Uashington: Një person hap zjarr në Muzeun e Holokaustit, vritet roja

Një person i moshuar i njohur për pikpamjet e tij antihebraike hapi zjarr në Muzeun e Holakustit në Uashington dhe vrau një roje.
Incidenti u bë shkak për forcimin e ndjeshëm të masave të sigurisë në kryeqytetin amerikan por autoritetet thanë se nuk ka shenja që 88-vjeçari i armatosur të ketë vepruar në bashkëpunim.
Presidenti Barak Obama shprehu keqardhje për ngjarjen ndërsa ambasada izraelite në Uashington publikoi një deklaratë në të cilën e quante incidentin një sulm tronditës.
Sipas dëshmitarëve, personi i moshuar, i identifikuar nga autoritetet me emrin James Von Brunn, hyri në muze me një pushkë të fshehur nën xhaketë dhe hapi zjarr para se të kalonte nëpër portën e sigurisë. Një roje me uniformë u plagos për vdekje por iu përgjigj zjarrit duke plagosur personin që shtiu.
Autoritetet e lidhin zotin Von Brunn me një faqe interneti plot me deklarata antihebraike dhe të supremacisë së bardhë. Ai shpreh aty pikpamjen e tij se gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk ka patur masakrim të hebrejve nga nazistët.
Von Brunn ndodhet në gjendje të rëndë në një spital të Uashingtonit dhe policia ende nuk ka ngritur zyrtarisht akuza kundër tij.
Muzeu i Holokaustit, një ndër pikat më të njohura turistike të Uashingtonit, njoftoi se do të qendrojë i mbyllur ditën e enjte për të nderuar kujtimin e rojes së vrarë, Stiven Tajron Xhons dhe mënyrës së guximshme me të cilën ai veproi.
Kryebashkiaku i Uashingtonit, Adrian Fenti bëri komente për gazetarët në vendin e ngjarjes dhe tha se me sa duket, fjala është për një incident të izoluar.
Von Brunn thotë në faqen e tij të internetit se kishte bërë 6 vjet e gjysmë burg për një shkelje ligji në të kaluarën por pa dhënë hollësi të tjera. //ii