Kualifikimi, Ministri Tafaj: Shqyrtoni kërkesat e pedagogëve për titujt akademik
Jonida Tashi
Pas dy vitesh pezullimi çelet drita jeshile për kualifikimin e pedagogëve, nga cili varet edhe procesi i marrjes së titujve akademik. Zyrtarisht mësohet se ky proces është bllokuar nga Ministria e Arsimit që në vitin 2007 e deri në ditët e sotme, për arsye që mjaft prej zërave të njohur të universiteteve nuk i kanë ende të qarta. Duke marrë shkas nga emërimi i një ministri të ri në krye të Ministrisë së Arsimit, dhe dhënies fund të kësaj situate të padrejtë për qindra pedagogë, universitetet që lejohen të lëshojnë tituj akademik si, “Profesor”, “Profesor i asociuar”, “Docentë” etj., i kanë kërkuar kreut të ri të Arsimit, që të marrë masa për mbarëvajtjen e këtij procesi. Burime zyrtare pranë Universitetit të Tiranës bëjnë të ditur se ministri Myqerem Tafaj është treguar i gatshëm për zgjidhjen e këtij problemi, duke urdhëruar personat përkatës si dhe universitetet që të vijojnë zbatimin e programit të kualifikimit të pedagogëve. Për shkak të situatës së krijuar më parë nga dy ish-paraardhësit e Tafajt, Genc Pollo dhe Fatos Beja, që nga viti 2007 deri në 2009-n, në Universitetin e Tiranës asnjë pedagogë nuk ka mundur të marrë titullin “Profesor”, megjithëse puna për fitimin e tij ka qenë e palodhshme. Ndërkohë që e njëjta situata mësohet se ka qenë edhe në universitetet e tjera të vendit që kanë të drejtë të lëshojnë tituj akademik.
Kualifikimi
Aktualisht kualifikimi i pedagogëve në universitetet e vendit tonë realizohet sipas Vendimit Nr.467, të marrë nga qeveria në datën 18 korrik 2007 “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurave për kualifikimin, shkencor e pedagogjik, të personelit akademik”. Sipas këtij ligji, sistemi i kualifikimit shkencor ka si qëllim përgatitjen e shkencëtarëve, të aftë për të konceptuar, organizuar, planifikuar dhe drejtuar studime e hulumtime, kërkimore-shkencore e pedagogjike të nivelit bashkëkohor. Sistemi i kualifikimit shkencor përfshin studimet e doktoratës dhe kualifikimin, shkencor e pedagogjik, pas saj. Universitetet që kanë të drejtë të promovojnë personelin akademik për titujt “Profesor i Asociuar” dhe “Profesor” janë: Universiteti i Tiranës; Universiteti Politeknik i Tiranës; Universiteti Bujqësor i Tiranës; Akademia e Arteve të Bukura, Tiranë; Akademia e Kulturës Fizike dhe Sporteve, Tiranë; Qendrat kërkimore-shkencore, me status të krahasueshëm me atë të një universiteti.
Titujt
Sipas ligjit për kualifikimin e pedagogëve, të gjitha institucionet e arsimit të lartë publik kanë të drejtë të promovojnë personelin akademik, të punësuar me kohë të plotë, për titullin “Docent” dhe “Profesor emeritus”. Ndërsa institucionet private të arsimit të lartë, të akredituara, kanë të drejtë të promovojnë personelin akademik, të punësuar në to, me kohë të plotë, vetëm për titullin “Docent”. Sakaq, për organizimin dhe drejtimin e kualifikimit, shkencor e pedagogjik, pas doktoratës, në fakultetet e institucioneve të arsimit të lartë është ngritur Këshilli i Profesorëve (KP), në të cilin bëjnë pjesë të gjithë profesorët, me kohë të plotë, të fakultetit. Numri minimal i profesorëve të KP-së duhet të jetë shtatë veta. Në rast se numri i profesorëve të fakultetit është më i vogël se shtatë, për të arritur këtë numër në KP mund të thirren profesorë të fushave të afërta, nga fakultetet e tjera, brenda universitetit, profesorë të ftuar apo profesorë me kontratë të fakultetit ose anëtarë, me titullin “Profesor i Asociuar.”, që janë në procesin e aplikimit për titullin “Profesor”. Procedura e mësipërme ka funksionuar normalisht pranë fakulteteve edhe më parë, por procesi ka “ngecur” për dy vite radhazi në Ministrinë e Arsimit, e cila në përfundim të procedurës së rregullt të marrjes së titullit, nuk i ka regjistruar këta të fundit në regjistrin e veçantë ku ata mbahen.
Kriteret dhe procedurat për dhënien e titujve akademikë
Titulli “Profesor”
Titulli “Profesor” (Prof.) u jepet anëtarëve të personelit akademik, që kanë fituar gradën shkencore “Doktor” dhe përmbushin kriteret e mëposhtme: Kanë së paku, pesë vjet përvojë në mësimdhënie (së paku shtatë vjet për lektorët me kohë të pjesshme), pas marrjes së gradës shkencore “Doktor”. Titujt “Docent” dhe “Profesor i Asociuar” nuk janë parakusht për kërkimin e titullit “Profesor”; Gëzojnë aftësi të mira mësimdhënëse dhe kanë marrë pjesë aktive në zhvillimin, akademik dhe institucional, të institucioneve të arsimit të lartë; Kanë pasur një përvojë kërkimore ose mësimdhënëse prej, së paku, një viti, në një institucion kërkimor-mësimor, jashtë vendit. Përvoja të tilla vlerësohen, kur qëndrimet në institucionet homologe jashtë shtetit kanë qenë pa ndërprerje ose edhe me ndërprerje. Në rastin e personelit akademik të Akademisë së Arteve mund të llogariten edhe drejtimi i masterclass-ave apo workshop-eve ndërkombëtare; Janë në gjendje të mbajnë, në nivel të kënaqshëm, leksione të veçanta ose cikle leksionesh, në njërën nga këto gjuhë të huaja: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht dhe rusisht; Kanë realizuar si autorë të parë, pas marrjes së gradës “Doktor”, së paku, 15 referime të shkurtra ose paraqitje (postera) në konferenca dhe kongrese shkencore, nga të cilat, së paku, 8 duhet të jenë mbajtur në një veprimtari shkencore ndërkombëtare (simpozium, konferencë, kongres) ku punimet janë pranuar, në bazë të një vlerësimi paraprak shkencor dhe janë botuar në “Proceedings”; Bën përjashtim nga ky rregull personeli akademik i Akademisë së Arteve krijues apo interpretues aktiv (kompozitorë, instrumentistë, këngëtarë, dirigjentë, aktorë, regjisorë, krijues të arteve pamore, koreografë, balerinë), që ka realizuar pas marrjes së titullit “Prof.Asoc., së paku 6 koncerte recitale-premierë (vepra, ekspozita personale, vënie në skenë apo role kryesore) në veprimtari (festivale, sezone) dhe në salla të indeksuara, ndër të cilët, së paku, 2 të realizuara jashtë Republikës së Shqipërisë në një veprimtari ndërkombëtare (festival, sezon), ku performanca (vepra) të jetë pranuar, në bazë të një vlerësimi paraprak, të jetë botuar në katalogët/axhendat përkatëse dhe të jetë shoqëruar me kritikën përkatëse, në shtypin profesional të indeksuar; Kanë botuar, pas marrjes së gradës “Doktor”, së paku, 9 artikuj shkencorë origjinalë ose review (analiza shkencore) në revista shkencore, nga të cilët 4 si autorë të parë, si dhe, së paku, 4 prej tyre duhet të jenë botuar ose pranuar për botim në një revistë shkencore të huaj, të njohur me bord editorial. Së paku, dy artikuj duhet të jenë botuar në një revistë shkencore të huaj, me faktor impakti. Bën përjashtim nga ky rregull personeli akademik i Akademisë së Arteve, krijues apo interpretues aktiv (kompozitorë, instrumentistë, këngëtarë, dirigjentë, aktorë, regjisorë, krijues të arteve pamore, koreografë, balerinë), që ka marrë pjesë si i parë, së paku në 7 realizime artistike (solist, vepra, ekspozita, vënie në skenë apo role kryesore) në veprimtari (festivale, sezone) të njohura, në bashkëpunim me trupa të shquara dhe në salla të indeksuara, ndër të cilat, së paku, 3 të luajtura nga trupa ndërkombëtare (instrumentistë të shquar, ansamble të rëndësishme, orkestra dhe trupa operistike) në një veprimtari ndërkombëtare (festivale, sezone) ku performanca (vepra) të jetë pranuar në bazë të një vlerësimi paraprak, të jetë botuar në katalogët/axhendat përkatëse dhe të jetë shoqëruar me kritikën përkatëse, në shtypin profesional të indeksuar; Një monografi shkencore e botuar, si autor i parë, në gjuhë të huaj, që mban numër ISBN-je, vlerësohet e barabartë me deri gjashtë artikuj shkencorë. Një monografi shkencore, e botuar, si autor i parë, në gjuhën shqipe, që mban numër ISBN-je, vlerësohet e barabartë me deri katër artikuj shkencorë, të botuar brenda vendit. Për personelin akademik të Akademisë së Arteve një koncert-recital, i luajtur jashtë Republikës së Shqipërisë, në veprimtari (festivale, sezone) të njohura, në bashkëpunim me trupa të shquara dhe në salla të indeksuara, vlerësohet i barabartë me deri 3 pjesëmarrje nëpër koncerte, me të njëjta kushte. Një koncert recital-premierë, brenda Republikës së Shqipërisë, në veprimtari (festivale, sezone) të njohura, në bashkëpunim me trupa të shquara dhe në salla të indeksuara, vlerësohet i barabartë me deri 2 pjesëmarrje nëpër koncerte, me të njëjtat kushte; Kanë qenë titullar, së paku, të një lënde a moduli për më shumë se katër vite akademike dhe kanë përgatitur materiale mësimore, në formë skriptesh, leksionesh, udhëzues praktikash ose ushtrimesh për programin mësimor të dy ose më shumë lëndëve a moduleve, njëra prej të cilave në ciklin e dytë të studimeve “Master”.
Titulli “Docent”
Titulli “Docent” (Doc.) u jepet anëtarëve të personelit akademik, të cilët përveç kritereve bazë, të parashikuara në ligjin e arsimit të lartë (pika 6 e nenit 47), plotësojnë edhe kriteret e Vendimit Nr.467, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurave për kualifikimin, shkencor e pedagogjik, të personelit akademik”.
Titulli “Profesor i Asociuar”
Titulli “Profesor i Asociuar” (Prof.Asoc.) u jepet anëtarëve të personelit akademik, të cilët kanë fituar gradën shkencore “Doktor” dhe përmbushin kriteret e Vendimit Nr.467, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurave për kualifikimin, shkencor e pedagogjik, të personelit akademik”.
Titulli “Akademik”
Titulli “Akademik” është titulli, që fiton çdo profesor, i cili është pranuar anëtar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Në rastin kur ai/ajo është profesor në institucionin e arsimit të lartë, gëzon të gjitha atributet që i takojnë titullit “Akademik”.
Titulli “Profesor emeritus”
Titulli “Profesor emeritus” (Prof.emeritus) është titull, që u jepet profesorëve më të suksesshëm, kur arrijnë moshën e pensionit, sipas kritereve të përcaktuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Profesorëve emeritus u jepet mjedis pune në departament, si dhe mund të thirren për leksione të veçanta ose të përfshihen në grupe pune apo komisione. Atyre u jepet një shpërblim mbi pension, masa e të cilit përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Titulli “Doctor honoris causa”
Titulli “Doctor honoris causa” u jepet figurave të shquara të shkencës dhe shoqërisë, për kontribut të veçantë në zhvillimin e arsimit dhe të shkencës, si dhe në zhvillimin, në tërësi të vendit tonë. Ky titull jepet nga institucionet e arsimit të lartë, pasi të jetë marrë pëlqimi i Komisionit të Vlerësimit të Titujve Akademikë.
16 Tetor 2009