Ku shkel Berisha nuk ka ligj
Këtë fundjavë pritet që të nisë sezoni i ri i Superligës. Në Kukës, vendasit që për herë të parë luajnë në elitën e futbollit shqiptar, do të presin Luftëtarin e Gjirokastrës. Deri këtu nuk ka asnjë çudi.
Por, në stadium, ditën e dielë pritet që të jetë i pranishëm edhe kryeministri Berisha, një njeri jo fort i pasionuar pas futbollit dhe që rrallë se ka shkelur ndonjëherë në stadiume.
Berisha pritet që të jetë në këtë ngjarje, për shkak se përurohet stadiumi i ri i Kukësit, ku mendohet që do të ketë mijëra njerëz të pranishëm. Dhe, Berisha natyrisht që do ta shfrytëzojë edhe për politikë këtë ngjarje.
Vetëm se, stadiumi i Kukësit është dënuar me 6 javë sezonin e kaluar, që ndeshjet brenda ti zhvillojë pa spektatorë. Por, ky dënim do të prishet këtë javë, pikërisht prej faktit se në stadium do të jetë Berisha. Fundja, kur bëhet fjalë për Berishën, çdokush është gati që të shkelë ligjet dhe të mos i respektojë, vetëm për ti bërë qejfin kryeministrit të vendit.