Kuarteti rus "Atrium" shijon "Takimin muzikor të dy botëve"
Violinisti Anton Ilyunin, një nga anëtarët e kuartetit rus të harqeve "Atrium", i cili interpretoi në edicionin e dytë të festivalit "Takim muzikor i dy botëve", i mbajtur në qytetet e Gjirokastrës dhe Tiranës në datat 5, 6 dhe 7, është shprehur i kënaqur nga pjesëmarrja për herë të dytë në këtë aktivitet, të cilin e konsideron edhe si një mundësi mjaft të mirë për të njohur më nga afër Shqipërinë. Ilyunin thotë se ai dhe kuarteti në përgjithësi u kënaqën shumë nga ky festival, i cili krijoi një atmosferë të paharrueshme dhe shumë emocion. "Ne e shijuam shumë pritjen entuziaste që na u rezervua dhe mikpritjen e ngrohtë të organizatorëve dhe të publikut njëkohësisht. Në këtë koncert u paraqitëm me "Meloditë ruse" që përfshinin pjesë për kuartet nga Çajkovski e Borodin dhe një pjesë të vogël nga Shostakovich. Struktura e festivalit ishte gjithashtu për t‘u vlerësuar; kishte mjaft vend si për muzikën klasike ashtu edhe për atë popullore, si dhe për konferenca dedikuar dialogut kulturor në Rajonin e Evropës Juglindore. E gjitha kjo krijoi një atmosferë të paharrueshme dhe shumë emocion për ne", shprehet ai. Violinisti rus shton se do të ishte shumë mirë nëse do të zhvilloheshin më tepër aktivitete të kësaj natyre, në mënyrë që të ketë më tepër informacion për turizmin shqiptar në nivele të ndryshme. "Gjirokastra me kështjellën e saj tërheqëse është një nga perlat e Shqipërisë (ne vërtet e pëlqyem atë) ashtu siç mund të them edhe për bregdetin dhe plazhet e mahnitshme. Unë shpresoj se të gjithë turistët europianë përfshi ato rusë, të kenë mundësi të zbulojnë Shqipërinë", komenton pas festivalit ai. Violinisti shpjegon më tej se emri që ata kanë zgjedhur për grupin "Atrium" do të thotë një hapësirë e madhe në zemër të një pallati të bukur. "Secili nga anëtarët e këtij kuarteti ka individualitetin dhe dëshirat e tij, por nëse duam të realizojmë muzikë së bashku, duhet të mblidhemi në këtë hapësirë të këtij pallati! Ne përpiqemi që nëpërmjet aktivitetit tonë ta bëjmë muzikën e dhomës sa më popullore, duke interpretuar shfaqjet instrumentale më të mira në të gjithë botën. Muzika që na jep neve fuqinë e nevojshme për t‘u dukur të ‘këndshëm dhe të rinj‘". Për grupin rus, pikërisht muzika është ajo që ka më tepër rëndësi. Ajo duhet të sjellë gjithnjë diçka të veçantë për njerëzit.