E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionistët, në pritje të vendimit të qeverisë për shpërblimin e fundvitit



Jonida Tashi

Pensionistët e fshatit dhe të qytetit ende nuk e dinë se nëse do të gëzohen në ditët e fundit të këtij muaji me një shpërblim për festat nga qeveria. Një vendim i Këshillit të Ministrave do të vendosë jo vetëm për shpërblimin por edhe për masën që do të përfitojë mosha e tretë. Burime tregojnë se qeveria ende nuk ka marrë ende një vendim konkret që të detajojë masën e këtij shpërblimi, burime zyrtare nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se ai do të variojë nga 4-6 mijë lekë për çdo familje pensionistësh. Lidhur me këtë çështje, burime zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) sqarojnë se deri tani nuk janë njoftuar për shpërblimin që do të marrin 550 mijë pensionistë në vend, pasi pritet dalja e vendimit të qeverisë. Sipas të njëjtave burime, një gjë është e sigurt, se nëse këtë vit do të ketë shpërblim për moshën e tretë, Instituti i Sigurimeve Shoqërore do ta shpërndajë atë në kohë, në mënyrë që të mos ngelet marrja e tij në tri ditët e fundit të dhjetorit. “Deri tani nuk është marrë asnjë vendim, megjithëse është pak herët, pasi përgjithësisht ky vendim merret rreth datës 20 të dhjetorit. Gjithsesi, sapo Ministria e Financave të na sjelli vendimin ne do të fillojmë menjëherë shpërndarjen e tij, sipas grafikut të posaçëm”,- ka pohuar për gazetën, shefi i Zyrës së Shtypit në ISSH, Agim Baçi.
Udhëzimi
Aktualisht Ministria e Financave ka nisur përgatitjen e udhëzimit për shpërblimin e pensionistëve për festat e fundvitit. Burime zyrtare nga ky dikaster bëjnë të ditur se ka filluar të diskutohet vendimi për shpërblimin e pensionistëve, por ende nuk është përcaktuar se sa do të jetë konkretisht masa e tij në lekë. Të njëjtat burime sqarojnë se masa e shpërblimit për pensionistët mund të jetë e njëjtë me vitin e kaluar, pra rreth 5 mijë lekë. Por duke qenë se ende gjithçka është në fazën e diskutimeve pritet që në ditët në vijim të mësohet diçka më shumë për përfitimet shtesë, që do të kenë pensionistët për festat e fundvitit. Megjithatë, për të mësuar përfundimisht se kur do të nis shpërndarja e këtij shpërblimi dhe sa lekë do të jetë ai pritet vendimi i kryeministrit të vendit, Sali Berisha, si dhe do të shikohen mundësitë që ka buxheti i Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Gjithashtu është parashikuar që në rast se buxheti i ISSH-së nuk do të arrijë të përmbushë nevojat, atëherë Ministria e Financave do të ndërhyjë për të plotësuar fondin e nevojshëm për shpërblimin e pensionistëve.
Propozimet
Ndonëse nuk është përcaktuar ende se sa do të jetë masa e shpërblimit për pensionistët, në fuqi mbeten dy propozime, realizimi i të cilave varet nga fondi që është vënë në dispozicion të Ministrisë së Financave në përballimin e shpërblimit. Përsa i përket këtyre dy propozimeve, burimet sqarojnë se një nga propozimet është që shpërblimi për moshën e tretë të jetë i barabartë si për pensionistët që jetojnë në fshat ashtu edhe për ata që jetojnë në qytet dhe shuma e këtij shpërblimi të jetë 5 mijë lekë. Ndërsa propozimi tjetër, parashikon rritjen e shpërblimit për pensionistët në rreth 6 mijë lekë. Në rast se rritja e masës së shpërblimit nuk është e realizueshme për të gjithë pensionistët, ekspertët kanë specifikuar që shpërblimin prej 6 mijë lekësh ta përfitojnë pensionistët që kanë shumë probleme ekonomike. Në këtë kategori, ekspertët kanë përfshirë pensionistët që kanë në ngarkim persona të tjerë të familjes që nuk janë në marrëdhënie pune, ose familjet ku vetëm një nga pjesëtarët e rritur përfiton pension, kurse tjetri nuk ka asnjë të ardhur. Burimet bëjnë të ditur se vendimi përkatës për dhënien e shpërblimit moshës së tretë pritet të dalë në 15 ditshin e parë të muajit dhjetor. Pas daljes së këtij vendimi, Ministria e Financave do të bëjë publik udhëzimin përkatës për masën e tij, ndërsa Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të përcaktojë grafikun e shpërndarjes së shpërblimit. Vitin e kaluar, vendimi për shpërblimin e pensionistëve u bë publik në datën 22 dhjetor.

Tradita për fundviti që gëzon moshën e tretë

Dhënia e shpërblimit për fesat e fundit jo vetëm për moshën e tretë, por edhe për punonjësit e administratës tashmë është kthyer në traditë për vendin tonë. Fillimisht shpërblimi për festat ose siç u quajt ndryshe nga ish-kryeministri i vendit Fatos Nano, si “Kartolina e Vitit të Ri” për pensionistët u aplikua për herë të parë nga Nano në vitin 2004, kur ai u premtoi dhe u shpërndau një shpërblim prej 3 mijë lekësh për të gjitha kategoritë e të moshuarve. Më pas, edhe pas ndërrimit të pushteteve, në vitin 2005, kur në krye të qeverisë erdhi kryeministri aktual i vendit Sali Berisha, u respektua e njëjta traditë. Që nga viti 2005, Berisha ka miratuar vendimin për shpërblimin e pensionistëve dhe administratës, duke u dhënë një pagesë deri në 5 mijë lekë moshës së tretë, si si një “dhuratë” për festat e fundvitit. Aktualisht në vendin tonë janë rreth 550 mijë pensionistë përfitues të këtij shpërblimi që jepet çdo fundvit, me rastin e festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Vitin e kaluar, sikurse edhe tre vitet e mëparshme, të gjithë pensionistët kanë përfituar një shpërblim prej 5 mijë lekësh. Shpërblimi është dhënë për të gjithë pensionistët, pavarësisht vendit ku ata ndodhen apo kategorisë që i përkasin. Ashtu siç ka ndodhur çdo vit, këta pensionistë do të kenë mundësi që të marrin një rritje pensioni vetëm për muajin fundit të vitit, si kompensim për të kaluar sa më mirë festat e fundvitit. Tradicionalisht, sezoni i festave të fundvitit është shoqëruar me një rritje të çmimeve të mallrave të konsumit, gjë që është vënë re edhe në këtë situatë, aq më tepër duke marrë parasysh rënien e fuqisë blerëse. Këto fakte kanë zbehur vlerën financiare të shpërblimeve, si dhe kanë varfëruar tryezën e festës së Vitit të Ri, si festa tradicionale e shqiptarëve. Veç pensionistëve, qeveria ka vendosur që të shpërblejë edhe punonjësit e administratës qendrore dhe lokale me 10 mijë lekë shpërblim. Në fund të muajit nëntor, qeveria miratoi vendimin për krijimin e një fondi të posaçëm rreth 5 për qind, për shpërblimet e punonjësve të çdo dikasteri mbi bazën e vlerësimit të titullarit të institucioni, jo më shumë se dy rroga shpërblim, kryesisht për punonjësit e administratës tatimore.

Shpërblimi, shpërndarja do të bëhet sipas grafikut

Edhe këtë vit shpërblimi për moshën e tretë do të shpërndahet sipas skemës tradicionale të ISSH-së, pra nëpërmjet grafikut të caktuar me datat përkatëse. Sakaq, për të realizuar dhënien e këtij shpërblimi pritet që qeveria të miratojë një dekretligj, i cili do t’i hapë rrugë procedurave të mëtejshme për shpërblimin e kësaj kategorie. Më pas do të jetë Kuvendi i Shqipërisë, ai që do të miratojë dekretligjin, fill pas kësaj procedure do të nis shpërndarja e shpërblimit. Shpërndarja do të realizohet sipas listës së emrave dhe urdhër-pagesave, që do të shpërndahen në zyrat e postës, ku bëhet edhe shpërndarja e pensioneve. Mendohet që ky shpërblim të shpërndahet në 10 ditshin e fundit të muajit dhjetor, me qëllim që të gjithë pensionistët ta marrin shpërblimin para natës së ndërrimit të viteve. Për të evituar problemet në shpërndarjen e pensioneve, si dhe në përfundimin e dhënies së shpërblimit të fundvitit, Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të hartojë një grafik, i cili do të mundësojë shpërndarjen pa probleme të tij. Grafiku parashikon shpërndarjen e shpërblimit deri më 30 dhjetor, duke kombinuar për çdo ditë marrjen e këstit mujor nga ata që kanë datën e zakonshme të tërheqjes së pensionit, me dy data të mëparshme që e kanë tërhequr pensionin dhe që pas orës 13.00 do të përfitojnë vetëm shpërblimin. Sipas këtij grafiku, pensionistët do ta marrin shpërblimin në datën e caktuar kur marrin edhe pensionin. Ndërsa pas orës 13.00 do të jepet pensioni për ata pensionistë që u ka kaluar data e pensionit. Pensionistët që cilët nuk do arrijnë ta marrin shpërblimin para festave të fundvitit, do ta marrin atë në janar të vitit 2009 kur të kenë datën e marrjes së pensionit.

9 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›