E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISSH zbardh përqindjet e rritjes së pensioneve për 2010-n



Instituti i Sigurimeve Shoqërore zbardh në përqindje rritjen e pensioneve për vitin 2010. Specialistët kanë bërë kalkulimet sipas llojeve të pensioneve duke u bazuar në vendimet më të fundit të Këshillit të Ministrave. Sipas këtyre vendimeve pensionistët që marrin pensione minimale do t’i gëzohen më shumë rritjes së pensionit vitin e ardhshëm. Kjo kategori e moshës së tretë pritet të jetë më e favorizuara në skemën e rritjes së pensioneve për vitin 2010. Sipas specialistëve, më shumë nga rritja e pensioneve për vitin që vjen do të përfitojnë pensionistët e fshatit. Por, pas tyre nuk do mbeten edhe pensionistët që jetojnë në qytet dhe marrin pensione minimale.
Qyteti
Megjithëse niveli i rritjes së pensioneve në qytet për vitin 2010 do të ndjekë të njëjtin ritëm me vitet e fundit, rritja e pensioneve minimale në qytet do të shihet me prioritet në skemën e rritjes së tyre për vitin 2010. Sipas ekspertëve të pensioneve, kjo do të thotë se pensionet që deri sot janë rritur me 7 deri në 10 për qind, do të kenë një rritje të paktën prej 20-30 përqindësh. Njëkohësisht do të vazhdojë edhe rritja mesatare e pensioneve prej 10 përqindësh. Por, duke qenë se pensioni minimal llogarit edhe atë maksimal, atëherë nga kjo rritje do të përfitojnë edhe pensionistët me të ardhura më të larta, kjo e fundit veçanërisht për të ruajtur diferencën mes pensioneve ekstreme.
Fshati
Pensionet për të moshuarit që jetojnë në zonat rurale do të rriten në masën 20 për qind, duke u bazuar në objektivin që në fshat nuk do të ketë pension më të ulët se pensioni minimal në qytet. Pra, pensionet maksimale të fshatit do të barazohen me pensionet minimale në qytet dhe kjo tregon që ritmet e rritjes do të jetë më të larta për sa i përket fshatit. Përveç parashikimit të rritjes së pensioneve për vitin që vjen, Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) ka detajuar edhe strategjinë e rritjes së pensioneve deri në vitin 2012. Sipas strategjisë së hartuar nga ekspertët e qeverisë dhe ata të pensioneve, evidentohet se rritja e pensioneve në rang vendi për tre vitet e ardhshme do të jetë në vlerë mesatare rreth 12 për qind më shumë se sa masa aktuale e kësaj pagese. Ekspertët kanë parashikuar që brenda kësaj rritjeje të ketë diferencime ndërmjet kategorive përfituese, të cilat do të zbatohen sipas ndarjes klasike të pensioneve në ato të fshatit dhe qytetit. Kështu, edhe për tre vitet e ardhshme masa e rritjes do të jetë në favor të pensioneve minimale. Kategoritë që, duke filluar nga viti i shkuar e deri në 2012-n do të plotësojnë kriteret e daljes në pension përveç kësaj rritjeje, do të jenë përfitues të masave të akorduara më parë sipas periudhave përkatëse.

Diferencimet
Megjithëse për tre vitet e ardhshme është parashikuar që rritja e pensioneve të bëhet në vlerë standarde, sërish do të ketë diferencime në masën e rritjes ndërmjet pensioneve minimale dhe atyre maksimale. Kështu, çdo vit pensionet e fshatit rriten më shumë se ato të qytetit. E gjitha kjo bëhet me qëllim që në të ardhmen të arrihet të barazohet niveli i këtyre dy kategorive të përfitimeve të pleqërisë. Në bazë të kësaj skeme do të vijohet edhe për rritjet e 2010-2012-s. Kategoritë që duke filluar nga viti në të cilin ndodhemi, si dhe ato që do të dalin në pension në tre vitet e ardhshme, përveç rritjes së përcaktuar nga strategjia përkatëse, do të përfitojnë masat aktuale të pensioneve që përfshijnë rritjet e vazhdueshme që janë bërë gjatë viteve të fundit, plus rritjen e re që do të bëhet në tre vitet e ardhshme sipas strategjisë së përcaktuar më lart. Përkundrejt këtyre rritjeve, edhe në vitet e ardhshme, masës së pensionit dhe shtesës që do bëhet gradualisht do t’u shtohen edhe kompensimet e energjisë dhe kompensimet e përfituara me vendime të veçanta të qeverisë. Në këtë drejtim, rritja e pensioneve, përveç shtimit të të ardhurave personale të vetë pensionistëve, ka si qëllim që t’u jepet një hapësirë të gjitha kategorive të pensioneve për t’u rritur, në mënyrë që të mos ulet interesi për kontributet e pensioneve të diferencuara.

Ndryshimet që do të pësojë mosha e pensionit deri në vitin 2012

Përkrah rritjes së masës së përfitimit, gjatë tre viteve të ardhshme do të pësojë ndryshime edhe mosha e daljes në pension dhe periudha e sigurimit që duhet të plotësojë secila prej kategorive, si ata që kanë vite në skemë, ashtu dhe përfituesit më të rinj të skemës. Ndryshimet e moshës dhe periudhës së sigurimeve do të synojnë rritje deri në 2012-n, edhe kjo e diferencuar sipas kategorive në të cilën bëjnë pjesë përfituesit. Për burrat, mosha e daljes në pension, duke filluar nga 1 korriku 2009, për punët e kategorisë së parë, do të jetë rreth 58 vjeç dhe vjetërsia e punës përkatësisht me 30 vite të njohura. Ndërsa për punët e kategorisë së dytë, mosha e daljes në pension do të jetë 63 vjeç dhe 35 vite punë të siguruara. Për kategorinë e tretë periudha e sigurimeve do të jetë po e njëjta, ndërsa mosha e daljes në pension do të pësojë një rritje me 1 vit (dalja në pension në moshën 64 vjeç). Po e njëjta skemë do të ndiqet edhe për gratë, të cilat në tre vitet e ardhshme sipas kategorizimit të profesioneve do t’u shtohet dhe mosha e daljes në pension me 1 deri në 2 vite më shumë. Kjo e fundit do të shoqërohet dhe më të njëjtin model shtimi të viteve të sigurimit që duhen për t’u trajtuar me pension. Për të përfituar një pension të plotë në vitin 2012, kushtet kryesore janë mosha që në këtë vit për burrat do të jetë 65 vjeç, kurse për femrat 60 si dhe vjetërsia në punë 35 vite, ku përfshihet dhe periudha e shërbimit ushtarak për burra dhe koha e studimeve universitare për gratë.

Fondi i parashikuar nga qeveria për 2010-n

Afro 2.7 miliardë lekë do të jetë fondi që qeveria do të verë në dispozicion të pensionistëve për rritjen e pensioneve gjatë vitit 2010. Ky fond prej 2.7 miliardë lekësh do të përdoret për rritjen e zakonshme të pensioneve në muajin korrik të vitit që vjen. Për rreth 520 mijë pensionistët në fshat dhe qytet qeveria do të shpenzojë vitin që vjen 80 miliardë e 917 milionë lekë, afërsisht 10 miliardë më shumë se viti 2009. Ky është totali i llogaritur për pensionet që ndahen çdo muaj dhe nuk ka të bëjë me shtesat që miratohen në qershor. Duke i marrë së bashku, fondi i shpenzimeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore parashikohet të jetë 106 miliardë e 366 milionë lekë, ose 8.27 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP). Duhet qenë se 2.7 miliardë lekë të vendosura për rritje pensioni dalin nga rezerva e shtetit (kontigjenca), për pasojë, qeveria ndan edhe 8.3 miliardë lekë të tjerë, të nevojshme për subvencionimin e humbjeve të shkaktuara nga raporti pensionist/kontribuues.

16 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›