E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjigantët aziatikë miratojnë planin ekonomik

Kryeministri i Kinës, bashkë me Presidentin e Koresë së Jugut, në një takim të nivelit të lartë në Japoni ranë dakord të punojnë bashkërisht, për t‘i dhënë një shtysë tregtisë në kërkim të daljes nga kriza financiare globale. Kryeministri kinez, Ven Xhiabao, e quajti takimin të parin e këtij lloji, gur themeltar në bashkëpunimin rajonal e global. Ai shtoi se ky bashkëpunim do të luajë rol të dorës së parë, në një çast kur kriza po ndihet nga të gjitha ekonomitë globale.

Shtetet e Azisë Lindore, dikur armiq, kanë pasur kontakte tangjente nëpër takimet ndërkombëtare, por ky është takimi i parë ku mblidhen të tre kokë më kokë. Dunkan Bartlet, korrespondenti i rrjetit britanik BBC në Tokio, vëren në një artikull se Kina, Japonia dhe Koreja e Jugut janë të lidhura ngushtë ekonomikisht, ndërkohë që liderët e këtyre vendeve e shikojnë bashkëpunimin mes tyre si një masë vitale për të nxjerrë rajonin e Azisë Lindore nga kriza aktuale financiare.

Në një deklaratë të përbashkët, liderët thanë se Azia "pritet të luajë rol të dorës së parë në rritjen ekonomike globale, në mënyrë që të kthejnë në kahun e kundërt prirjen aktuale ekonomike".

Shtetarët bënë me dije se kanë ndër mend ta rrisin shumën e parave të kanalizuara përmes iniciativës Çiang Mai - një lëvizje falë së cilës më së shumti do të përfitojë Koreja e Jugut, duke qenë se ky shtet humbi një të tretën e vlerës së aseteve të veta financiare, për shkak të krizës. Sipas korrespondentit të BBC-së, të tri shtetet kanë ndër mend të ndalojnë përsëritjen e situatës së 11 viteve më parë, kur rëniet e papritura të valutës shkaktuan një krizë me përmasa shumë të rënda financiare. Tre liderët folën gjithashtu edhe për një injeksion urgjent kapitalesh në Bankën e Zhvillimit të Azisë.

Përpara nisjes së takimit në fjalë, Banka Qendrore e Koresë së Jugut bëri me dije, përmes një deklarate, se e kishte rritur në 25 miliardë dollarë kontributin e përbashkët me Bankën e Japonisë për të dalë nga kriza, ndërkohë që një bashkëpunim të ngjashëm (prej 36 miliardë dollarësh) ka krijuar edhe me Bankën Popullore të Kinës. Nga ana e saj, edhe Japonia po përpiqet të lërë mënjanë mosmarrëveshjet e dikurshme me Kinën, pjesërisht pasi tregtia me këtë vend e ndihmoi të dilte nga një prej fazave më të rënda të recensionit, gjatë viteve nëntëdhjetë.

Të tria vendet - të cilat së bashku përbëjnë 75 për qind të ekonomisë së rajonit - kishin deklaruar secili më vete gjatë muajve të shkuar planin për vënien në dispozicion të krizës financiare të paketave të rëndësishme ndihme.

Të premten, qeveria japoneze e çoi në 255 miliardë dollarë paketën e parashikuar për stimulimin e ekonomisë. Më shumë se gjysma e kësaj shifre do të përdoret për të stabilizuar tregjet e veta financiare.

Gjatë ditëve të para të kësaj jave, Kina bëri me dije se niveli i eksporteve të vendit kishte rënë për herë të parë gjatë shtatë viteve të fundit. Pekini njoftoi muajin e shkuar fillimin e një plani 586 miliardë dollarësh për stimulimin e ekonomisë, ndërkohë të mërkurën bëri me dije se kishte vendosur të rriste shpenzimet publike e njëherësh të ulte taksat.

Koreja e Jugut, e prekur më shumë nga kriza, ofroi ndërkaq 130 miliardë dollarë në formën e garancive për bankat e veta, gjë që do t‘u japë këtyre të fundit mundësinë të huazojnë likuiditete në valutë të huaj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›