Pa kinema - nuk ka kinematografi
Vlerësimi i gjendjes së kinemave është hapi i parë fondamental për kultivimin dhe zhvillimin e kinematografisë kombëtare. Ringjallja e kinemave është hapi tjetër për të ofruar mundësinë e shfaqjes së filmave nga bota. Por, për të joshur distributorët e jashtëm dhe për t’i cytur ata që duan të investojnë në rrjetin ekzistues, apo të ndërtojnë kinema të reja të tipit multipleks, duhet t’u tregojmë sa është potenciali real i shikuesve, cila është struktura e tyre, sa kinema janë funksionale, sa të tjera mund të aftësohen, sa kanë nevojë të ndërtohen, në pronësi të kujt janë etj. Me fjalë të tjera, duhet të bëhet studimi bazë i rrjetit të kinofikimit, studim ky që nuk është bërë asnjëherë. Është e çuditshme se si nuk ka interesim të bëhet një gjë e tillë as tash, edhe pse dihet fare mirë se filmat nuk mund të shfaqen nën qiellin e hapur as në magazina bujqësore. Kot i mbështesim filmat e vendit, kur s’kemi ku t’i shfaqim. Kemi filluar të izolohemi si në mesjetë, ndërkaq, jemi në shekullin XXI. Për të dalë nga ky qark i mbyllur së pari duhet shumë energji, edhe më shumë durim që të binden zyrtarët përgjegjës së pa kinema s’ka kinematografi dhe pa e ditur gjendjen e tyre nuk mund të dalësh nga rrethi i mbyllur. Pa kinema nuk ka ekran të madh dhe pa ekran të madh nuk ka mundësi të shihen filmat ashtu sikurse janë prodhuar. Kjo gjë është dëshmuar në botë, prandaj biznesi kinematografik nuk ka provuar ndonjë formë tjetër jashtë asaj të kinemave. A bën Kosova përjashtim nga bota e qytetëruar? Filmat e formatit DVD janë kompensim i mjerë për ekranin magjik. Kinematë në botë janë epiqendra e filmit, te ne nuk është kështu tash njëzet vjet. Dikur ishim në hap me kohën në lëmin e shfaqjes së filmave. Tash po ecim prapa... Edhe prodhimtaria e kinematografisë në Kosovë është për t’u vajtuar: pak filma, pak lekë për xhirime dhe shumë dëshira të parealizuara të kineastëve. Për t’u qarë është edhe gjendja e kinemave në Kosovë: nga 33 kinematë e dikurshme të përhershme të kohës së autonomisë, në shtetin e pavarur kemi vetëm një kinema. Thuhet se janë 22 kinosalla, por ato duhet t’i furnizojë dikush me filma, ose përgjegjësit e tyre duhet të kërkojnë filma. Prishtina i ka mundësitë e kufizuara, Tirana i mjafton vetes. Një film i Kosovafilmit apo i importuar nga Kosovafilmi dikur kishte deri në 88 mijë shikues vetëm në Prishtinë. Sot, një film me fat, mezi e arrin shifrën 5.000 veta. Dikur kishim rrjet të zhvilluar të kinemave, por njëkohësisht kishim edhe distribucion të lakmueshëm. Vetëm Kosovafilmi importoi 200 filma artistikë, kryesisht nga Perëndimi. Por ata filma kishte ku t’i shfaqte. Kjo shtëpi filmike ka mundësi edhe sot të importojë filma nga Hollivudi, mirëpo s’ka ku t’i japë, sepse me një kinema nuk mund të blihen as të prodhohen filma. Me Tiranën jemi mbyllur kohëve të fundit: gati as nuk marrim as nuk japim filma, më keq se njëzet vjet më parë, kur po Kosovafilmi i shfaqte shumicën e filmave të kinostudios “Shqipëria e re” jo vetëm në Kosovë, por në tërë hapësirën etnike dhe në një pjesë të madhe të ish-Jugosllavisë.
Sikur të kishte mjete, Kosovafilmi ka mundësi në mënyrë të pavarur të bëjë studimin e rrjetit të kinofikimit, të iniciojë ringjalljen e kinemave, të formojë distribucionin e dikurshëm, të bëjë kontrata me prodhuesit e mëdhenj të Evropës e të botës për shpërndarjen e filmave në gjithë hapësirën shqiptare, sepse ende i ka ekspertët më të mirë në shtet, ende i ka lidhjet e vjetra, partnerët afaristë në rajon, mirëpo mungesa e buxhetit është refreni bezdisës jo vetëm për filmin. Pas luftës është bërë një përpjekje nga Kosovafilmi për të konstatuar gjendjen e kinemave, më shumë ishte përpjekje për të konstatuar shkallën e shkatërrimit nga lufta se sa studim i mirëfilltë i rrjetit të kinofikimit.
Një grup ndërkombëtar në periudhën e kaosit të pasluftës, paraqiti një projekt të shtrenjtë për studimin e rrjetit të kinemave, por sikurse shumica e projekteve ndërkombëtare të asaj kohe, ata merrnin lekët, kurse ekspertët vendës e bënin punën. Nuk e di a e realizuan këtë “projekt”, por e di që Kosovafilmit i ofruan 3.000 euro për punën që do t’ua kryente nga 30.000 euro që ata ia kërkuan Ministrisë së Kulturës e fondeve të tjera. Gjendja e kinemave, natyrisht, ka ndryshuar ndërkohë. Nuk mund të flas me saktësi e shifra konkrete, sepse për këtë gjë lipset një aksion ekipor njëmujor për të hulumtuar në terren, por e di se disa nga kinematë e shkatërruara apo të djegura janë rinovuar, apo rindërtuar, disa janë mbyllur, apo janë bërë magazina mallrash, ndërsa shumë kanë kushte për shfaqje më ndërhyrje e rinovime. Mirëpo, nuk e kryejnë funksionin për të cilin janë ndërtuar, sepse pjesa dërmuese e tyre kanë teknikë të vjetër ‘Iskra” të para 40 vjetësh, u mungojnë teknikët e specializuar, u mungon teknologjia e re. Gjendja e kinemave nuk ka ndryshuar as sa i përket çështjes së pronësisë. Me përjashtim të kinemasë në Gjilan, të gjitha kinematë tjera janë me pronësi të ngatërruar shoqërore, por kryesisht janë nën administrim të komunave. Privatizimi i tyre është shpëtim, për ç’gjë menaxherët lokalë s’ka dyshim se thartohen kur e dëgjojnë. Mirëpo, privatizimi rrezikon t’ua humbasë qëllimin, meqë edhe më tutje një pronar kinemaje, mendon dhe beson se më shumë do të fitonte po e bëri qebaptore apo kafene. Por, po mbeten kinematë ashtu siç janë, rrezik të vazhdojë gjendja kështu si është: kinematë që nuk janë kinema. Kjo gjendje na ndjek një kohë të gjatë, nuk është e viteve të fundit, por nuk duhet të vazhdojë deri në pafundësi.
Autori është drejtor i Kosovafilmit