E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abuzimet e mjekëve, rruga ligjore që ndiqet për marrjen e masave



Emanuela Sako

Personeli shëndetësor shpeshherë është vënë në qendër të vëmendjes për abuzime në punën e tyre. Shteti shqiptar ka vendosur një rregullore për marrjen e masave ndaj mjekëve abuzues, para se çështja t’i organeve të drejtësisë. Në rast se një mjek akuzohet për shkelje, për këtë merret Urdhri i Mjekut dhe drejtoria përkatëse e spitalit. Ata bëjnë verifikimin e rastit dhe shqyrtimin e çështjes në bazë të dokumentacionit përkatës për mjekimin e pacientit dhe dëgjimin e dy palëve, mjekëve dhe akuzuesve. Për hetimin e ngjarjes, në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë ekziston struktura e Urdhrit të Mjekut, e cila merret me verifikimin e rasteve, ankesave të pacientëve dhe përcaktimin nëse mjekët janë fajtor ose jo. Të gjitha ankesat e mbërritura në Urdhrin e Mjekëve, pa përjashtim i nënshtrohen shqyrtimit dhe vendimmarrjes në kryesinë e Këshillit Rajonal.
Rregullorja
Rregullorja parashikon që ankesat të jenë të dorëzuara me shkrim dhe të paraqesin tërësisht situatën dhe llojin e mjekimeve që kanë marrë, apo shkakun kryesor të problemit. Ata marrin parasysh vetëm ankesat me shkrim, të firmosura nga ankuesi apo përfaqësuesi zyrtar i institucionit që bën denoncimin, si dhe konstatimet e sinjalizuara nga mas-media. Urdhri i Mjekëve shqyrton rastet dhe ndërmerr masa disiplinore kur mjekët kanë shkelur kompetencat profesionale dhe ku evidentohen mangësi serioze në rastin e kurimit të pacientëve. Mjekët marrin në shqyrtim ankesat e pacientëve kur ka një akuzë për shpërdorim apo sjellje të keqe profesionale. Në gjykimin e Urdhrit të Mjekëve bëjnë pjesë të gjitha rastet kur një mjek është dënuar nga organet e drejtësisë. Njëkohësisht, masa merren kur për shkak të gjendjes shëndetësore të mjekëve, ai bëhet i paaftë dhe i papërgjegjshëm për të ushtruar profesionin. Nëse rasti është me pasojë vdekje, çështja i shkon organeve të drejtësisë.
Masat
Komisioni Disiplinor heton dhe gjykon në bazë të fakteve dhe provave të administruara gjatë seancës dëgjimore. Ky institucion ka të drejtë të hetojë në rast se vërteton se anëtari ka kryer shkelje të etikës mjekësore. Urdhri i Mjekut, në rast konstatimi të fajit të mjekut ka të drejtë të marrë masë me gjobë dhe deri në pezullim nga puna. Rregullorja u lejon të japin si masë disiplinore; vërejtje me paralajmërim; gjobë, nga 1.000 - 100.000 lekë; propozim për shkarkim nga funksione drejtuese në institucione shëndetësore etj. Ky institucion ka të drejtë të pezullojë nga puna, mjekët e fajësuar, deri në dy vjet. Më pas, mjekët kanë të drejtë të kthen në detyrë. Pranë Urdhrit të Mjekëve, drejtohen dhjetëra ankesa, të cilat shqyrtohen nga komisioni përkatës. Shpeshherë çështjet kanë përfunduar, duke gjetur kompromis mes palëve. Ndërsa në raste të tjera procedurat janë tejzgjatur.

9 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›