E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuçi: Kosova do të përfaqësohet veç me “Republikë”

PRISHTINË- Qeveria e Kosovës shpreh qëndrimin e saj të palëkundër se nuk do të pranojë asnjë marëveshje në dialogun me Serbinë, që do t’ia ndryshonte emrin zyrtar shtetit gjatë përfaqësimit rajonal.

Reagimi ka ardhur vetëm një ditë pasi kryeparlamentari Jakup Krasniqi, në një intervistë për “Radio Kosovën”, e ka kualifikuar si kundërkushtetuese copëzimin e mundshëm të emrit me të cilin identifikohet shteti.

Reflektimi i tij ishte bërë në kontekst të paralajmërimit të shefes së ekipit kosovar në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, për t’u përfaqësuar shteti në nisma rajonale vetëm me emrin “Kosova”.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi deklaroi se për emrin, Qeveria nuk ka marrë asnjë vendimi dhe ka shprehur vendosmërinë që përfaqësimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe në bashkëpunimin rajonal të jetë vetëm mbi bazën e asaj që parasheh Kushtetuta.

“Kosova do të marrë pjesë si e barabartë në bashkëpunimet rajonale. Kosova dhe përfaqësuesi i Kosovës do të identifikohen qysh identifikohen të tjerët. Nëse të tjerët identifikohen me shtet, edhe ne me shtet, nëse të tjerët me emër, edhe ne me emër”, ka thënë Kuçi.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›