Thirrje për të "zbuluar" Arshi Pipën
Vetëm dy javë më parë, në një konferencë mbarëshqiptare për mendimin shqiptar 1870-1945, studiuesit bënë apel për njohjen e brezit të ri me një plejadë autorësh të mohuar shqiptarë. Një tjetër konferencë i kushtohet të shtunën një figure të mëvonshme të letrave: Arshi Pipës. Qendra e Studimeve Albanologjike ka ftuar studiues të referojnë mbi Pipën si personalitet i shumanshëm, i cili larg Shqipërisë shkroi dhe botoi për gjuhësinë, letërsinë, filozofinë e publicistikën. "Arshi Pipa në letrat shqipe" do të mbahet më 13 qershor, ora 11.00 në sallën "Tefta Tashko" të Ministrisë së Kulturës. Për drejtorin e QSA-së, Ardian Marashi, me këtë konferencë "shlyejmë një detyrim jo aq karshi Pipës se sa karshi publikut të sotëm, intelektualëve, studiuesve të artit dhe letërsisë, karshi shkollës, botës universitare dhe akademike. Arshi Pipa, si figurë e autor i gjithanshëm, ka shumë botime dhe vlera që nuk janë bërë ende publike". Sipas Marashit, një prej arsyeve të kësaj mungese të gjatë edhe në ditët e sotme është botimi në gjuhë të huaj (italisht, anglisht dhe frëngjisht) të veprave më të rëndësishme studimore, kulturologjike, sociologjike. Në anglisht nga Pipa ka monografi të plota për letërsinë arbëreshe, monografi për stalinizmin shqiptar, për letërsinë shqipe në diktaturë, studime të mirëqena për folklorin dhe një sasi e madhe shkrimesh në revista të specializuara, më e fundit "Albanica", të cilën e krijoi vetë. Përveç pak veprave të njohura më parë, gjatë këtyre viteve janë botuar pak gjëra nga Camaj-Pipa dhe pak përkthime bërë nga motra e autorit, siç është rasti i doktoraturës në filozofi që ka mbrojtur Pipa në Universitetin e Romës për filozofinë e Bergsonit. Marashi thekson se këto kohë e motra e Pipës ka përkthyer një tjetër libër filozofik, mbi të cilin po punon studiuesi Artan Fuga. Studiuesit, të ftuar të referojnë në këtë konferencë, do të rrokin Pipën si kritik, përmes shkrimeve kulturologjike, antistalinizmin në veprat e tij, do ta shohin në pikëpamje krahasuese me shkrimtarë të tjerë si Migjeni, apo duke u ndaluar edhe te historia e polemikës së tij me Kadarenë. Por, ashtu si edhe autorë të tjerë të mohuar më parë, ndoshta do të duhet kohë dhe angazhim konkret institucional, apo nga subjekte private për ta paraqitur të plotë veprën e tij, vlerat që prezanton dhe vendin që duhet të ketë në historinë e letërsisë shqipe. "Mungesa e sotme është një farë mosnjohje me themel e veprës së tij. Arshi Pipa prezantohet para lexuesit me botimet në shqip, kryesisht me poezi, ku shfaqen prirjet për të qenë vazhdues i traditës së pandërprerë të shkrimtarëve gegë të Veriut. Ai ka qenë nxënës në kolegjet françeskane të Shkodrës, por kjo mënyrë e shkruari për të është një zgjedhje njëherësh estetike, sepse ai shkruante në mënyrë të shkëlqyer dialektin e toskërishtes letrare dhe gjuhën standarde. Kodi gjuhësor është një faktor që pengon në një farë mënyre hyrjen e publikut brenda tekstit, por më së shumti mosnjohja e veprës së tij vjen nga mungesa e botimeve shqip. Në këtë moment po realizojmë një konferencë për Arshi Pipën, por jo të gjithë janë të gatshëm të kontribuojnë. Nuk ka shumë studiues që merren drejtpërdrejt me veprën e Pipës, megjithëse është një nga veprat më kryesore krahas asaj të Camajt e Trebeshinës për t‘u zbuluar e për t‘u studiuar", shprehet Marashi. Por këta autorë, veprat e të cilëve nuk kanë shkuar përmes një procesi të natyrshëm te lexuesi, në ditët e sotme është e vështirë të mbërrijnë në librari e më tej në programet shkollore. Botime të tilla, të klasifikuara si kolona të mendimit shqiptar, nuk zgjojnë interes të gjerë botues. Duhet më së pari konfirmimi i vlerave të tyre, garancia e qëndrueshmërisë në vite, pa të mbërrijnë në raftet e librarive. Deri më tani, gjithçka i mbetet vullnetit të studiuesve për të "zbuluar" dimensionet e këtyre figurave, e në rastin konkret të Arshi Pipës. Sipas Marashit, kjo konferencë synohet që të jetë jo vetëm e rëndësishme për momentin, por të hapë edhe kërkimet për të ardhmen, hartimin e një historie të letërsisë korrekte dhe objektive, e cila nuk mund të bëhet teorikisht, por pas studimeve të periudhave të caktuara, për drejtime të caktuara, tipa shkrimi, autor madhor të një epoke apo një tjetre. Studime të cilat të plotësojnë mozaikun e përgjithshëm që ai e quan mjaft të cunguar.