E Shtunë, 31 Tetor 2026

Athina leje për emigrantet të kthehen në Shqipëri për votim

 

ATHINE- Nga 19 qershori deri më 30 shtator emigrantët shqiptarë me banim në Greqi do të kenë mundësi të kthehen në atdhe e më pas të shkojnë në Greqi pa probleme.

Ndryshe nga herët e tjera që është ofruar kjo mundësi, kur mund të udhëtonin vetëm një herë, emigrantët tashmë kanë të drejtën e dy kalimeve për në vendin e tyre.

Vendimi i zëvendësministrit të Rendin Publik në Greqi thekson se “Për shkak të kushteve specifike, (zgjedhjet në Shqipëri më 28 qershor) dhe afatit kohor të këtij vendimi, u jepet mundësia gjithë shtetasve të huaj, pavarësisht nënshtetësisë, të vizitojnë atdheun e tyre dhe të rikthehen në Greqi deri në dy herë"

Klauzola që u referohet zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, ka gjasë të jetë miratuar pas kontakteve me palën shqiptare dhe interesimit të kësaj pale për pjesëmarrjen e emigrantëve në procesin e votimit- shkruan sot BBC.

Nga ana tjetër, pala greke nuk do t'i privojë emigrantët nga leja e zakonshme e punës, që në Greqi fillon të jepet në mesin e muajit korrik.

Nga vendimi përfitojnë gjithë emigrantët që kanë dorëzuar brenda afateve ligjore kërkesën për pajisjen me leje qëndrimi, por ende nuk e kanë marrë atë.

Në momentin e kthimit në Greqi, emigrantët duhet të kenë me vete këto dokumenta: Pasaportë të vlefshme, Vërtetimin blu, ose siç thuhet, të tipit A, se i interesuari ka paraqitur gjithë dokumentacionin e kërkuar për pajisjen ose rinovimin e lejes së qëndrimit, sipas të cilit ai konsiderohet banor i ligjshëm në Greqi, dhe pse nuk e ka marë ende lejen në fjalë.

Emigrantët nuk duhet të udhëtojnë për në atdhe para datës 19 qershor, kur hyn në fuqi vendimi, në të kundërt ata nuk do të lejohen të kthehen përsëri në Greqi.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›