E Diel, 1 Nëntor 2026

Ku po shkon moj Shqipëri e shpartalluar e Berishës dhe Lul Bashës, moj Shqipëri e mjerë e Sinan Hoxhës dhe e Seldit ku po shkon?

Nga Bledi Mane

Një polic kishte futur gishtin thellë në vrimën e djathtë të hundës dhe po gërmonte gjithë qejf ndërsa kolegu i tij përballë i bënte muhabet. Një grua e shëndoshë me dy fëmijë tepër të vegjël të shtrirë në trotuar lypte duke bërtitur sa herë kalonte ndonjë këmbësor,nga brenda një makine taksi parkuar aty afër shpërndahej tingulli i këngës Matilda moj që këndohet nga Mandi i Nish-tullës, taksixhiu i shtrirë brenda lexonte plot kërshëri gazetën Paloma me këmbët zgjatur sipër dritares së pasagjerit. Ishte një nga ato mesdrekat tipike të korrikut në Tiranë kur vapa përvëlon dhe ajri i ndotur të mbyt. Skenë surrealiste në afërsi të Galerisë Kombëtare të Arteve ku shkoja për të vizituar ekspozitën e fotografit anglez Martin Parr për të cilën kisha lexuar në shtyp se ishte edhe një lloj retrospektivë për ditët e fundit të diktaturës.

Pas banakut në hollin kryesor të Galerisë qëndronin 4 gra të cilat bisedonin shkujdesur me një burrë që mesa duket edhe ai punonjës i atyshëm. Qëndrova para tyre dhe pasi hoqa syzet e diellit i përshëndeta e i pyeta për ekspozitën që doja të vizitoja. Asnjë prej tyre nuk iu përgjigj pyetjes sime, por të gjitha në kor lëshuan breshëri reagimesh: -Ua ky trafikanti, hë mo të jep ndonjë lek ai Arjan Çani, po Lek Plepin pse e puthe, në burg të ka futur më policia.??? Unë jam natyrë e regjur dhe e mësuar me këto lloj reagimesh, por shumë pyetje në të njëjtën kohë nuk mund ti përballoja dot. Buzëqesha paksa dhe pasi mbaruan nuk prita më gjatë, por u nisa vetë drejt sallës së madhe ku dukeshin të varura fotot. Gratë vazhdonin ngacmimet e tyre nga distanca ndërsa unë po shijoja ajrin e kondicionuar dhe fotot shokuese të Shqipërisë marksiste.

Pamje tragjikomike, dyqane bosh, njerëz të egër, varfëri koreano-veriore, pantallona cowboys, flokë të harlisur, koka e Enver Hoxhës si diell që shfaqet kudo, fytyra njerëzish që sforcohen për tu dukur të lumtur. Ekspozita, e cila qëndron ende e hapur nuk të ha shumë kohë por ato pak fotografi të shkrepura në zgripin e diktaturës të bëjnë të dyshosh në vetvete: Vërtetë ne shqiptarët deformohemi dhe shëmtohemi kaq shpejt nga çdo lloj regjimi politik me apo pa votë?

Mallkim, fat i racionuar vetëm për ne, qylaf që i shkon mirë kokës tonë, racë pa kurrfarë kurajoje civile, pakt me veten dhe me djajtë, gjenezë kolektive e deformuar, mëkate që suksesojnë çdo mallkim

Ndryshe nga regjimi bolshevik i Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë ky regjimi tjetër i tranzicionit është i kamufluar më bukur dhe më këndshëm. Nuk ka më shitore apo tregje bosh, nuk mungon asnjë lloj malli përveçse fuqisë blerëse. Qytetarët e ujdisin modelin e flokëve si të kenë dëshirë, vishen dhe pispillosen te Gabi dhe mund të shesin pordhë në çdo kohë pavarësisht se portofoli i tyre ka kohë që ka zënë merimanga. Si atëhere kur që nga e përditshmja komuniste Zëri i Popullit e deri te revistat Pionieri, Fatosi apo Yllkat kontrolloheshin nga partia në pushtet edhe sot me disa përjashtime të vogla media dhe shtypi është blerë dhe tutelohet nga biznese besnike servile të qeverisë. Gjetët dot ndonjë ndryshim nga mbledhja e kryesisë së PD-së të shtunën e kaluar me pleniumet e Komitetit Qendror të PPSH-së para 1990-ës. Ah po,më falni Besnik Mustafaj nuk vret veten si Mehmet Shehu, Aleksandër Biberaj dhe Gazmend Oketa nuk shkojnë para skuadrës së pushkatimit si Kadri Hazbiu a Beqir Balluku. Nuk ka më organizatë të Frontit Demokratik me kuota anëtarësimi qesharake të drejtuar nga shoqja Nexhmije Hoxha, por kemi organizata joqeveritare dhe fondacione si ai i Liri Berishës me donacione milionëshe nga ku në bazë të kontributeve financiare mund të katapultohesh në parti a qeveri. Pranvera Hoxha rrinte në hije dhe së bashku me burrin e saj burrë i thënshin Klement Kolaneci i projektonin dhe ndërtonin Piramidën Babait të Kombit, nën hijet e pishave të plazhit të Hamallajt qëndron edhe Argita Berisha me burrin e saj burrë i thënshin Jamarbër Malltezi dhe kanë kohë që projektojnë bizneset e familjes dhe mëkëmbësin e babait.

Regjimi i sotëm i Tiranës e ka kthyer totalisht vendin e shqiponjave (laraskave) të Mesdheut në një oaz démodé oriental ku amullia dhe korrupsioni mbysin lirinë,sipërmarrjen e ndershme dhe stopimin e mirëqenies kolektive. Pas legalizimit të vjedhjeve elektorale, pas mefshtësisë dhe burracakërisë opozitare, pas kompromiseve makute të shoqërisë civile dhe industrisë mediatike që kanë bërë me pushtetin kemi një lloj mpirje të qytetarisë dhe rizgjimin e virusit osman që fle brenda AND-së sonë. Agravimi i situatës pleksur me vapën e korrikut, plazhet e shurrosura, varfërimin e shumicës dhe pasurimin ekstrem të një pakice verioro-besnike-servile, turistët kosovarë me brekë plazhi kuq e zi, infrastruktura e vendit e cila ka më shumë kilometra shiritash përurimi sesa rrugë, të gjitha këto janë një fotografi jo më bardhë e zi si ato të zotit Parr, por një telenovelë bajate reale e prodhuar dhe transmetuar në 3D dhe HD.

Po ikën i dremitur ky korrik, i dremitur si opozita por aspak si Berisha i fituar me zgjedhje të vjedhura dhe me kryebashkiak të ri të balsamosur për këtë Tiranë që pritet shumë shpejt të mumëzohet. Imagjinoni korrikun e vitit tjetër kur në vend të Bamir Topit do të kemi ndonjë Shaban Memiaj apo në vend të Ina Ramës ndonjë Alush Dragosh dhe ne thjesht do të kënaqemi me kronikat televizive apo ndonjë zhurmë sporadike të opozitës e më pas do të marrim bukë, domate dhe djathë me vete,do e mbështjellim me gazetë e do të nisemi me tren drejt Durrësit për plazh. Oh sa do të kënaqemi buzë Adriatikut ku lahen kosovaret dhe shqiptaret e Maqedonisë me fustan e shami në kokë, do të shëtisim kur të bjerë muzgu mbi rërën e lagur dhe sa të errësohet do blejmë një shishe konjak ta fusim poshtë brekëve dhe të shkojmë ta pimë te diskoteka ku këndojnë Live Sinani me Seldin. Kështu kënaqemi ne shqiptarët korrik pas korriku, vit pas viti

*facebook.com/bledi.mane

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›