Kuçi: Kosova ka themeluar bazën legale që duhet të ketë një shtet
Dy vjet pavarësi! Gjatë këtyre ditëve shteti më i ri ka arritur një sërë suksesesh, por ka përballë të tjera detyra dhe angazhime për të kryer. Festa për pavarësinë e Kosovës është në hapat e para të saj. Ditën e djeshme me rastin e dyvjetorit të pavarësisë, janë parashtruar arritjet dhe sfidat që ka pasur qeveria e Kosovës, si dhe prioritetet që do të ketë në të ardhmen.
Në fjalën e tji, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, i pranishëm në tryezën Dy vjet shtet të Kosovës, është përqendruar në dy çështje të arriturat e vendet nga pavarësimi i saj. Kosova gjatë këtyre dy viteve ka pasur sukses duke themeluar bazën legale që duhet ta ketë një shtet, duke filluar nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Kemi themeluar Ministrinë e FSK, Agjencionin Kosovar për Inteligjencës (AKI), dhe kemi bartur një varg kompetencash nga institucionet ndërkombëtare ne ato vendore. Po ashtu kemi themeluar Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe kemi bërë akreditimin e ambasadave të Republikës së Kosovës në shumë shtete me rëndësi për vendin tonë, ka theksuar Hajredin Kuçi duke shtuar se qeveria e Kosovës ka ruajtur edhe tërësinë territoriale të vendit. Ndër të tjera, zëvendëskryeministri ka përmendur edhe ngritjen e shumë pagave që ka bërë qeveria e vendit duke filluar nga profesorët e UP, mjekët, policët, arsimtarët etj. Ai ka folur edhe për sfidat që ka pasur Kosova si në aspektin ekonomik, integrimin e pakicave dhe pengesat që i janë bërë Kosovës në skenën ndërkombëtare. Sfidë ka qenë zhvillimi ekonomik i vendit, ruajtja e tërësisë territoriale, qasja e pakicave serbe etj. Ndërsa pengesë tjetër është pengesa e Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB, e cila ka ndikuar në anëtarësimin e Kosovës. Nuk është problem numri i shteteve që e kanë njohur Kosovën por bllokimi në Këshill të Sigurimit nga ana e Rusisë, tha ai. Në anën tjetër nënkryetari i AKR, Ibrahim Makolli punën e qeverisë së Kosovës brenda periudhës dy vjeçare të pavarësisë së Kosovës e ka cilësuar të dështuar. Përveç anëtarësimit të Kosovës në Fondin Monetar dhe Bankën Botërore, miratimi i kushtetutës, simbolet e vendit, ligjet, njohjet ndërkombëtare për aq sa i kemi, kjo qeveri ka dështuar në punën e saj gjatë dy vjetarit të pavarësisë së Kosovës, tha Makolli. Ai ka theksuar se dështimi më i madh i kësaj qeverie është mos shtrirja e autoritetit të vendit në gjithë Kosovën.
Shkupi festë për pavarësinë e Kosovës
Në Maqedoni, lëvizja ZGJOHU! me rastin e dy vjetorit të pavarësisë edhe këtë vit do të organizojë një akademi solemne të titulluar, Dita e Plisit, ndërkaq për këtë festë nën patronazhin e komunës së Çairit do të organizohet një koncert i madh në sheshin Skënderbeu në Shkup. Organizata Ilirycum Libertas ka theksuar se në bashkëpunim me një numër të artistëve shqiptar për nder të kësaj feste do të organizojë një ekspozitë me fotografi. Me rastin e ditës së pavarësisë së Kosovës 17 shkurt , në bashkëpunim me një numër të artistëve shqiptar, posaçërisht fotografëve shqiptarë, do ta organizojmë një ekspozitë me fotografi, që në një mënyre ose me tjetrën simbolizojnë një datë të rëndësishme të historisë më të re të kombit, ka theksuar kryetari i Illyricum Libertas, Valon Kurtishi. Ndërkohë, edhe në Prishtinë dhe Tiranë do të organizohen koncerte dhe manifestime grandioze lidhur me shënimin e dyvjetorit të pavarësisë së Kosovës. Në Prishtinë dhe komunat e tjera janë përgatitur manifestime të ndryshme për shënimin e kësaj date, duke nisur nga programet për fëmijë, ndeshjet sportive si dhe ngjarje të tjera festive. Pasditen e 17 shkurtit, një repertor i zgjedhur, me këngë dhe valle popullore nga të gjitha trevat shqiptare, do të interpretohet nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe i Valleve Popullore të Shqipërisë dhe nga artistët e ansamblit Shota të Prishtinës.