E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhjetori 90 i klonuar



Nga Armando Meta

Sheshi “Skënderbej” në Tiranë është mbushur dje pasdite me mijëra qytetarë të ardhur nga shumë qytete të vendit, duke u vënë në dispozicion furgonë, autobusë, deri edhe tren falas nga ana e PD-së dhe drejtuesve të lartë të kësaj partie në administratën shtetërore. Mitingu i organizuar nga PD-ja synonte të përkujtonte 19-vjetorin e Lëvizjes Studentore që çoi më pas në përmbysjen të sistemit komunist në Shqipëri. 8 dhjetori është një datë e shënuar në historinë tonë kombëtare, pasi ndau vendin nga diktatura staliniste, duke e futur në rrugën e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. PD-ja, në 19 vjet, nuk e ka festuar asnjëherë 8 dhjetorin. Kjo për arsyen sepse 8 dhjetori ‘90 nuk ka të bëjë me këtë forcë politike, por është dita kur rinia shqiptare, studentët, u ngritën për t’i dhënë fund një regjimi të kalbur. Ishte pikërisht kjo Lëvizje Studentore që çoi më pas në krijimin e PD-së më 12 dhjetor 1990. Edhe vetë kryeministri Berisha, shumë kohë më parë, është shprehur se 8 dhjetori është festa e studentëve, ndërsa PD-ja, sipas tij, feston ditën e krijimit. Por ajo që vumë re mbrëmë, më shumë sesa një përkujtim i një date të shënuar, ishte një përpjekje për të privatizuar nga Berisha Lëvizjen Studentore. Kjo u duk edhe në fjalimin patetik të zotit Berisha, që i konsideroi dhjetoristët si “ish”, duke folur për ta në kohën e shkuar, sikur të ishin arshivuar në muze prej të paktën 100 vjetësh.
I gjithë mobilizimi i aparatit shtetëror për të mbushur dhunshëm sheshin, duke sjellë forcërisht administratën, nxënësit dhe buxhetorët, të jepte shijen e një antimitingu ndaj opozitës, ku palët synojnë të prezantojnë forcat në terren. Ajo që të linte shijen e hidhur në këtë antimiting ishte fakti se, kryeministri Berisha, në ditën e lindjes së opozitës në Shqipëri, pas afro 45 vjetësh diktaturë, sulmoi egërsisht opozitën e sotme, si institucion i jetës politike në vend. Deklaratat e tij kundër opozitës ishin të gabuara dhe u bënë në ditën e gabuar. Por, ajo që e bën më të trishtë festimin e këtij përvjetori, është përpjekja për të falsifikuar historinë, personazhet dhe plot detaje të tjera, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me PD-në, e aq më pak me 8 dhjetorin. Figurat kryesore të Dhjetorit ’90 mungonin dje në tribunë. Arsyeja është e thjeshtë: ata janë dëbuar nga Berisha për shkak të përpjekjes për të demokratizuar PD-në. Azem Hajdari, një nga figurat qendrore të Lëvizjes Studentore, u eliminua fizikisht në shtator të vitit 1998. Me gjithë premtimin se kur të vinte në pushtet do të zbardhte vrasjen e tij, Berisha as që e ka përmendur më këtë premtim. Ndërsa protagonistët e tjerë të vitit ‘90 janë larg PD-së, kryesisht për shkak të përplasjeve me Berishën. Ish-kryeministri Aleksandër Meksi, që është edhe numri Një i listës së themeluesve të PD-së, duket e ka pasur të vështirë të gëlltisë mbrëmë faktin se si personazhe që s’kanë asnjë lidhje me Dhjetorin ’90, çirreshin në tribunë sikur janë ata protagonistë të atyre ditëve. Po kështu, edhe Preç Zogaj, një figurë mjaft e spikatur e atyre ditëve dhe e jetës politike në vend, është i detyruar të ndjekë nga TV-ja se si personazhe, pa asnjë lidhje me Dhjetorin ’90, deklarohen si protagonistë të atyre ditëve. Shije trishtimi kanë provuar edhe shumë e shumë të tjerë që mbrëmë ndiqnin nga ekranet mitingun, pasi vendet në tribunë ishin zënë nga zyrtarët e sotëm të PD-së. Një falsifikim i historisë në mënyrë shumë arrogante dhe pa i ardhur turp askujt. Berisha po bën përpjekje të tjetërsojë historinë me personazhe që nuk kanë qenë jo pjesë kryesore, por as periferike e asaj lëvizjeje. Madje as ai vetë nuk ka qenë pjesë e kësaj ngjarjeje të madhe. Të përpiqesh të falsifikosh historinë, të pomposh në tribuna njerëz që s’kanë asnjë lidhje me 8 dhjetorin, të sulmosh opozitën në ditën e lindjes së opozitarizmit në vend dhe të sjellësh përdhunshëm njerëz në miting, janë detaje që përpiqen ta shpërfytyrojnë Lëvizjen Studentore. Por, nga ana tjetër, 8 dhjetori ‘90 nuk është larg dhe protagonistët e atyre ditëve, ndonëse nuk ishin në tribunë me Berishën, janë personazhe reale që mundësuan në ato ditë dimri ngjarjen më të jashtëzakonshme të historisë së Shqipërisë. Fakti që ata që ishin mbrëmë në tribunë nuk ishin të pranishëm më 8 dhjetor ‘90, duket se e bëri këtë datë të ndryshojë epokat.
PD-ja është aktualisht një parti e klonuar, por protagonistët e Lëvizjes së Dhjetorit ‘90 nuk mund të klonohen.

9 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›