Ministri Tafaj: “Qendër për arsimin profesional në Kamzë”
Ministria e Arsimit ka premtuar për ngritjen e një qendre të re profesionale në Kamzë, ku do të ketë ndihmën e Qeverisë Gjermane. Qeveria Gjermane po ndihmon zhvillimin e sistemit parauniversitar dhe formimin profesional në vendin tonë. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj priti delegacionin e Republikës Federale të Gjermanisë që ndodhet në Shqipëri për bisedime teknike me palën shqiptare për protokollin e bashkëpunimit Shqipëri-Gjermani për vitin 2010-2011, në të cilin prioritet është edhe arsimi.
Në lidhje me Arsimin dhe Formimin Profesional në Shqipëri, Ministri Tafaj garantoi mbështetjen e MASH-it për të mundësuar krijimin e një pakete për bursa dhe punësim për nxënësit që ndjekin shkollat profesionale. Ministri i Arsimit dhe Shkencës gjatë takimit propozoi edhe ngritjen e qendrës më të madhe të arsimit profesional në Shqipëri, një qendër pilot në Kamzë, e cila do t’i shërbejë gjithë Qarkut të Tiranës me një kapacitet rreth 1500 nxënës. Përfaqësuesja për Shqipërinë e Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, Angela Eckert shprehu mbështetjen e qeverisë gjermane me asistencë teknike, për të arritur objektivat e programit ambicioz qeveritar në fushën e arsimit profesional. Ministri Tafaj, u shpreh për bashkëpunimin e suksesshëm, kontributin konkret dhe asistencën e Republikës Federale të Gjermanisë në fushën e arsimit parauniversitar dhe kryesisht në atë profesional.
Ksera: “Lufta kundër dhunës në familje problem kombëtar”
Lufta kundër dhunës në familje është vënë përsëri në qendër të vëmendjes së Ministrisë së Punës dhe Organizmave të tjera ndërkombëtare. Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, mori pjesë në Konferencën “Ta bëjmë realitet: Strategji të suksesshme për zbatimin e Ligjit Kundër Dhunës në Familje në Shqipëri”. Konferenca u organizua nga Ministria e Punës, PNUD dhe Rrjeti Kundër Dhunës Gjinore dhe Trafikimit. “Kam kënaqësinë e veçantë të përshëndes dhe të falënderoj organizatat e Kombeve të Bashkuara për mbështetjen që i kanë dhënë sfidës gjinore në Shqipëri dhe njëkohësisht të ndaj me ju një pjesë të përpjekjeve dhe sfidave të institucionit që drejtoj në fushën e Barazisë Gjinore dhe kundër Dhunës në Familje. Barazia Gjinore dhe lufta kundër dhunës në familje, tashmë janë një ndër prioritetet kryesore të Qeverisë Shqiptare. Vetëm vitet e fundit janë miratuar dhe ka filluar implementimi i një sërë dokumentesh të rëndësishëm politikë dhe legjislativë si, Strategjia Kombëtare e Barazisë Gjinore dhe kundër Dhunës në Familje, Ligji ‘Për masa ndaj Dhunës në Marrëdhëniet Familjare’, Ligji ‘Për Barazinë Gjinore në Shoqëri’. Pas vetëm një viti nga miratimi i Ligjit “Për Barazinë Gjinore në Shoqëri”, ne konstatojmë që përfaqësimi i grave dhe vajzave në parlament u rrit nga 7% në 16% “,- theksoi Ministri i Punës.
Ksera u shpreh se Ministria e Punës tashmë ka një plan të detajuar veprimi për të luftuar dhunën ndaj grave. Ai premtoi se do të ketë përmirësim të kuadrit ligjor për dhunën, në të cilën do të përfshihen disa institucione. Sipas tij, do të ndërhyhet në programet e nxitjes së punësimit, pasi çështjet e dhunës në familje janë kategorizuar si grupe të veçanta dhe këto kategori përfitojnë formim profesional falas. Njëkohësisht, do të bëhet amendimi i Ligjit të Ndihmës Ekonomike për këtë kategori, e cila do të specifikohet si një nga kategoritë e drejtpërdrejta përfituese të këtij Ligji. Projekti parashikon kryerjen e një sërë fushatash kombëtare ndërgjegjësuese dhe sensibilizuese, të cilat edhe më parë janë organizuar në të gjithë qarqet e vendit, për të çuar kudo informacionin në lidhje me aksesin që ka mbrojtja ndaj dhunës në familje. Aktualisht, vazhdon trajnimi në të gjitha qarqet e vendit të punonjësve gjinorë në bashkëpunim me prefekturat dhe njësitë vendore. Për herë të parë, është hartuar dhe do të nisë shpejt procedurën e kthimit në aktin ligjor respektiv, Sistemi Kombëtar i Harmonizuar i Treguesve të Barazisë Gjinore dhe Dhunës në Familje, sistem i cili do ti japë mundësi institucioneve përgjegjëse dhe kujtdo që është i interesuar të njohë përparimin e statusit të gruas në Shqipëri.
9 Dhjetor 2009