Tragjedia e Gërdecit, familjarët kallëzim penal ndaj Mediut
Familjarët e viktimave të tragjedisë së 15 marsit 2008 në Gërdec kanë depozituar një tjetër kallëzim penal në Prokurorinë e Përgjithshme ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, aktualisht deputet dhe ministër Mjedisi. Kallëzimi penal është i firmosur nga 21 përfaqësues të familjeve të viktimave të Gërdecit. Dorëzimi i kallëzimit penal, i paralajmëruar ditë më parë nga familjarët e prekur nga tragjedia, u dorëzua paraditen e djeshme nga e ëma e Edison Durdës, vogëlushit 6-vjeçar, i cili humbi jetën, bashkë me 25 persona të tjerë nga shpërthimi i fabrikës së demontimit “Albdemil”. Kallëzimi penal u konsiderua nga vetë familjarët si një nxitje për organin qendror të akuzës, për të vënë sërish në lëvizje Prokurorinë e Përgjithshme për të kërkuar heqjen e imunitetit të deputetit Mediu. Kjo lëvizje vjen pas pushimit të çështjes nga Gjykata e Lartë. “Kërkojmë të rihapet çështja. Asnjë dispozitë ligjore nuk përbën pengesë për prokurorinë për t’i rikërkuar Parlamentit heqjen e imunitetit ndaj Mediut”, - deklaroi për mediat Zamira Durda. Ata i bëjnë thirrje kryetares se Parlamentit, Jozefina Topalli, Kryeprokurores Ina Rama dhe kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Becaj, të bëjnë çdo përpjekje që çështja të mos pengohet e të vihet në vend dinjiteti. Pas veçimit të dosjes së ish-ministrit të Mbrojtjes, procesi ndaj Fatmir Mediut u pushua nga Gjykata e Lartë, ndërsa për 28 të pandehurit e tjerë vazhdon gjykimi në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës. Për këtë tragjedia, vetëm katër janë të pandehurit e arrestuar, Delijorgji, Pinari, Minxholli e Ngjeçi, ndërsa të tjerët ndiqen në gjendje të lirë. Të pandehur që gjykohen në gjendje të lirë janë ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Luan Hoxha; zëvendësi Agim Lala, Shpëtim Spahiu, Zija Bahja, Ramadan Tartari, Ndue Marku, Ardian Mullahi, Adriatik Mema, Shkëlzen Madani, Dashnor Çaushaj, Zenun Fero, Hysni Coçka, Hilmi Laçaj, Fari Toska, Rezart Tërshana, Besnik Dauti, Agim Babameto, Fiqiret Mato, Lavdi Shatro, Gëzim Oshafi, Denis Hajdari, Jorgo Mino dhe Fatbardh Kuçi.