçantë, që lidhet me veprimtarinë time të gjatë në fushën e mendimit shqiptar, e shoh këtë problem si një problem plotësisht parimor dhe duke patur një besim të gabuar se ky ministër do ta vlerësonte bashkëpunumin tim dhe do ta rishikonte qëndrimin e vet mospërfillës në lidhje me këtë çështje me rëndësi të madhe mësimore, por edhe kombëtare, mendova t’i rishkruaj edhe një here sivjet duke e zhvilluar akoma më tej propozimin tim dhe duke e bërë akoma më të detajuar e me sugjerime më konkrete. Mora një përgjigje që të bind se ministri i sotëm i arsimit Luan Memushi nuk i lexon fare letrat e këtij lloji, ose nuk i përfill, sepse propzime të tilla bien ndesh me konceptet e tij burokratike, primitive dhe aspak inteligjente; Ose përndryshe, ai nuk ka aftësinë minimale për të kuptuar shqetësimet dhe problemet që njerëz të ndryshëm e të kualifikuar i shprehin në lidhje me dikasterin e rëndësishëm që ai drejton aktualisht.

Në vijim të vëmendjes sime për të qenë aktiv në botimin e literaturës së mendimit, një vend të veçantë në punën e derisotme ka pasur mendimi shqiptar i traditës. Në këtë drejtim, megjithë pavëmendjen që është treguar nga institucionet, si pasojë e një pune sistematike përgatitëse (kërkuese dhe seleksionuese), nga ana ime dhe e disa kolegëve të tjerë, është arritur të botohet një kolanë e tërë dhe e madhe me mendimtarë të tillë të rëndësishëm si Branko Merxhani, Mehdi Frashëri, Mit’hat Frashëri, Anton Harapi, Zef Valentini, Vangjel Koça, Tajar Zavalani, Krist Maloki, Stavro Skëndi, Dom Ndoc Nikaj, Jorgji Meksi, Eqerem Bej Vlora, Ambroz Malaska, Ismet Toto, Eqerem bej Vlora, Gjergj Fishta, Faik Konica, Fan Noli, etj – kolanë kjo, që edhe pse e ka gjetur dritën e botimit me vështirësi, në shumë kuptime, ka arritur të triumfojë.

Ne, nuk jemi kurrsesi vend tribush siç mundohen të na paraqisin armiqtë tanë apo të gjithë ata që nuk na njohin mire, por jemi një komb me mendimtarët dhe dijetarët tanë, të cilët që në momentet e para kur orientuan luftën për të fituar lirinë politike ose kur konceptuan shtetin e ardhshëm shqipëtar, sytë i kishin nga Europa dhe Perëndimi. Këtë gjë është e rëndësishme ta dimë të gjithë ne dhe pasaardhësit tanë sidomos në kushtet e integrimit europian dhe të globalizmit botëror. Asnjë komb nuk do ta pranonte një pavëmëndje të tillë. Brezat e sotëm dhe të ardhshëm duhet të vihen në lidhje dhe ta njohin këtë literaturë ashtu siç njohin edhe literaturën e letërsisë. Nuk mund të imagjinoj ndonjë përparësi tjetër para kësaj përparësie me të cilën mund të fillonte reforma në shkollën tonë. Nuk mund të përfytyroj ndonjë detyrë tjetër më kryesore nga ana e Ministrisë së Arsimit se zgjidhja e këtij paradoksi, i cili gjen një vënd të posaçëm edhe në deklaratën e Bolonjës, aq shumë të përfolur sot, ku mes të tjerash vihet në dukje mbështetja e traditës dhe trashëgimisë mendore dhe kulturore të çdo vëndi.

Për të gjitha këto arsye, si ish mësues, pedagog dhe publicist, por edhe si prind, më shqetëson shumë problemi që shkolla shqiptare, sidomos në sistemin para-universitar, por edhe në atë universitar, ka një raport aspak të ngushtë me këtë literaturë mjaft të rëndësishme e cila ka të bëjë me edukimin politik, qytetar dhe institucional, së cilës nuk i është ponderuar asnjë orë. Kjo është një mungesë shumë serioze në procesin e mësimdhënies së shkollës sonë, sepse përveç të tjerash, tërë ato dije që po na vijnë nga kultura botërore, nuk mund të përvehtësohen si duhet pa u shartuar me mendimin shqiptar. Do të ishte mjaft i dobishëm e madje lehtësisht i mundshëm përdorimi i kësaj literature si literaturë e programuar, qoftë nga studentët nëpër seminaret e lëndëve përkatëse ashtu dhe nga nxënësit e shkollave të mesme (në lëndën e letërsisë shqiptare dhe të huaj, apo në lëndët “Njohuri për shoqërinë”, Filozofi e Psikologji). Ka dy mënyra për ta arritur një gjë të tillë: nëpërmjet ndryshimit të kurrikulave, çka do të kërkonte një përpjekje të madhe e të gjithanshme. Ose nëpërmjet ndërfutjes së mendimit shqiptar si aneks i një literature të programuar brenda programit të detyruar të lëndëve përkatëse (të përmendura në mënyrë të detajuar më lart). Ndaj unë mendoj se, këtij propozimi për të cilin strukturat e larta arsimore po tregojnë një paaftësi “shëmbullore” për ta kuptuar, do t’i nevojitej edhe ndihma juaj politike dhe shtetërore për ta trajtuar këtë si një problem shumë serioz që ka mësimdhënia jonë dhe për të cilin duhet të ketë patjetër një zgjidhje. Me respekt

Ndriçim KULLA

publicist, studiues dhe botues

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›