E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuçi: Bashkëpunimi Kosovë- Serbi vetëm në rang shtetesh

Zv/kryeministri i Kosovës reagon pas deklaratës së Tadiç

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi ka deklaruar se, me kalimin e kohës Serbia do ta shohë të arsyeshme të bashkëpunojë me vendet e Ballkanit. Nëpërmjet një interviste, numri dy i qeverisë së Kosovës ka rikonfirmuar gatishmërinë e Kosovës për të bashkëpunuar me Serbinë si dy shtete të pavarura. Qeveria e Kosovës, nëpërmjet zëvendës/kryeministrit Hajredin Kuçi shprehet e gatshme dhe e hapur për bisedime rajonale edhe me Serbinë, por, vetëm si shtete të pavarura. Këto deklarata të zv/kryeministrit kosovar kanë ardhur menjëherë pas asaj të presidentit serb, Boris Tadiç, se Beogradi shpreson të arrijë një marrëveshje bashkëpunimi, por pa njohur pavarësinë e Kosovës. Serbia me kalimin e kohës do ta kuptojë se ka nevojë për të hedhur hapa pozitivë drejt vendeve të rajonit, ka pohuar Kuçi. Zëvendëskryeministri kosovar gjithashtu ka theksuar se qeveria e Kosovës është e hapur për çfarëdolloj bisedimesh për bashkëpunim rajonal. Mirëpo, gjithmonë, vetëm si shtete të pavarura. Presidenti i Serbisë, Tadiç, gjithashtu, është kujdesur edhe për përfaqësimin e shqiptarëve të Kosovës në takime rajonale. Por, duke respektuar, vijën e kuqe dhe formulën e Kombeve të Bashkuara. Por, zëvendës/kryeministri Kuçi, tha se, Kosova, ka institucionet e veta shtetërore dhe do të përfaqësohet gjithkund nëpërmjet tyre. Kuçi, edhe për një kohë, Serbinë e sheh si bllokuese për bashkëpunim rajonal. Deri më tani, Serbia, ka pasur një qëndrim bllokues për bashkëpunim rajonal. Kosova, është e interesuar që të ketë bashkëpunim rajonal, por, gjithmonë, duke ruajtur integritetin e vet shtetëror dhe duke e përfaqësuar Kosovën nga institucionet e saj legjitime dhe demokratike, ka thënë Kuçi.
Tadiç: Bashkëpunim pa njohur pavarësinë
Presidenti serb Boris Tadiç ka deklaruar se Beogradi po përpiqet që të gjejë zgjidhje për çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën, por pa çuar në njohjen e pavarësisë së saj. Në takimin e zhvilluar ditën e djeshme në Bruksel me shefen e Politikës së Jashtme të BE Catherine Ashton, Tadiç është shprehur se shpreson që të gjendet një zgjidhje edhe për pjesëmarrjen e Kosovës në samitet ndërkombëtare. Shpresoj se do të gjejmë një rrugëdalje dhe të arrijmë një marrëveshje për çështjet që kanë të bëjnë me transportin, gjykatat, policinë dhe doganat, në një mënyrë që të mos çojë në njohjen e pavarësisë, ka pohuar Tadiç. Ndër të tjera ai theksoi se Beogradi po nxit gjetjen e zgjidhjeve për pjesëmarrjen e shqiptarëve të Kosovës në takimet rajonale, por duke respektuar vijën e kuqe dhe formulën e Kombeve të Bashkuara. Tadiç nënvizoi faktin se Beogradi është në kontakte të vazhdueshme me UNMIK dhe EULEX dhe se është shënuar përparim në zbatimin e planit 6-pikësh të Ban ki Munit. Lidhur me Bosnjën, Tadiç theksoi se vendi i tij është kundër ndarjes, pasi kjo do të ishte në kundërshtim me Marrëveshjen e Dejtonit. Ndërsa, sa i përket integrimit evropian të Serbisë, Tadiç tha se synimi i Beogradit është marrja e statusit të vendit kandidat deri në fund të këtij viti, apo më së largu në fillim të vitit 2011. Ai shtoi se bashkëpunimi me Gjykatën e Hagës për ish-Jugosllavinë, është kusht i domosdoshëm për tu përmbushur, në mënyrë që të procedohet me euro-integrimin. Presidenti serb tha se vendi i tij po bën gjithçka për ta kapur dhe dorëzuar në Hagë, Ratko Mlladiqin dhe Goran Haxhiqin. Boris Tadiç do të takohet në Bruksel dhe me presidentin e Bashkimit Evropian, Herman Von Rompei. Tadiç ndodhet në Bruksel për punime të Forumit 2010

Shqiptarët e Kosovës përshëndesin hapjen e zyrës së BE në veri
Zyra e Bashkimit Evropian nuk është në funksion të zbatimit të strategjisë së Qeverisë së Kosovës për veriun, por synon forcimin e strukturave të BE në veri të Mitrovicës. Kështu u shpreh ambasadori Italian dhe njëkohësisht i dërguari i BE për veriun e Kosovës, Michael Giffoni gjatë ceremonisë së  hapjes së kësaj zyre, e cila është mirëpritur nga shqiptarët, por jo nga serbët e Mitrovicës. Për politikanët shqiptarë, prania e BE mund të ndihmojë në integrimin e qytetit. Por, serbët druajnë se kjo prani forcon shtetin e pavarur të Kosovës. Shqiptarët e Mitrovicës presin që strukturat e Bashkimit Evropian përmes shtëpisë së këtij unioni të hapur në veri, të krijojnë parakushtet për integrimin e qytetit. Por, serbët janë skeptikë ndaj nismës së BE, duke e parë atë si një fillim të fundit të institucioneve paralele. Ish-kryetari i Mitrovicës, Bajram Rexhepi, që dikur ishte edhe në krye të Qeverisë së Kosovës, e sheh hapjen e kësaj shtëpie si një hap pozitiv drejt integrimit të qytetit. Do të dëshironim, që ta kishim praninë e plotë të institucioneve tona, por ky është proces që zgjat dhe është shumë më pozitive që të jetë prania e BE-së në pjesën veriore, sesa mos të ketë fare. Kështu që unë e shoh si diçka pozitive. Unë nuk pres mrekulli, mirëpo ajo do të ndihmojë mjaft që gradualisht edhe qytetarët e pjesës veriore ta kuptojnë realitetin, të integrohen në proceset dhe institucionet demokratike, thekson Rexhepi. Por, nëse mendojnë si politikanët, banorët serbë të pjesës veriore, vështirë se do ti mbështesin strukturat e BE, që në veri do të gjenden nën një kulm. Përfaqësuesi i Këshillit Nacional për veriun, Milan Ivanoviq, është kundër forcimit të pranisë së BE në veri. Ekziston një frikë ndaj hapjes së të ashtuquajturës Shtëpisë së BE-së, dhe ndaj qëllimeve të vërteta, që qëndrojnë prapa hapjes së saj. Është e qartë se bashkësia ndërkombëtare në Kosovë është shumë e njëanshme në punën e deritashme dhe se puna nuk përkon me 12 44, por sipas Planit të Ahtisarit. Planin e Ahtisarit po e zbaton Piter Feith, si i dërguar BE-së dhe është e qartë se për shkak të unitetit për të dalë kundër serbëve, serbët e kanë hedhur poshtë atë përpjekje për nënshtrim, shprehet Ivanoviq. Për integrimin e veriut të Kosovës tashmë është hartuar edhe një strategji nga qeveria dhe ICO. Por, zyrtarët e Bashkimit Evropian thonë se hapja e zyra e BE nuk ka të bëjë asgjë me strategjinë, edhe pse në strategji përmendet mundësia e tillë, madje duke përcaktuar edhe datën eventuale të hapjes. Ndërkaq, lideri i AAK, Ramush Haradinaj, ka mirëpritur hapjen e zyrës së BE në veri të Mitrovicës, ndërsa ka vlerësuar se hapja e saj vjen si pasojë e paaftësisë së institucioneve të Kosovës për të shtrirë kontrollin në gjithë territorin e vendit. Kryetari i AAK, gjatë një konference për shtyp tha se shpreson se hapja e Shtëpisë së BE-së në veri do të ndikojë në integrimin e serbëve të asaj pjese në shoqërinë kosovare. Haradinaj ka theksuar se për këtë zyrë nuk do të kishte fare nevojë, nëse Prishtina zyrtare do të ishte e angazhuar nga dita e marrjes së përgjegjësive të plota nga 17 shkurti 2008. Këto angazhime të reja në veri, nuk kanë qenë të parapara, sipas tij, por pas dështimit të institucioneve të vendit, është dashur të gjenden instrumente të tjera për të qenë prezentë atje.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›