E Hënë, 2 Nëntor 2026

Helmi mbi gjellën e të shoqit

21/04/2005  Vera Qevani akuzohet se ka vrarë bashkëshortin Gëzim Bajrami

TIRANË- Pas gjashtë muajsh heshtjeje, policia akuzon një 41-vjeçare si vrasësen e burrit të saj. Ca pika ilaçi mizash në gjellë, intringë, mosmarrëveshje dhe vrasje me dashje e bashkëshortit pa kurorë. Për të dytën herë, në kryeqytetin shqiptar, uniformat blu kanë pretenduar se zbuluan një tjetër vrasëse, e cila, tashmë është shoqërur në ambientet e brendshme të Komisariatit numër 4. Burime nga ky komisariat thanë për gazetën "Metropol" se, Vera Qevani, 41 vjeçe, akuzohet se ka helmuar me ilaç mizash njeriun që bashkëjetoi për 14 vite me radhë, Gëzim Bajramin, gjë të cilën e ka mbajtur të fshehur për shkak të frikës së prangosjes. Sipas policisë, e arrestuara nuk e ka pranuar akuzën e vrasjes së burrit të saj.

Familja

Çifti kishte dy fëmijë të vegjël, Denisin 6 vjeç dhe Eridën 10 vjeçe dhe banonin disa metra larg Komisariatit numër 4, në afërsi të Oxhakut. Plagën e kanë hapur të parët të afërmit e 45-vjeçarit, Gëzim Bajrami, të cilët raportuan në polici të gjitha të rejat që kishin marrë vesh, gjatë gjashtë muajve hetimesh private. "Nuk kemi më besim te drejtësia, sepse ajo nuk është treguar e drejtë me vërtetimin e shkakut të vdekjes së Gëzimit, prandaj kërkojmë që të rinisin sërish hetimet", u kanë thënë inspektorëve të kriminalistikës të afërmit e Gëzimit, që ka 6 muaj që ka ndërruar jetë. Një dhomë e vogël që mban aktualisht gjashtë persona, ku jeton pjesa tjetër e familjes së Vera Qevanit, të akuzurës për vrasjen e njeriut që bashkëjetoi për 14 vjet, flet vetë për varfëri e skamje, mjerim e mëshirë.

Akuza

Nën akuzën e vrasjes me dashje të bashkëshortit të saj, Vera Qevani, 41 vjeçe, është shoqëruar dy ditë më parë në qelitë e paraburgimit të Komisariatit numër 4, në të cilat ende po merret në pyetje nga ekspertët. Burime nga kriminalistika thanë për gazetën se, tashmë kjo dosje është drejt përfundimit. Sipas tyre do të duhen edhe disa ditë që për Qevanin të vërtetohet akuza, pasi analizat laboratorike të llojit të helmit të gjetur në gjakun e Gëzimit, ditën kur ai vdiq, do të ekzaminohen sërish, ndërsa do të bashkohen edhe dëshmitë e të gjithë të afërmve të Verës dhe të Gëzimit. Familjarët e këtij të fundit e, veçanërisht vëllai i tij, Dashamiri, ka thënë në polici se ka qenë pikërisht Vera ajo që vrau Gëzimin, ndërsa 41-vjeçarja e ka mohuar krimin, duke u mbrojtur me faktin se, Gëzimi kishte qenë i sëmurë, pinte alkool dhe valiume, pasi nuk e zinte gjumi.

Motivi

Edhe pse ekspertët e kriminalistikës nuk kanë mundur të përcaktojnë saktësisht shkakun që e ka detyruar Verën të vrasë burrin me të cilin bashkëjetonte, pista e parë është ajo e mosmarrëveshjeve mes tyre. Burimet e policisë sqarojnë se, Gëzimi bashkëjetonte me Verën në shtëpinë e saj, pasi familja e tij e kishte braktisur. Gjithashtu, policia dyshon se dhoma ku jetonte çifti me dy fëmijë shërbente në disa raste si shtëpi publike dhe, kjo kishte sjellë zemërimin e Verës. Kjo e fundit, sipas policisë, për t’u çliruar nga barra e mosmarrëveshjeve dhe grindjeve, dyshohet se vendosi ta helmonte burrin me të cilin kishte dy fëmijë të vegjël.

Motra e të arrestuarës: Gëzimi vdiq nga gripi

"Shih vetë si është gjendja këtu dhe jepi të drejtë kujt të duash". Kështu i përgjigjet pyetjes së "Metropol", Rudina Qevani, motra e Verës, e cila jeton në një dhomë, pas lagjes së "Oxhakut" së bashku me nënën e saj invalide dhe disa anëtarë të tjerë të familjes. Në mënyrë kategorike, ajo e mohon një krim të mundshëm të motrës së saj, duke e argumentuar edhe me fakte mbrojtjen që i bën. Sipas Rudinës, Gëzimi ka vdekur nga një grip i rëndë që e ka zënë para gjashtë muajsh. "Ai u sëmur keq dhe gripi e mbajti për disa javë me radhë. Dilte në lokal e pinte raki dhe kur kthehej në shtëpi nuk e zinte gjumi. Pinte valiume dhe ilaçe të tjera. Një ditë nuk u ngrit nga krevati dhe e çuam bashkë me motrën në spital. Aty mjekët i bënë analizat dhe e nxorën me një lloj helmimi. Në orët e mëngjesit dha shpirt", tregon Rudina. Më pas, ajo thotë se ditën e nesërme i shoqëruan në polici, ku të gjithë dhanë dëshmitë e tyre. Tashmë i ka rënë asaj përgjegjësia e rritjes së dy fëmijëve të vegjël, Denisit që ende s’ka shkuar në shkollë dhe Eridës, nxënëse në klasën e tretë, ndërkohë që mundësitë ekonomike janë të pakta. Dhoma është e vogël dhe nëna e Verës është invalide. "Unë di që vëllai i Gëzimit, Dashamiri, e ka takuar atë, gjatë 15 viteve që e njoh, vetëm dy herë. Madje, që kur ka vdekur Gëzimi, ai nuk ka ardhur asnjëherë këtu, as për të parë mbesën e nipin. Si ka mundësi që pas 6 muajve ai kujtohet e thotë se na i paska vrarë Vera. Me ç'motiv e thotë këtë?".

Dhjetor ‘99

Dëshira Noka, banuese në Rrushkull të Durrësit, vuan dënimin në Burgun 325 për një tentativë vrasjeje të kryer në vitin 1997, por së fundi ndaj saj është ngritur dhe akuza se ajo ka vrarë burrin e saj, të cilin më pas e ka groposur në oborrin e banesës.

8 korrik 2004

Gruaja 40-vjeçare Mako Bajrami, ka rrahur me shufër hekuri burrin e saj, Qazim Bajrami, të cilin më pas e ka hedhur në një kanal, rreth 10 m larg shtëpisë.

1 shkurt 2005

Elvira Bazonja, pas një grindjeje të radhës me bashkëshortin e saj, Rakip Bazonja, e ka goditur këtë të fundit nga pas shpine me thikë, duke e lënë të vdekur në vend. Ditën e krimit mësohet se, që herët në mëngjes, burrë e grua ishin grindur, madje në prezencë edhe të djalit të tyre të vetëm, Manuelit.

7 prill 2005

Ditera Liçolli, që kishte mbi 20 vjet që jetonte me bashkëshortin Tefikun, është ngritur në mëngjes dhe ka hedhur helm në kafe, duke e lënë të vdekur. Ditera u arrestua në kushtet e flagrancës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›