Kuçi: Dialogu dhe veriu janë procese të ndara
Ai ka thënë se asnjëra prej këtyre dy proceseve nuk ka nevojë të ndalet për t’u marrë vetëm me tjetrën, përderisa ka shtuar se në kuadër të kornizave të dialogut, Kosova asnjëherë nuk do të jetë shtet që e pengon dialogun dhe asnjëherë nuk do t’i pengojë vendimet ndërkombëtare, në këtë rast rezolutën e OKB-së, mbi të cilën është i nisur dialogu.
“Veriu është çështje e ndarë prej kësaj, ka të bëjë me rendin dhe ligjin, me zhvillimin ekonomik dhe me shtrirjen e sovranitetit brenda territorit tonë. Mund të kryhet dialogu, do të vazhdojmë me veriun, apo kryhet veriu, do të vazhdojmë me dialogun. Kjo nuk është pika e nisjes dhe e mbarimit në të njëjtën kohë”, është shprehur Kuçi.
Sa i përket heqjes së barrikadave në veri të vendit dhe afateve që po i shtynë KFOR-i vazhdimisht, zëvendëskryeministri Kuçi ka thënë se në këtë drejtim ka koncensus të të gjitha institucioneve vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë dhe se KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës e kanë parasysh ambientin dhe janë të kujdesshëm që të ketë rezultate pozitive, që do të jenë në përputhje me rendin dhe ligjin. Megjithatë, se kur do të ketë qarkullim të lirë në veri, Kuçi nuk ka jep ndonjë afat.
“Shikoni, kjo çështja se kur do të ndodhë, ne jemi të interesuar që të ndodhë sa më shpejt që është e mundur, por jemi të interesuar me mision të suksesshëm”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se veriu nuk është proces i lehtë, sepse ka njerëz që u janë prekur interesat personale me ndaljen e kontrabandës dhe në këtë drejtim ata edhe e kanë mbështetjen e Qeverisë së Serbisë, por Kuçi ka shprehur bindjen e thellë se shumë shpejt do të ketë qarkullim të lirë, do të hiqen barrikadat dhe veriu do të funksionojë normalisht si çdo pjesë tjetër e Kosovës dhe e Evropës.
“Tek e fundit të gjitha konfliktet në ish-Jugosllavi janë bërë për territor. Ne po përpiqemi ta shtrijmë rendin dhe ligjin në territorin tonë. Dikush tjetër po tenton t’na e zaptojë një pjesë të territorit tonë. Më herët kanë lindur luftëra për këto çështje. Tash luftëra nuk do të ketë, por telashe do të ketë”, ka thënë zëvendëskryeministri Kuçi.
I pyetur nëse KFOR-i po del jashtë mandatit të tij duke biseduar me të ashtuquajturit kryetarë të katër komunave veriore, Kuçi ka thënë se KFOR-i, sipas kompetencave që ka dhe sipas rezolutës së OKB-së është i obliguar të krijojë një ambient të sigurt për gjithë qytetarët e Republikës.
Por, ai ka theksuar se këta katër persona janë jolegjitim dhe përfaqësojnë strukturat ilegale, përderisa ka shtuar se ajo pjesë e territorit të Republikës së Kosovës ka nevojë për zgjedhje të lira, për t’i zgjedhur njerëzit që i duan qytetarët atje, e jo të udhëheqin ata që i kanë zaptuar pozitat në një ose mënyrë tjetër, përfshi edhe përdorimin e dhunës. /kosovapress/