Lesi: Sollaku të sjellë dëshminë e Sokol Koçiut dhe Fehmi Avdiut
21/04/2005 Përmes një letre të hapur, deputeti dhe botuesi i «Koha Jonë» është shprehur: «Në sqarim të plotë të dilemave të kërkuara nga Prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, për heqjen e imunitetit tim, po ju sqaroj se do të ishte në të mirë të çështjes në fjalë edhe ardhja e disa dokumenteve nga dosja hetimore që i kam kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm. Bëhet fjalë për ato dokumente, në të cilat janë regjistruar ato që ka dëshmuar Sokol Koçiu dhe Fehmi Avdiu në Prokurorinë e Përgjithshme. Ato dokumente sqarojnë se çfarë ka fshehur zoti Sollaku para jush disa ditë më parë si dhe implikimin e grupit të hetimit që merret me këtë dosje, për moshetim dhe anashkalim të fakteve në dosjen hetimore, e që ka dokumente të pakontestueshme si dhe kaseta që implikojnë direkt Kryeministrin Fatos Nano. Pasi të m’i sjellë Prokuroria e Përgjithshme konform Kodit të Procedurës Penale, atëherë ju do të bindeni se ku qëndron e vërteta dhe për cilin lider politik duhet të kishte ardhur kërkesa për heqjen e imunitetit, si dhe për arrestimin e tij të menjëhershëm. Këshilli i rregullores së Kuvendit dhe imunitetit, do të zhvillojë një tjetër mbledhje, pasi dje nuk ishin të gjithë prezentë».