E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Sheshi”, Rama inaguron punimet. Olldashi: S’e lejojmë

TIRANE-Sheshi “Skënderbej” në qëndër të Tiranës vazhdon të përplasë pushtetin qëndror me atë vendor. Ka nisur paraditen e sotme faza e parë e rikonstruksionit të Sheshit "Skënderbej", financuar me fondin 4.3 milion euro, dhuruar nga qeveria e Kuvajtit. Rama kërkoi bashkëpunim nga institucionet për projektin. Por, i menjehershëm ka qënë reagimi nga kreu i Ministrisë së Punëve Publike që paralajmëron se cdo përpjekje për nisjen e punimeve nga ana e Bashkisë është e paligjshme dhe se dikasteri i tij do ti ndalojë.

Rama: Bashkepunim per rehabilitimin e sheshit. Ti sherbeje individit, jo turmave
Qendra e Tiranës, sheshi "Skënderbej" e rrethuar nga dje në mbrëmje me rrjeta teli, sot paradite ka qënë i tejmbushur me inspektorë të Bashkisë së Tiranës. Kryetari i Bashkise se Tiranës ka inaguruar sot nisjen e punimeve për rehabilitimin e sheshin “Skenderbej” në bazë të një projekti prej 4.3 milionë eurosh, financuar nga Emiri i Kuvajtit. I shoqëruar nga përfaqësuesit e financuesve të projektit, Rama bëri të ditur për mediat se “ambicia do ta kthejë sheshin Skënderbej nga një shesh ku jehon historia, në një pasqyrë të një shekulli të ri, për të gjithë ata që nuk duan të shqetësohen nga makinat”.

Rama tha se projekti i cili do të kryhet nga belgët nen survejimin e austriakeve dhe bashkëpunimin e kompanise “Mak Albania eshte i vecante ne llojin e tij, ku nuk do të mungojë shatërvani, gjelbërimi ku nuk do të ketë më trafik makinash. Duke falenderuar Emirin e Kuvajtit për financimin bujar dhe Studion belge "51 N4E" që ka realizuar projektin, kryebashkiaku Rama deklaroi se "ky shesh në përfundim të punimeve do të jetë kartvizita e një kryeqyteti si e meritojnë me të vërtetë shqiptarët".
“Bëhet fjalë për një projekt që do të ketë infrastrukturë tokësore të pasur nëntokësore, si dhe do të ketë njëkohësisht infrastrukturë ujore të pasur që do shërbeje ta kthejë sheshin, në një shesh me shatërvana, mundësi për lojrat e fëmijëve, do të ketë një shesh pa makina të rrethuar me një kurorë e gjelbërt që do ta realizojmë duke e kthyer sheshin në një oaz për të gjithë ata që duan të jenë në mes të Tiranës, por larg trafikut të Tiranës. Uji qe do te perdoret per ujtjen e tij apo edhe lojra te ndryshme per femije do të perfitohet nga shiu dhe nuk do te jete uji i pijshëm”.

Kryebashkiaku Rama teksa dha këto por edhe shume detaje te tjera, kerkoi bashkpunimin e qytetareve por edhe të gjitha institucioneve në vend.
“Realizimi i projektit kërkon bashkëpunimin e të gjithëve, trafiku do rëndohet, duhet durim, mbështetje, me bindjen se pas një peridhe jo të lehtë shumë gjëra do të kryhen në shesh, por më pas do kemi sheshin që kemi ëndërruar vite për vite me radhë”.

Sheshi sipas kryebashkiakut do të ketë hapësira të shumta për qytetarët, por jo më për mitingje si deri dje.
“Ky ka qënë një shesh i paradave dhe manifestimeve dhe projekti është i koncetruar për ta kthyer këtë shesh në një vend të manifestimit njerëzor, të qytetarisë si shprehje e personit dhe jo e turmës, përmes një forme shumë të vecantë që mund të ketë sheshi”.

Rama rikutoi se cdo punim do të ecë në bazë të një projenkti gjigand tashmë të financuar.
“Kjo është puna që Bashkia e Tiranës ndërmerrr të realizojë pas një ecurie shumë të gjatë për të arritur deri këtu, sipas një plani, sipas një projekti gjigand, konkurs që ngjalli interes në qarqet ndërkombëtare, me një ndihmë nga Emiri Kuvajtit, më një kompani si Mak Albania dhe më një produksion asustriak, për të realizuar këtë projekt”, tha Rama.

Olldashi:Rama te mare miratimin nga KRRTRSH
Ministri i Transporteve dhe Punëve Publik, Sokol Olldashi ka reaguar sot për sheshin “Skënderbej” disa minuta pasi Bashkia e Tiranës inaguroi punimet për rehabilitimin e tij. Olldashi reagoi nepermjet nje konference per shtyp duke thënë se "plani për ndërtimin e këtij sheshi duhet të kalojë në KRRTRSH, pasi qendra e Tiranës ka një plan ligjërisht, atë fracez". 
Ministri nder te tjera pershendeti shpejtësinë me të cilin Kryetari i Bashkisë së Tiranës nisi punimet ne Shesh vetem dy ditë pas nderhyrjes nga ana e topografeve te Drejtorise se Pergjithshme te Rrugeve per asfaltimin e këtij Sheshi.
"Pershendes shpejtesine me te cilen veproi Kryetari i Bashkise se Tiranes ndaj nderhyrjes se Kryeministrit Berisha, por plani per ndertimin e ketij sheshi duhet të kalojë në Keshillin Kombetar te Rregullimit te Territorit, pasi qendra e Tiranes ka nje plan ligjerisht ate Francez", deklaroi Olldashi.
Ministri shtoi se "nuk do te lejohet te shperdorohen fondet e qytetareve". Sipas tij, "projekti ka pesuar ndryshime, që nuk jane miratuar në KRRTRSH dhe plani i tij është klientelist".
"Ftoj z. Rama te reagoje shpejt duke sjellë planin në KRRTRSH në bazë të ligjeve ne fuqi", tha Olldashi.

Rrethimi i sheshit
Qendra e Tiranës, sheshi "Skënderbej" u rrethua dje në mbrëmje me rrjeta teli. Gjithçka ka ndodhur sapo ka rënë errësira, kur në sheshin kryesor të qytetit, nga monumenti i Skënderbeut deri tek Pallati i Kulturës, zbritën edhe njëherë inspektorë të bashkisë së Tiranës, të cilët përveçse sollën atje materialet e rrethimit, vendosën edhe pankarta dhe billbordera të mëdhenj, ku duken qartë vlera e investimit, projekti, si dhe financimi, së bashku me grafikun e ndryshimit të sheshit. Duket se gjithçka ka marrë zgjidhje kur nga Bashkia e Tiranës është dhënë urdhër për të rrethuar sheshin me tela metalikë, dhe për të filluar fazën e parë të punimeve të rikonstruksionit.

Sheshi "Skënderbej" është molla e re e sherrit mes qeverisë dhe bashkisë së Tiranës. Rikonstruksioni i këtij sheshi është marrë përsipër nga një kredi e marrë nga Kuvajti dhe vlera shkon në 4.3 milionë euro. Punimet në sheshin "Skënderbej" do të kryhen sipas projektit të hartuar nga studio belge "51N4E", fituese e Konkursit Ndërkombëtar që u zhvillua vitin e kaluar, ku gjithë qendra e Tiranës pritet të pësojë një ndryshim tërësor.

Disa dite me pare, Kryeministri i kërkoi Ministrisë së Punëve Publike që të vendosë kontakte me qeverinë vendore të Tiranës për të marrë vendimin për shtrimin e sheshit. "Qeveria e Kuvajtit ka dhënë 10 milion dollarë për ndërtimin e sheshit. Ka të paktën dy vjet që paratë janë disponibël. Nuk mund të pranojmë që sheshi "Skënderbej" të jetë turp dhe të fajësohet qeveria se nuk ka dhënë fonde”, tha Kreu i Qeverisë.
Pas kësaj porosie, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit nisi matjet për asfaltimin e Sheshit Skenderbej dhe në bazë të tyre, të hartohet projekti për rikonstruksionin e Sheshi. Por menjëherë sapo Qeveria shpalli se do të ndërtojë sheshin ndërhyri Bashkia duke rrethuar sheshin.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›